Dr.Ermira Ymeri: Kolegë, ja pse duhet bërë vlerësimi psikosocial për çdo mësues
Mos thoni se nën zë nuk e keni kërkuar që sistemi arsimor të pastrohet nga "të papërshtatshmit" mësimdhënës! A do duhet t'i nënshtrohen këtij kontrolli është më e pakta. Shqetësimi im lidhet me aftësinë e atyre që do kontrollojnë. Nëse këtë e marrin përsipër vërtet ekipe mjekësh me përvojë, u bëftë.
Të nderuar kolegë, lexova me kureshtje qëndrimet e juaja e në veçanti e kuptoj skepticizmin, revoltën, çudinë e reagimet e juaja për çka ministrja Evis Kushi shkruan. E kuptoj kur thoni se e gjithë vëmendja bie "padrejtësisht" vetëm mbi mësuesit.
Le ta marrim shtruar...
Çdo nisëm të ndërmarrë nga lart e kam shoqëruar me reagimet e njëpasnjëshme të stafeve të mësuesve. Çuditërisht as edhe një proces reforme arsimore në vendin tim e tuajin nuk ka kaluar pa skepticizëm, kjo shpjegohet me gjykimin e natyrës së njeriut për sa kohë ai nuk është prodhuesi i idesë, qëndrimit e aq më tepër reformës për të cilën i duhet ta zbatojë, e shtoj edhe më shumë kur reformat pavarësisht dobisë që kanë, paragjykohen që në fjalinë e parë. (Ndoshta shpesh në arsyetimet tona vlen ajo që thuhet: nuk e studiuan si duhet, nuk na pyetën", le pastaj kur themi: "ata janë të shkëputur nga baza, ata nuk e dinë çdo të thotë të punosh pa mjetet bazë, pa kushte e aq më tepër me një pagë që nuk kënaq e plotëson nevojat tona"). Deri këtu po ndjek logjikën e mësuesit. Institucionalisht nuk e lidh qëndrimin e mësuesit me hierarkinë, që gjithherë e fajësojmë, e denigrojmë edhe kur është mirë, kjo sepse zërat oponentë në logjikën e kundërshtimit asnjëherë nuk po pranojnë se janë institucionet ato që kanë detyrë të ideojnë, mbledhin shqetësimet, të propozojnë (mirë do ishte që të jeni ju që propozoni), akte, ligje, urdhra, të cilat ruajnë ekuilibrat, nxisin zhvillimin dhe reflektojnë përputhshmërinë me BE, e cila vëzhgon, sheh, kontrollon e ndjek arsimin edhe në Shqipëri. E bëra këtë shpjegim për të ofruar realisht shqetësimin parë me sytë e ballafaqimit të përditshëm. A ishte vetëm kovidi që nxori në pah ngarkesën dhe stresin e një mësuesi që e bëjnë atë të paaftë për të qenë mësimdhënës? A nuk ka në mendjen tuaj, përballje e përplasje histerike me kolege? A nuk ka në zërin tuaj të brendshëm thënie të tipit: "kjo nuk bën për mësuese"; " kjo ka nevojë për një kontroll"; " kjo është debile fare"; " kjo na e uli figurën e mësuesit krejt"? Të gjitha këto të thëna të pazëshme e kanë të vërtetën me vete. Mësuesia nuk është profesioni ku çdo njeri i thotë vetes e bëj, mësuesia është profesioni që do shuuumë po shuuumë përgjegjësi.
Sa nga ju shkojnë në punë duke i vënë çelësin problemeve familjare sapo dilni nga shtëpia, në mënyrë të tillë që atje te vendi i shenjtë i punës ti të jesh jo njeriu me problemet e rënda personale, po mësuesi që shenjtëron aktin e detyrës që ka marrë përsipër?
Sa nga ju kur hyjnë në orën e mësimit nuk i janë bërë kaçurrel nervat me një lëvizje a të folur të nxënësit, për shkak të ngarkesës emocionale të rënduar me të cilën ai/ajo hyn në orën e mësimit?
Sa nga ju, për shkak të përgjigjeve tendencioze të nxënësit, nuk e kanë përsonalizuar rastin deri në denigrim të nxënësit aty para klasës?
Sa nga ju nuk kanë përdorur teknikën e ironizimit përgjatë mësimdhënies me "të bezdisshmit", duke i etiketuar me nofka të ndryshme?
Sa nga ju përmes presionit psikologjik nuk kanë dëmtuar jetën e fëmijëve?
Sa nga ju kur hyni në klasë e përdorni orën e mësimit për të bërë ditar, për të plotësuar regjistrin, për të bërë muhabet me nxënësit?
Sa nga ju lexojnë ose vënë për të lexuar mësimin nxënësin në emër të një mësimdhënie pa emër?
Sa nga ju për të ndëshkuar nxënësin bëjnë brenda mësimit "miniteste" me idenë brilante të kontrollit të njohurive, duke e vlerësuar me notë?
Sa nga ju kopjojnë teste, se nuk dinë të bëjnë një të tillë?
Sa nga ju, kopjojnë plane se përtojnë ose më saktë nuk dinë t'i bëjnë?
Sa nga ju rrinë me kolegen duke bërë muhabet për " vjehrrat", e u thonë nxënësve rrini urtë?
Për të gjitha këto pyetje nëse në kolektivat tonë ka qoftë edhe një, duhet ky kontroll. E mos thoni se nën zë nuk e keni kërkuar që sistemi arsimor të pastrohet nga "të papërshtatshmit" mësimdhënës. A do duhet t'i nënshtrohen këtij kontrolli është më e pakta. Shqetësimi im lidhet me aftësinë e atyre që do kontrollojnë. Nëse këtë e marrin përsipër vërtet ekipe mjekësh me përvojë u bëftë.
Nga Dr.Ermira Ymeri
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Përkujtimi i gjuhës amtare, vëmendjen ta kthejmë nga përdorimi drejt i gjuhës shqipe