“Disa ngërçe dhe zgjidhje në realitetin e arsimit të sotëm”, nga Evans Drishti
“A do bëheni një ‘robot’ i hendekut të vendit dhe kohës apo kërkues i risive transformuese?”, -kështu pyet mësuesi ynë bashkëpunëtor, Evans Drishti në fund të shkrimit të tij të radhës, nëpërmjet të cilit trajton disa ngërçe e çështje të arsimit ndërsa sugjeron edhe disa zgjidhje.
-“Nxënia” tek të rinjtë, gjithnjë në rënie.
Për çfarë vjen një “nxënës” në shkollë?
Për të dëgjuar, për të kuptuar, për të analizuar, për t’u aftësuar në të shpjeguar, për të lexuar, për t\u ushtruar, për t’u zhvilluar, për t’u integruar… Pra, vjen për të “nxënë”.
12 faqe të detajuara për jetën dhe veprën e një autori, nga të cilat vetëm pak rreshta mund “t’u shërbejë” nxënëse si çështje referuese. Çfarë shkaktojnë këto faqe të shumta? Një turbullirë, një konfuzion, një marramendje, një çrregullim, një ç’ekuilibrim…
Për çfarë? Jo për tërheqje vëmendjeje, por për distancim, jo për përqendrim, por për shpërqendrim, jo për nxitje drejt një leximi të drejtuar, por për stepje dhe distancim nga teksti i ofruar…
Çfarë bën mësimdhënësi në këtë rast?...
- Ose bën ca shpjegime “të shkurtra” me idenë e ofrimit të thelbësores;
- Ose shpjegon vetëm një aspekt të materialit, si qasje orientuese;
- Ose bën nënvizime të pjesëve kyçe në fraza apo paragrafë;
- Ose ofron ca orientime rreth më të “rëndësishmes”;
- Ose shënjon disa të dhëna konkretizuese si për orientim dhe referim;
- Ose bën një shpjegim të detajuar të materialit duke kaluar edhe në një “bezdisje” për nxënësit;
- Ose i vë nxënësit në lexime, si një mundësi e tyre për t’u integruar në tekst;
- Ose ose…
Ç’mund të bëhet?...
- Më shumë fragmente të ndryshme me analiza konkrete do përbënin një referues të qartë për çdo natyrë nxënësi.
- Më shumë ushtrime orientuese për tekstet letrare të bazuara kryesisht në formatin e provimit të maturës shtetërore do sillnin një lehtësim të punës studimore të nxënësve…
- Më shumë disiplina teknike e praktike që specifikojnë një analizë të qartë e të kuptueshme të një teksti.
- Më shumë orë në dispozicion për praktikën e “ese”ve, ku nxënësit të gjejnë mundësinë e të shprehurit në bazë të standarteve.
- Më shumë hapësira për “tekstet joletrare”, hapësirë e munguar kjo, si një pjesë e qenësishme e provimit të maturës shtetërore.
- Më shumë shpjegime dhe arsyetime rreth përdorimit të saktë të gjuhës sonë të vyer shqipe dhe përdorimit të rregullt të fjalës dhe frazave në shqipen tonë të bukur.
- Më shumë hapësira digjitalizuese, ku orientimet jepen të menjëhershme, konkrete, esenciale. të variacioneve të ndryshme, e mbi të gjitha ku nxënësi shfaqet një “menaxhues” i suksesshëm jo vetëm i materialit, por edhe i kohës në tërësinë e saj.
- “Robotizmi” i arsimtarit të sotëm nga shkresat zyrtare.
Disa orë proces përgatitor për një orë mësimore, një orë ditari, një orë përgatitje e materialeve mësimore, një orë regjistri dhe SMIP, një orë hulumtime, analiza, korrigjime të punëve me shkrim… (regjistri personal, regjistri zyrtar, SMIP, ditari, punët me shkrim, lista nxënësish në klasa paralele, lista notash…)
A e mendoni të lehtë përgatitjen për një orë mësimore?
Nëse e mendoni të tillë, gaboheni.
Pse?...
