OPINION

Drita Topjana: Jo më indiferentizëm, sanitaret dhe rojet e shkollave duhet të trajnohen falas

Sanitaret edhe rojet e shkollave duhet të trajnohen falas, rreth temave të tilla si bullizmi, menaxhimi i agresivitetit, dhuna fizike, psikologjike, duhet të bëjnë edhe ata Betimin Solemn në punën e tyre, sepse edhe ata/ato janë pjesë e stafit të shkollës.

Duke kaluar ditët, javët, muajt, vitet, figura e mësuesit po ulet përherë edhe më shumë. Më falni, por kur të flisni për figurën e mësuesit apo të çdo personi/profesioni tjetër, së pari duhet të keni ecur me këpucët e tyre, pastaj do të shikoni se a keni më gojë të flisni. E dimë se ka mësues dhe mësues, por mos e vështirësoni më shumë punën e tyre! 


Disa pyetje si fillim. Çfarë të drejte i keni dhënë apo lënë mësuesit këto vitet e fundit? Çfarë kushtesh, mjetesh, bazë didaktike/digjitale ka në përdorim? 

Ose më e thjeshta fare, më elementarja, në disa shkolla mësuesit e fillores nuk kanë ambient, se ku t`i nxjerrin fëmijët gjatë orës së edukimit fizik apo pushimit të gjatë. Bëhet fjalë për palestër dhe kushte, fusha me bar, pasi edhe po të rrëzohen nuk dëmtohen, sepse t`i nxjerrin në oborrin e shkollës apo anash saj është një përgjegjësi shumë e madhe që duhet marrë përsipër.


Nejse, në shkollën X para disa vitesh një sanitare në korridorin e shkollës, e ngriti zërin aq lart duke u bërtitur fëmijëve/vajzave të nëntë-vjeçare, sa u bë e neveritshme me atë lloj sjellje.

Jo mos t`ju neveritet fare, sepse sanitaret mund ta menaxhojnë shumë më mirë se mësuesit situatën nëpër shkolla/korridore. Ato shikojnë, vëzhgojnë çdo gjë edhe nuk flasin, sepse nuk janë trajnuar për atë fushë, nuk janë nxitur, nuk janë motivuar, nuk janë inkurajuar, nuk e kanë pjesë të tyren. Mbase edhe mësuesit mund t`u thonë larg nga nxënësit. Ja pra këtu doja të dilja, sanitaret edhe rojet e shkollave duhet të trajnohen falas, rreth temave të tilla si bullizmi, menaxhimi i agresivitetit, dhuna fizike, psikologjike, duhet të bëjnë edhe ata Betimin Solemn në punën e tyre, sepse edhe ata/ato janë pjesë e stafit të shkollës. Edhe prindërit duhet të trajnohen që skena të tilla abuzimi të mos ndodhin më. Njerëzit nuk duhet të qëndrojnë indiferent. Mos hesht, por ndihmo. Sa keq që çdo trajnim është me lekë, por ata duhet të trajnohen falas, qoftë edhe duke plotësuar sondazhe apo teste google form. Disa institucione shtetërore, trajnimet e punonjësve i bëjnë falas...


Prindër, lërini mësueset se edhe nxënësit i duan mësueset e tyre sa më të bukura, që kujdesen për veten, por merruni me veshjet e vajzave tuaja, fëmijëve tuaj. Në shumë shkolla ka uniforma, por për ato që akoma nuk kanë, vajzat nuk duhet të vijnë/dalin me minifunde, streçe, apo barkun jashtë, xhinse të grisura, ndërkohë që janë më të gjata se mësuesja. Me këto lloj veshjesh “provokuese” të femrës të çdo moshe, në çdo lloj profesioni apo shkolle, me skena të tilla do të përballeni, sepse shqiptarët akoma nuk e kanë atë kulturë respekti dhe vlerësimi ndaj femrës, nuk kanë akoma një kulturë që të shohin punën e tyre, prandaj në të gjitha këto drejtime duhet reagim i menjëhershëm edhe rregulla të rrepta. Pa lënë mënjanë militantët, se sa herë ndërrohen qeveritë ndërrohen edhe rojet e shkollave. 


Po ndonjëherë a e keni pyetur veten se sa klasë shkollë kanë rojet e shkollave, çfarë komunikimi apo respekti kanë në komunitet, çfarë autoriteti kanë, çfarë moshe kanë?!.. A kanë një rrogë bazë, a paguhen me kontributin e prindërve apo nga shteti?


Mendoni se fëmijët janë pasuria më e çmuar e familjes/familjeve, pasuria jonë, fëmijët janë  vetë e ardhmja pasuria e një kombit, ku kjo pasuri i hedh hapat e para nëpër institucionet shkollore publike ose jopublike dhe përfundimi me kë përballet çdo ditë kjo pasuri, nëpër disa shkolla, si me modelin e monstrës së Babrrusë. 


Ka ardhur koha që edhe rojet e shkollave të jenë me shkollë, me autoritet, të kenë një status, një rrogë bazë të mbrojtur me ligj. Të trajnohen falas në modulet për kodin e etikës në sjellje, si dhe në modulet për menaxhimin e bullizmit, dhunës psikologjike, se deri në vitet 97-98 nëpër shkolla/gjimnaze nuk bëhej lënda sociologji, ndërsa psikologjia jepej vetëm te shkollat që vazhdonin për  mësuesi. Sa të varfër kemi dalë nga gjimnazi, asgjë nuk na kishte mësuar për jetën sociale. Ja pra këto janë edhe disa nga pasojat e analfabetizmit të sistemit të kohës, e deri më sot. 


Drita Gjaci Topjana, mësuese e Arsimit Fillor   

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,887 Lexime
4 vjet më parë