Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin, Manastirliu: 2000 mësues ndihmës do të mbështeten me rritje page dhe programe kualifikimi
Për të ngritur më tej cilësinë e arsimit për nxënësit me nevoja të veçanta, Ministrja Manastirliu tha se mësuesit e arsimit special jo vetëm do të përfitojnë rritje pagash, 950 euro në korrik, por ata do të mbështeten me programe të trajnimit për të rritur profesionalizmin dhe efikasitetin e tyre.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, vuri në qendër të vëmendjes kontributin jetësor të mësuesve ndihmës në arsimin dhe zhvillimin e fëmijëve me aftësi të veçanta. Spikati në këtë takim atmosfera por dhe kujdesi që kishin treguar mësuesit të visheshin me ngjyrat simbol të spektrit të autizimit.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndërmarrë hapa për të përfshirë mësuesit ndihmës në sistemin arsimor parauniversitar, duke arritur një raport mësues-nxënës që respekton standardet evropiane të arsimit.
“Dhjetë vite më parë nuk mendonin se do të kishim 2000 mësues ndihmës në sistemin parauniversitar, përfshirë edhe atë parashkollor. Kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës në shkolla. Sot vetëm në shkollat tona në arsimin parauniversitar numërojmë më shumë se 1800 mësues, të dedikuar për fëmijët specialë. Kemi reduktuar raportin mësues për fëmijë me aftësi speciale duke synuar t’i përafrohemi normave të Bashkimit Evropian. Falë investimeve në shkolla, falë investimeve në infrastrukturën shkollore në përmirësimin e aksesit kemi lehtësur hyrjen e fëmijëve specialë në shkollë. Rritja e numrit të mësuesve ndihmës në shkollë ka bërë gjithashtu të mundur rritjen e besimit të prindërve, për të na besuar fëmijët e tyre përgjatë një procesi edukativ dhe arsimor. Detyra juaj është t’i udhëhiqni, t’i drejtoni dhe t’i mbështesni këta fëmijë gjatë rrugëtimit të tyre arsimor por edhe të evidentoni dhe të identifikoni prirjet dhe talentet e tyre, sepse fokusi i shkollës është gjithë përfshirja, thelbi i shkollës është integrimi dhe përgatitja për jetën dhe këta fëmijë duhet të përgatiten për jetën”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Për të ngritur më tej cilësinë e arsimit për këta nxënës, Ministrja Manastirliu tha se mësuesit e arsimit special do të përfitojnë jo vetëm nga rritja e pagës së mësuesve që do të shkojë 950 euro në korrik, por veçanërisht mësuesit ndihmës do të mbështeten me programe të trajnimit për të rritur profesionalizmin dhe efikasitetin e tyre
“Ju, jo vetëm që do të kemi mbështetje, nëpërmjet rritjes së pagave si për të gjithë mësuesit e tjerë, por nga ana tjetër do të mbështeteni edhe me trajnimet specifike dhe me edukimin në vazhdim, sipas një sistemi të ri të karrierës, brenda sistemit arsimor, nëpërmjet kualifikimeve, mbështetjes së avancuar në vite të ndryshme të karrierës suaj. Në shkollat speciale dhe në shkollat në tërësi, të cilat mbështesin nxënësit me aftësi speciale, ne do t’i riorganizojmë nëpërmjet një tjetër instrumenti që shumë shpejt do ta jetësojmë, që është pikërisht transformimi i shkollave speciale në qendra burimore.”, tha Ministrja Manastirliu.
Synimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është krijimi i një mjedisi arsimor që respekton dhe përkrah çdo fëmijë, duke iu mundësuar atyre të arsimohen, të integrohen dhe të kontribuojnë në shoqëri.
Kaltra Tafani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tirana mban rekord për numrin më të lartë të analfabetëve në Shqipëri
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri
Buxheti 2025 për arsimin dhe sportin rritet me +18%