INTERVISTË

Drejtoresha e ZVA Elbasan, Anila Çota: Si i përballuam sfidat e këtij viti shkollor dhe çfarë na pret në shtator

Në një intervistë, drejtorja e ZVA Elbasan, Anila Çota, shpjegon me detaje si e përballua tërmeti, mësimi online, matura shtetërore, regjistrimet dhe procesi në vazhdim i sistemimit të mësuesve në lëvizje për shkak të normës mësimore. Ajo është ndalur edhe te objektivat për fillimin e mësimit në shtator.

Anila Çota drejton Zyrën Vendore Arsimore në Elbasan nga nëntori i vitit 2019. Dy ngjarje aspak të zakonshme sfiduan drejtuesen e re por me shumë eksperiencë në menaxhimin e arsimit, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e COVID 19 duke ndryshuar rrënjësisht edhe angazhimin tradicional në mësimdhënie të të gjithë rrjetit arsimor. Drejtues, mësues, nxënës dhe prindër u bënë bashkë në një angazhim të ri që kërkonte koordinim, ndërgjegjësim dhe përkushtim. Anila shprehet se vendimmarrjet e bazuara në legjislacion, zgjidhjet e menjëhershme për çështje të shpejta dhe koordinimi i punës në çdo kohë, vazhdojnë ta shoqërojnë edhe në këto kohë pushimesh. Arsimi përgatitet për një tjetër sfidë, fillimin e vitit shkollor, që ka shumë të panjohura por edhe kërkon një analizë të thellë për të bërë më të mirën që mësimdhënia të ecë dhe shëndeti të garantohet për të gjithë nxënësit dhe stafin pedagogjik. Në një intervistë, drejtorja e ZVA Elbasan,  Anila Çota, shpjegon me detaje si e përballua tërmeti, mësimi online, matura shtetërore, regjistrimet dhe procesi në vazhdim i sistemimit të mësuesve në lëvizje për shkak të normës mësimore.



Znj. Çota, ju vini nga një eksperiencë drejtimi në arsim por gjithsesi të drejtosh një institucion me shkollat në varësi dhe problematika nga më të ndryshmet është një sfidë më vete. Sa e vështirë ishte për ju menaxhimi i situatës në ZVA Elbasan? 


Së pari ju falënderoj për pyetjen dhe interesin për tejkalimin e sfidave  në arsimin parauniversitar në Elbasan. Kjo është një kohë mjaft e ngarkuar me sfida të diktuara  nga brenda e jashtë sistemit, sfida  të cilat prodhojnë problematika, por edhe thellojnë vizionin  për të ndërtuar strategji për zgjidhje afatgjata. Kam mbi 33 vite në arsim dhe mbi 23 vite në drejtimin e shkollave. Problematikat e shkollave i kam njohur drejtpërdrejt si në shkolla të mëdha ashtu edhe në shkolla të vogla, qofshin në fshat e qytet, ne periferi apo qendër dhe sigurisht që kanë qenë nga më të ndryshmet. Tashmë jam në një stad të ri të karrierës sime, por gjithsesi brenda së njëjtës fushë. Në pozicionin aktual  kjo larmi e problematikave sa vjen dhe e zgjeron perimetrin e saj, pasi në shkolla problematikat zgjidhen  brenda një komuniteti më të ngushtë, ndërsa  në ZVA  kanë një natyrë tjetër. Ne jemi një zyrë që ofron  shërbime  për qytetarët  por në të njëjtën kohë jemi edhe operatorë të  procesit të edukimit, kësisoj na