Pro dhe kundër

Ditari i mësuesit, burokraci apo domosdoshmëri?

Mësuesit tashmë e dinë se listimi i informacioneve në ditar, lexohet mirëfillti ose anashkalohet nga drejtuesit më të lartë. Shënimet personale dhe shënimet në ditarë shpesh kanë përmbajtje të ndryshme. Në ditar shkrimet janë mekanike.

Nëse mësuesit do të viheshin përballë zgjedhjes: të pasurit e një ditari, apo një printeri, atëherë me gjasë do të fitonte alternativa e dytë, duke u bazuar nga komentet e përditshme të shumë mësuesve. Gjithashtu, po të kishin lirinë e të zgjedhurit, mësuesit do preferonin shënimet në blloqet personale para shënimeve ne ditar. Diskutimet mbi mbajtjen e një plan ditari variojnë sipas nevojave të mësuesit. Shumë mësues shprehen pozitiv, duke e parë ditarin si pikë referimi gjatë orëve mësimore. Ndërkohë, një pjesë tjetër janë të mendimit se ditari është një burokraci e tepërt.  


Pse ndodh kjo? 


Çdo vit, tema e ditarit mësimor trajtohet me polemika mes mësuesve. Argumentet pro dhe kundër mbajtjes së ditarit janë të pranishme në çdo rrjet social, veçanërisht te media online dedikuar arsimit, Portali Shkollor. Roli i çdo mësuesi shqiptar (gjatë dhe pas pandemisë), i ka kapërcyer detyrat e përcaktuara. Nisur nga ky fakt, mësuesit tashmë e dinë se politikat lehtësuese të propaganduara janë larg nevojave të kërkuara. Çfarë mësuesit kërkojnë është lehtësim në ushtrimin e mësimdhënies. Kësisoj, ditari ditor rëndon dhe nuk ndihmon një pjesë të mësuesve. 


Në Portalin Shkollor, mësuesit shprehin lirshëm mendimin e tyre mbi ditarin mësimor. Disa nga arsyet janë këto:


“Për një mësues fillestar, ndoshta e ndihmon, por një mësuesi që ka vite pune, nuk ia ndien fare nevojën…” – P.H

“Unë di se mësuesi ka tekste orientuese nga ministria për të shtjelluar një temë. Pse nuk marrin më të mirën e botës, por vetëm e ngarkojnë mësuesin me shkreta të kota?” – S.XH

“… është ngarkese për ti marrë mësuesit orë nga dita e tij pas punës së lodhshme të çdo dite.”- M.RR

“ Unë them që duhet, por që të jetë funksional, mjafton që mësuesi të shkruajë pesë pika, vërtetë ato gjëra që i nevojiten t’i mbajë mend…” – A.F


Çfarë mund të shërbejë më mirë?


Mësuesit gjatë dy viteve pandemike kuptuan se ndryshimi në arsim mund të ndodhë dhe të funksionojë. Me ndryshimin e kohëve dhe prioritizimin ngushtës të teknologjisë me jetën e njerëzve, për pasojë arsimi duhet të pësojë ndryshimet që favorizojnë lehtësinë e mësuesit në klasa. Një printer ose një kompjuter i ndihmon mësuesit në raport me nxënësit dy herë më shumë se një ditar i shkruar me dorë. Përgjithësish, mësuesit mbajnë shënime të veçanta gjatë orëve mësimore, duke i hartuar dhe skematizuar pa nevojën e shtrënguar të pasjes së një ditari. Kjo metodikë u pa më e theksuar gjatë mësimeve online, ku mësuesit mbanin shënime vazhdimisht për çdo grup klase. Rezultatet ishin dobiprurëse.


Sipas Richards dhe Lockhart (1996, f.7), ka dy qëllime përse mbahet një ditar mësimor. E para është të shënohen idetë dhe ngjarjet në mënyrë që të reflektohen mbi to më vonë. Kjo mbështet kujtesën e mësuesit dhe mund të frymëzojë ide të reja për përdorim në mësimet e ardhshme. Qëllimi i dytë është se procesi i të shkruarit në vetvete ndihmon në nxitjen e njohurive rreth mësimdhënies. Të shkruarit në këtë kuptim shërben si një proces zbulimi.


Aspektet pozitive të mbajtjes së një ditari mësimor:


  • Shkrimi është një metodë organizuese për orët mësimore, duke e ndihmuar mësuesin me temat ditore, veçanërisht kur kanë shumë klasa në ngarkim. 
  • Ditari ndihmon duke i dhënë mësuesit reflektimin e ngjarjeve në kohë. Për shembull, regjistrimi i ecurisë së nxënësve në klasë para disa muajsh, mund të tregojë të tjera rezultate me ecurinë e tanishme. Kjo e ndihmon mësuesin të identifikojë shkakun dhe fenomenin.
  • Ditari funksionon si disiplinë që angazhon mësuesin të tregohet profesionistë në identifikimin e problematikave, ngjarjeve, temave të rëndësishme.


Aspektet negative të mbajtjes së një ditari mësimor:


  • Hartimi i ditarëve mësimor kërkon kohë dhe impenjim të mësuesve. Shpesh duke marrë edhe nga koha e lirë e mësuesve. 
  • Përshkrimi i detajuar për shumë mësues është i panevojshëm dhe merr sërish kohë të tepërt. Në krahasim me shënimet e shkurtuara dhe të vlefshme, ditari kërkon specifika hera-herës burokratike. Mësuesit e ndjen vetën të limituar dhe të shtrënguar. 
  • Ekziston një diferencë mes ngjarjeve reale të ndodhura në klasë dhe asaj çfarë regjistrohet në ditar. Mësuesit tashmë e dinë se listimi i informacioneve në ditar, lexohet mirëfillti ose anashkalohet nga drejtuesit më të lartë. Shënimet personale dhe shënimet në ditarë shpesh kanë përmbajtje të ndryshme. Në ditar shkrimet janë mekanike. Në blloqet personale shkrimet janë të skematizuara dhe të preferuara, pasi evokojnë shkrimet e lira dhe motivuese. 


Burime:https://www.birmingham.ac.uk/documents/college-artslaw/cels/essays/secondlanguage/assignmentbanksubmissionmod1ekourelis.pdf

https://www.facebook.com/portalishkollor.al/


Përgatiti: Xhoana Jaku

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,582 Lexime
2 vjet më parë