Drejtimi i shkollës nuk është thjesht një vend punësimi
Një drejtues i mirë dëgjon dhe tërheq edhe mendimet e mësuesve të përparuar, i vlerëson ata dhe i përgjithëson. Kjo edhe për faktin se nxënësit kanë secili karakteristika dhe veçori të llojllojshme. Pra drejtuesi i mirë nuk drejton dot vetëm.
Drejtimi i shkollës nuk është asnjëherë një barrë e lehtë, nuk është thjesht një vend punësimi komod dhe i lakmuar. Jo! Një drejtor shkolle ka përgjegjësi të mëdha për zbatimin e një programi serioz e bashkëkohor së bashku me mësuesit që janë zbatuesit e drejtpërdrejtë të atij programi, secili në lëndën e tij, në klasën e tij dhe me nxënësit e tij e, të gjithë bashkë, drejtues, mësues, nxënës dhe prindër, të përbëjnë një trup të vetëm, të interesuar fuqimisht në përgatitjen shkencore dhe qytetare të brezit të ri, që t`i përgjigjet edhe vet zhvillimeve të vendit, pasi edhe fëmijët dhe të rinjtë tanë, janë sot dhe, do të jenë edhe nesër, pararoja e shoqërisë moderne.
Ashtu siç kërkojmë drejtor të zotë dhe të kualifikuar, sot në shkollë kërkojmë dhe duhet të kërkojmë edhe mësues profesionalë e të përzgjedhur, të gatshëm të marrim përsipër detyra jo thjeshtë rutinë dhe sa për të kaluar edhe këtë orë mësimi, por të atillë që të ndjejnë përgjegjësi për zhvillimin e plotë dhe efektiv të orës së mësimit, duke arritur të përcjellin me nivel te nxënësit atë sasi njohurish të programuara, por edhe të dhëna cilësisht dhe me forma sa më efektive e të larmishme, tërheqëse dhe të dashura për nxënësit. Natyrisht që ka nxënës që druajnë dhe nuk janë të përqendruar gjatë orës së mësimit dhe, aq më keq nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur studimit të lëndës për të nesërmen, por pikërisht këtu është dhe e duhet të jetë edhe aftësia e drejtuesit dhe e mësuesit, që ta bëjnë dhe ta zhvillojnë mësimin në mënyrë që ai të prezantohet me gjithë rëndësinë e tij, sa më i kapshëm dhe i kuptueshëm, duke tërhequr edhe nxënësin në përvetësimin sa më të mirë të tij.
Përpjekjet tek ne kanë qenë gjithnjë të tilla për të përzgjedhur si drejtues shkolle mësuesit më të mirë dhe më të përgatitur, ndërkohë që me të zgjedhurit janë zhvilluar dhe zhvillohen trajnime të vazhdueshme. Edhe vetë personi që kërkon të bëhet drejtor, duhet doemos ta mendoj si një nga detyrat dhe misionet më të rëndësishme të jetës së tij drejtimin e shkollës, përkushtimin e plotë ndaj saj, por edhe organet eprore të shkollës, që nga Ministria e Arsimit dhe e organet vartëse të saj, duhet të kërkojnë dhe të këmbëngulin në formimin e plotë të këtij drejtuesi, që ai të ketë aftësitë e duhura duke filluar nga rregulli dhe disiplina e nevojshme për një shkollë me standarde, por edhe sesi ai të kërkojë zbatimin bashkëkohor të planeve dhe të programeve moderne në shkollën që ai drejton.
Nga përvoja them se drejtuesi në arsim i të gjitha niveleve duhet të jetë i vetëdijshëm për misionin e tij, ai nuk duhet të jetë vetëm njeri i urdhrave, i dhënies së porosive dhe detyrave, por në radhë të parë duhet të jetë njeri i përgatitur profesionalisht, metodikisht dhe i përkushtuar për të kryer detyrën deri në detaje, aktiv në çdo kohë duke u qëndruar në kokë punëve të shkollës, jo paternalist, se “e di unë” dhe “kështu them unë”, por edhe duke nxitur iniciativat e mësuesve më të përparuar të shkollës. Një drejtues i mirë, me kulturë dhe i përgatitur krijon atmosferë të ngrohtë me mësuesit dhe me nxënësit, në mënyrë që punët të kryhen se, duhet, por edhe me ndërgjegje e vullnet, me zhdërvjelltësi.