- Një profesionist lexon, kupton, shtjellon, analizon, interpreton, kontrollon, gjykon, hulumton, koncepton, integron… Çfarë? Tekstin e dhënë në libër… ;
- Një profesionist fokusohet në shembujt konkretizues për ta qartësuar më së miri tematikën e ofruar;
- Një profesionist ofron një analizë efikase nëpërmjet fjalëve dhe frazave kyçe duke nxjerrë në pah kontekstet përkatëse;
- Një profesionist i jep rëndësi punës së pavarur, si një mundësi zhvillimi më koncize dhe aspiruese;
- Një profesionist kërkon dhe hulumton për temën në fjalë për të ofruar të dhëna frymëzuese për natyrat e nxënësve;
- Një profesionist e asgjëson rutinën e përditshmërisë me risitë që sjell gjatë procesit, materiale të ndryshme si: në ekran, në fletë, në karton…
- Një profesionist integrohet në jetën sociale e kulturore të vendit për të zgjeruar më shumë vizionet dhe botëkuptimet e veta;
- Një profesionist s’ngelet i kufizuar vetëm në profesionin e tij, por këmbëngul në ofrimin e kontributeve në fusha të tjera të jetës;
- Një profesionist s’mund të mjaftohet vetëm me marrjen e një “diplome” si për ta bindur “veten” dhe “tjetrin” se është “i plotësuar”;
- Një profesionist ndërton strategji për të kuptuar se ku e sheh veten pas pesë, dhjetë, njëzet e apo edhe më shumë vitesh…
Ndërkaq:
- Një profesionist “detyrohet” të marrë nga koha e tij e vyer për tu marrë me plotësimet e një dokumentacioni të zvarritshim.
- Një profesionist “detyrohet” të përgatisë listat emërore për çdo faqe regjistri si për regjistrin zyrtar ashtu edhe për regjistrin personal.
- Një profesionist “detyrohet” të shpenzojë orë të tëra për plotësimin e shkresave “të ndryshme”…
- Një profesionist “detyrohet” të studiojë, të kuptojë, të mirëmenaxhojë, të kujdeset për hedhjen e aq shumë të dhënave në formatin “SMIP”…
- Një profesionist detyrohet “të menaxhojë” realitete të paimagjinueshme të natyrave njerëzore si në mesin e nxënësve ashtu edhe në mesin e kolektivit, madje edhe tek vetë drejtuesit, ndërkohë që shumë mirë është dhe duhet të funksionojë një “komision i etikës” për zgjidhjen e ngërçeve në të tilla raporte…
- Një profesionist detyrohet të krijojë “balanca” mes angazhimeve rutinë të përditshmërisë dhe angazhimeve që sjellin zhvillimin profesional dhe intelektual të vetes së tij përtej institucionit.
Pasi një profesionist duhet të marrë pjesë në: seminare, konferenca, simpoziume, trajnime, takime, ekspedita …
A nuk përbën ky një proces “robotik” në të cilën detyrohet të përfshihet arsimtari i sotëm me idenë për t’u afirmuar dhe për t’iu përshtatur “sistemit”?...
A nuk do ishte më produktive punësimi i profesionistëve të posaçëm që merren me përgatitjet e këtyre dokumentacioneve?
Një gjë e tillë:
E kthjellon edhe më shumë arsimtarin;
I mundëson hapësira të mjaftueshme për integrimin dhe zhvillimin e tij profesional ;
I ofron kushte më të favorshme për zhvillimin e një procesi edukativ sa më efikas;
E qartëson më mirë në objektivat që i duhet të realizojë;
I jep kohën e mjaftueshme për realizimin e shumë leximeve të domosdoshme për zhvillimin dhe aspirimin e tij në hapat e mëtejshëm;
E obligon të tregohet më hulumtues për zhvillimin profesional vetjak;
I çel dritare të reja për këndvështrime dhe botëkuptime të larmishme për fushën ku specializohet…
A do bëheni një “robot” i hendekut të vendit dhe kohës apo “kërkues” i risive transformuese?…
Kërkoni përgjigje? E gjeni në natyrën tuaj!...
Shkruar nga Evans Drishti
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Konfliktet në adoleshencë në ambientet shkollore, një studim nga Msc.Oriana Osmani