duhet  të punojmë në disa drejtime njëkohësisht. Të drejtosh një institucion, i cili ka në varësi një numër relativisht të madh shkollash, stafesh pedagogjike, nxënësish të niveleve të ndryshme arsimore që nga ai parashkollor e deri në maturë, është e pamundur të jesh imun nga problemet, por përvoja e gjatë më ka lehtësuar në procesin e drejtimit. Së pari, më është dashur të kuptoj thellësisht problematikat dhe pas në bashkëpunim me kolegët të bëjmë përpjekje maksimale për t’i vënë ato në rrugën e zgjidhjes bazuar në zbatimin korrekt të legjislacionit. Nuk është  e lehtë të drejtosh këtë institucion kur zyra punon me  kapacitet jo të plotë të stafit, pasi ende ne kemi organika që duhen plotësuar me specialistë, por e kemi organizuar punën në mënyrë të tille, që edhe pse jemi  të mbingarkuar ja kemi dalë. Unë e kam marrë detyrën më 27 nëntor 2019, vetëm një dite pas tërmetit. Më është dashur që ditën e parë të  vendos  komunikim të menjëhershëm për të përballuar një këmbim të madh informacionesh si me institucionet në varësi edhe me instancat eprore për shkak të zgjidhjes së problematikave në një situatë që nuk isha ndeshur asnjëherë.  M’u desh që deri vonë në orët e mbrëmjes për disa ditë radhazi së bashku me disa nga kolegët e zyrës të inspektoja vetë fizikisht godinat e shkollave,  të cilat raportonin probleme. Duhet të përcillnim informacion dhe të gjenim zgjidhje dhe të organizonim punën me stafet pedagogjike dhe komunitetet për të qetësuar fillimisht fëmijët e për të rifilluar mësimin. Problemi më i madh ishte organizimi për rifillimin mësimit në shkollën e Treganit, e cila pësoi dëmtime të rënda dhe ku nuk mund te vijohej mësimi pasi godina paraqiste pasiguri. Në kohë rekord, pa humbur asnjë ditë mësimi, në bashkëpunim me Bashkinë, komunitetin e prindërve dhe në koordinim të plotë me MASR,  ja dolëm, qe të mos humbnim asnjë orë mësimi. Punësimi i mësuesve dhe respektimi  i portalit “ Mësues për Shqipërinë” vazhdon të mbetet një tjetër problematikë që është menaxhuar duke i qëndruar korrekte çdo punësimi, duke zbatuar procedurat konform legjislacionit dhe duke siguruar transparencë absolute me kandidatët e portalit. Është paksa e vështirë(pa dashur të paragjykoj askënd), që qytetarët, të cilët paraqesin shqetësime, të binden me përgjigjet që ne ju japim të bazuara në ligj. Kjo më ka forcuar edhe më tej bindjen se duhet pasur durim, gjakftohtësi dhe aftësi komunikimi për t’i bërë njerëzit të dëgjojnë, por edhe ta shohin situatën ashtu siç është në të vërtetë dhe jo vetëm si ata duan ta shohin. Pra, duke vendosur në shinat e ligjit dhe zbatimit të tij falë komunikimit, bashkëpunimit dhe korrektësisë në marrëdhënie me komunitetit, po përpiqemi  të sfidojmë çdo problematikë, por ndonjëherë edhe veten. Përtej  gjithë sfidave e vështirësive jemi koshientë që qëndron ajo e pandemisë së shkaktuar nga Covid 19.