Ministria e Arsimit i ka zhvilluar, le të themi, kurset apo trajnimet e duhura me drejtuesit e shkollave gjatë muajve të verës, por ato trajnime janë dhe duhet të jenë të përhershme, sepse shkolla, si një organizëm i gjallë, kërkon të “ushqehet” vazhdimisht me ide, forma dhe metoda nga më të avancuarat, aq më shumë sot kur Shqipëria është e hapur me botën edhe informacioni bashkëkohor është aty pranë dhe mund të merret sa më shpejt, sikurse edhe format dhe metodat dhe gjithçka e re në drejtim të shkollës, mund dhe duhet të përvetësohet në kohë dhe cilësisht. Ndryshe humbasim shumë, krijojmë shumë boshllëqe dhe në vend të një shkolle moderne, do të kishim një shkollë rutinë e formale.
Një drejtues i mirë, përpos sa thamë më sipër, dëgjon dhe tërheq edhe mendimet e mësuesve të përparuar, i vlerëson ata dhe i përgjithëson. Kjo edhe për faktin se nxënësit kanë secili karakteristika dhe veçori të llojllojshme, janë tipa dhe karaktere të ndryshme dhe me ta nuk mund të punohet në global, me të gjithë njëherësh dhe me të gjithë njëlloj, si me njërin edhe me tjetrin, por edhe duke u ndaluar në tiparet dhe karakteristikat e tyre të veçanta. Në këtë kuptim drejtuesi i mirë e kërkon këtë zhdërvjelltësi edhe te mësuesi, por edhe i përgjithëson shembuj më të mirë dhe më të përparuar.
Drejtuesi i mirë nuk drejton dot vetëm, por së bashku me këshillin e mësuesve
Nuk mund të thuash sot që “shkolla kërkon vetëm klasa, libra, mësues dhe zilen që bie çdo 45 minuta!” Kjo do të ishte shumë sempliste dhe s`do t`i shërbente askujt, përkundrazi do ta bënte shkollën krejt formale e të pa vlerë, ku gjithkush mund të bëj çfarë të dojë dhe si të dojë, ku të gjithë të kërkojnë të drejta dhe t`u kthejnë shpinën detyrave. Ky qëndrim i skajshëm liberal e tolerantë, do të ishte një gabim i pafalshëm jo thjesht për fëmijët dhe të rinjtë pjesëmarrës në një shkollë, por do të ishte një boshllëk i madh edhe për vet shoqërinë, për vet zhvillimet aktuale dhe të mëvonshme që do të reflektohej në të gjitha fushat e jetës, do të ishte një ngecje në vend, prapambetje dhe hapa prapa.
Një shkollë moderne, s`ka asgjë të përbashkët nga sa thamë më sipër, ajo, është një “organizëm” i gjallë dhe në lëvizje të vazhdueshme, një institucion serioz i dijes dhe i edukimit, i cili kërkon doemos që, drejtuesi i saj të jetë ndër mësuesit dhe specialistët e arsimit nga më të përgatiturit dhe më të formuarit nga ana profesionale e shkencore; një menaxhues i kualifikuar, teorik dhe praktik i organizimit të punëve brenda shkollës, një njeri i aftë që të njohë mirë kolegët mësues dhe të ndërtojë me ta marrëdhënie sa më korrekte, duke u kërkuar vënien në lëvizje të aftësive dhe fuqive të tyre intelektuale, por dhe duke i nxitur dhe duke u besuar atyre sepse, janë pikërisht ata, që do t`i zbatojnë planet dhe programet e shkollës, që do të vënë në jetë idetë më të përparuara, duke bërë sa më të përvetësueshme tekstet dhe përmbajtjet e tyre, programin dhe planin mësimor edukativ.
Ndërkohë që ky drejtues, duhet të di dhe të njohë thellë shpirtin e kontigjentit të fëmijëve e të rinjve që përbëjnë dhe pjesën qendrore dhe më të rëndësishme të vetë shkollës, sepse në fund të fundit, shkollimi është pikërisht për ata, fëmijë dhe të rinj, që t`i armatos ata me dije dhe njohuri të thella, që të njohin veten, jetën dhe botën që i rrethon, të kenë kureshtje dhe dëshira për të ditur dhe për të mësuar sa më shumë.
Nga Fran Gjoka, mësues dhe gazetar i njohur shqiptar
(Portali Shkollor)
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Familja sot dhe roli i saj në shoqëri
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant