“Drejtuesi duhet të jetë lider”
Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Ali Demi” në kryeqytet Dorina Kuka tregon gjatë një interviste vështirësitë e drejtimit dhe menaxhimit të një shkolle me 1022 nxënës.
Quhet Dorina Kuka dhe prej dy vitesh është drejtuese e shkollës 9-vjeçare “Ali Demi” në kryeqytet. Të jetë drejtoreshë për të është një përgjegjësi, privilegj dhe angazhim shumë i madh. Ka zgjedhur që të përçojë tek kolegët dhe nxënësit modelin e liderit. Aftësitë e mira komunikuese kanë bërë të mundur që marrëdhëniet me stafin pedagogjik, nxënësit dhe prindërit të jenë shumë të mira, duke garantuar kështu suksesin.
Prej sa kohësh jeni drejtuese e shkollës “Ali Demi?”
Prej dy vitesh jam drejtuese e shkollës 9-vjeçare “Ali Demi” në të cilën aktualisht mësojnë 1022 nxënës.
Çfarë do të thotë për ju të drejtoni një shkollë?
Të drejtosh një shkollë është një përgjegjësi, privilegj dhe angazhim shumë i madh, pasi duhen mbështetur kolegët, nxënësitdhe prindërit që gjithsecili të kryejë sa më mirë detyrën.
Si mendoni, një drejtues a duhet të jetë edhe një menaxher i zoti?
Mendoj se një drejtues duhet të jetë lider. Një lider është edhe një menaxhues shumë i mirë.
Cila është vështirësia më e madhe në punën tuaj?
Lejomëni t’iu them se profesioni i mësuesit mbetet profesioni më i bukur, pasi të gjithë së bashku përgatisim yjet e së ardhmes e sigurisht duke nisur nga ky rezultat nuk ndjej vështirësi.
Çfarë marrëdhënieje keni me stafin pedagogjik?
Komunikimi është arma ime më fortë dhe kjo sigurisht më ka ndihmuar që të kem një marrëdhënie mjaft të mirë me ta.
Çfarë kërkoni ju nga mësuesit?
Ne punojmë si një ekip ku mendimi, nevoja dhe përfshirja e gjithsecilit është përgjegjësi për të gjithë ne. Çdo pjesëtar i shkollës tonë duhet të jetë mbështetës dhe në koherencë të plotë me vizionin e liderit, i cili çdo vendim e merr në përputhje dhe mbështetje me idetë dhe mendimet e stafit të tij.
A zhvillohet mësimi me dy turne në shkollën tuaj?
Po, në shkollën “Ali Demi” zhvillohet mësimi me dyturne për shkak të kërkesave të shumta që ka pasur si shkollë ndër vite.
Cili mendoni se është çelësi i suksesit tuaj?
Çelësi i suksesit tim është komunikimi, puna në ekip dhe vizioni për të ardhmen.
Cila është motoja juaj?
Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Këshilla që ju jepni vazhdimisht nxënësve? Po mësuesve?
Nxënësve nuk resht së thëni të bëhen qytetarë të denjë të këtij vendi e të investojnë për të ardhmen. Mësuesve u sugjeroj ta duan profesionin e tyre dhe dijet t’i përçojnë me pasion te nxënësit.
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
“Romeo dhe Zhuljeta” nën interpretimin e gjimnazistëve