Për herë të parë në historinë e arsimit për shkak të situatës së pandemisë, mësuesve dhe drejtuesve ju desh të modifikonin mësimdhënien tradicionale në atë online? Si ishin javët e para? Cilat ishin vështirësitë? Si I shikoni përpjekjet e mësuesve, nxënësve dhe prindërve për të përballuar këtë situatë aspak normale?


Të gjendur në një situatë aspak të zakontë, pa përvojën dhe përgatitjen e duhur, u desh që hapi i parë të ishte vendosja e komunikimit me nxënësit dhe prindërit e tyre. Për ne ishte shumë e rëndësishme dhe që në ditët e para iu dedikuam ngritjes (për ata që nuk i kishin) të grupeve në rrjete të ndryshme sociale duke përzgjedhur si mjetin më të shpejtë ëhatsapp. Askush nuk e mendonte gjatë atyre ditëve, që do të kishim një solidaritet kaq të madh nga prindërit. Kjo evidentoi një fakt të rëndësishëm: prindërit kuptuan më thellësisht rolin dhe punën e madhe të mësuesve në  edukimin e fëmijëve të tyre dhe kjo gjë na është shprehur përmes qindra e mijëra mesazheve e videove falënderuese për mësuesit. Po kështu mësuesit filluan të bëjnë kërkime dhe të vënë në zbatim metodat e para të mësimdhënies online. Orët e para ishin përmes takimeve online në ëhatsupp duke avancuar më pas në përdorimin e teknologjisë në përgatitjen e videove të orëve mësimore, të cilat përcilleshin kryesisht përmes telefonit, tabletave apo kompjuterit aty ku ishte e mundur. Vështirësitë ishin nga më të ndryshmet duke filluar me aksesin që kishin nxënësit në telefonat e prindërve të tyre (një telefon përdorej edhe nga 2 ose tre fëmijë) në internetin e limituar, në përballjen për herë të parë me mësimin nga telefoni dhe jo direkt në klasë, si e vetmja mënyrë që kishim në dispozicion për të mos u shkëputur nga mësimi. Vështirësi kanë hasur edhe disa mësues që kishin telefona të thjeshtë e jo smart, internet të limituar, të pamësuar në përdorimin e mësimdhënies online. Ndërkohë në disa zona të largëta kishte problem me internetin për shkak të valëve duke vështirësuar edhe komunikimin e thjeshtë me telefon. MARS në bashkëpunim me kompani private vendosën në dispozicion të familjeve në vështirësi apo me shumë fëmijë telefona smart në përdorim. Po ashtu për nxënësit ekselentë u mundësuan tabletë për të lehtësuar procesin e marrjes së mësimeve online si dhe për ti motivuar në rezultatet e tyre. Ishte veçanërisht një përpjekje titanike e mësuesve për të realizuar më së miri misionin dhe detyrën e tyre. Rrjetet profesionale u riorganizuan duke prodhuar dhe publikuar mijëra video mësimore në dispozicion të mësuesve jo vetëm të ZVA Elbasan por edhe për të gjithë mësuesit në nivel kombëtar duke i përcjellë nëpërmjet DPAP. Këto video prodhoheshin nga mësuesit tanë më të mirë në të gjitha profilet, lëndët apo klasat duke ndërtuar edhe bibliotekën tonë digjitale në dispozicion të çdo mësuesi. Videot u publikuan edhe në rrjetet sociale për të pasur një shpërndarje edhe më të madhe. Krahas mësimdhënies nuk u anashkaluan as veprimtari të ndryshme si konkurset online e deri tek festat e abetares që vogëlushët së bashku me prindërit u angazhuan me shumë kënaqësi. Një fazë e vështirë ishte edhe ngarkesa emocionale duke shkaktuar ankth, mbyllje në vetvete të disa nxënësve apo edhe dhunë të formave të ndryshme që mund të përjetonin në familje. Kjo diktoi angazhimin maksimal të njësisë së shërbimit psiko-social, grupit të oficerëve të sigurisë dhe ngritjen e këndit të psikologut online duke ofruar kështu për këtë kategori këshillim psikologjik online. Kemi pasur rreth 50 raste të tilla në periudhën mars-qershor 2020.



Gjithashtu ky ishte viti ku matura shtetërore ishte në kushte të reja dhe provimi i informatizuar. Në fakt nuk u regjistrua asnjë incident apo problem qoftë edhe i vogël në ZVA Elbasan në administrimin e tyre. Si u menaxhuan provimet?


Ju falënderoj për këtë pyetje. Matura shtetërore është një nga shtyllat kryesore të performancës së një ZVA-je. Në kushtet e reja pati një sërë diskutimesh për zhvillimin e provimeve dhe falë diskutimeve dhe përgjegjshmërisë profesionale të specialistëve të MASR u bë hapja e shkollave në 1 qershor dhe zhvillimi i konsultimit për maturat për 2 javë. Gjatë kësaj periudhe u morën masat anticovid me maska, dizinfektantë si dhe duke ruajtur distancimin fizik në klasa. Për fat të mirë nuk patëm asnjë rast me shfaqje të shenjave të sëmundjes tek nxënësit apo stafi. Në çdo shkollë vendosëm përfaqësuesit tanë, të cilët mbikëqyrën procesin mësimor në bashkëpunim me specialistët e shëndetësisë. Organizimi i provimeve në çdo shkollë të mesme për shkak të kushteve të gjendjes së fatkeqësisë natyrore u mbikëqyr në çdo hap nga Komiteti i Maturës Shtetërore.  Është e vërtetë që ne menaxhuam me kujdes maksimal të gjithë procesin duke i dhënë rëndësi çdo elementi të zbatimit të rregullores si nga mësuesit ashtu edhe nxënësit. Ja dolëm që nxënësit të bëhen të vetëdijshëm dhe të paraqiten në shkollë pa celular (e konsideruar si hallka më e dobët që mund të dëmtojë rëndim procesin), gjithashtu edhe për mësuesit e angazhuar në administrim. Ritheksoj se ishte zbatimi i rregullores me përpikëri dhe zbatimi i masave për shkeljet e vërejtura kyçi i suksesit. U testuan rreth 1700 maturantë në 22 mjedise shkollore të mbikëqyrur nga rreth 500 mësues. U zhvilluan 10 seanca trajnimi të drejtuesve, përgjegjësve të administrimit, mësuesve administratorë si dhe praktikantëve nga ZVAP Elbasan si dhe  nxënësve nga drejtuesit e shkollave. Risia e këtij viti ishte angazhimi i oficerëve të sigurisë si përfaqësues të MASR ndërkohë ne si ZVAP përcaktuam përfaqësuesit tanë, të cilët realizuan mbikëqyrjen e mjediseve të certifikuara nga drejtuesit e shkollave. Po kështu ishte risi edhe teza e individualizuar duke eliminuar sekretimin. 



Një tjetër fazë e rëndësishme ishin regjistrimet në gjimnaze ku juridiksioni u kthye në kryefjalën e prindërve por edhe të mësuesve duke thyer kështu mitin e gjimnazeve të mira dhe të mbipopulluara. Si ja dolët edhe përballë presionit të madh që kanë regjistrimet sidomos jashtë juridiksioneve?


Bazuar ne Urdhrin nr  31 date 28.01.2020 “Për miratimin e rregullores për funksionimin e IAP në Republikën e Shqipërisë”, Udhëzimin nr.30 datë 12.09.2018 “Për numrin e nxënësve dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar” si dhe në Udhëzuesin e ZVAP Elbasan “Për regjistrimet në Institucionet publike të arsimit  parauniversitar për vitin 2020 – 2021” u kryen regjistrimet në klasat e para dhe të dhjeta. Ne bëmë përpjekje të promovojmë së pari zbatimin e legjislacionit përfshirë dhe juridiksionin por edhe punën e çdo mësuesi apo stafi për rezultate të mira të punës së tij dhe të institucionit ku bën pjesë. Kështu në 15 korrik sipas rregullores përfundoi faza e regjistrimeve. Nxënësit janë regjistruar sipas juridiksionit të përcaktuar nga ZVAP dhe zonave të gjimnazeve të përcaktuara në bashkëpunim me pushtetin vendor. Kjo u jep shanse të gjithë nxënësve të regjistrohen në shkolla sipas juridiksionit të zonës së gjimnazit duke mos etiketuar apo paragjykuar disa gjimnaze apo mbivlerësuar disa të tjerë. Po bëjmë përpjekje që të rikonstruktohen disa shkolla të mesme me qëllim zhvillimin në kushte e standarde të përshtatshme për të gjithë. Po kështu jemi duke i paraprirë regjistrimit online përmes e-albania, që u pilotua këtë vit në tre gjimnaze të Tiranës me gjasë vitin që vjen implementohet në të gjithë Shqipërinë. Kjo do të sjellë një shpërndarje më të mirë dhe jo përqendrim në dy apo tre gjimnaze të mëdha. Gjithsesi ne jemi të vendosur të qëndrojmë korrektë ndaj zbatimit të rregullores dhe legjislacionit në fuqi duke mos lejuar çedimin e situatave përballë presioneve.



Në vazhdim situata do të jetë edhe më e vështirë. Do të duhet të sistemoni mësuesit për shkak të uljes së numrit të nxënësve dhe të përgatiteni për një shtator të vështirë në situatën e COVID me nxënësit në shkolla ose jo. Çfarë do të thotë për ju të drejtoni Arsimin në Elbasan në këtë periudhë?


Periudha në vijim do të jetë po aq e ngarkuar me sfida e vështirësi. Kemi filluar nga puna për evidentimin e numrit të nxënësve në klasa. Ka një rënie të këtij numri e për rrjedhojë edhe të ngarkesës mësimore të disa mësuesve. Procedurat janë të qarta dhe ne do ndjekim hap pas hapi realizimin e tyre. Tashmë kemi në duar të gjitha dosjet e mësuesve të cilët kanë kërkuar lëvizje paralele me dëshirë, të cilat vlerësohen nga komisioni i vlerësimit të dosjeve dhe po administrojmë dokumentacionin e ardhur nga shkollat për lëvizjet paralele të detyruara. I gjithë procesi do të jetë transparent dhe përpjekjet tona do të jenë maksimale për të mos lënë asnjë mësues jashtë sistemit. 

Shtatori duket se do të jetë një periudhë sfiduese për ne. Në varësi të situatës dhe protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë jemi tashmë të përgatitur për dy objektiva të rëndësishëm: vijimin e mësimit në çfarëdolloj kushti (online apo në klasë si dhe të kombinuara) si dhe për zbatimin e masave ku të mundësohet ruajtja e distancimit fizik. Jemi duke punuar gjatë gjithë kohës me stafin për të qenë sa më të përgatitur për situatën në vijim. 

Mund të themi tashmë se nuk jemi në një situatë të papritur dhe të paprovuar. Mësuesit janë duke ndjekur trajnime të ndryshme rreth metodave e teknikave të mësimit online për t’i praktikuar ato në rastet kur do të jetë e nevojshme. Viti shkollor 2020-2021 do të fillojë me një përsëritje të njohurive të vitit të kaluar në mënyrë që të plotësohet spektri i këtyre njohurive, bazuar në Udhëzuesit e herëpashershëm të ASCAP.



Intervistoi Bardha Nergjoni

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,027 Lexime
4 vjet më parë