Dhurata Kasa: Nuk ka njerëz më të guximshëm se MËSUESIT!
Askush më mirë se ne nuk e prek realitetin tonë me frymë e zë, por pavarësisht ne luftojmë që të gjithëve jeta t'u bëhet më e bukur, më e dashur, më e lehtë. Prandaj ne jemi të guximshëm se u ofrojmë nxënësve më shumë dashuri një jetë që për ta mbetet më e bukura.
Nuk do flas me fjalë të mëdha, as me super lativa, do qartësoj thjesht disa realitete!
Mësuesit kanë mbajtur barrën e shoqërisë jo vetëm sot, në këtë kohë të jashtëzakonshme, por që në lashtësi e deri sa bota u bë!
Por këtë e tërë bota e kuptoi dhe përforcoi më shumë në kohën e pandemisë. Fillimisht erdhi përshtatja me mësimin online, e më pas trauma e prindërve kur kuptuan vërtet çdo të thotë të mësosh fëmijët. Deri para kësaj, puna e mësuesit nuk kuptohej në thellësinë e saj, kishte një barrierë mes asaj çfarë ndodhte në klasë e gjendjes në shtëpi. Gjatë kovidit barriera u thye, prindërit panë, dëgjuan, asistuan në angazhimin online të vetë fëmijëve të tyre. Për asnjë çast puna e mësuesit nuk ndaloi, nga ana tjetër për herë të parë prindërit prekën mësimin online, dëgjuan live bashkëpunimin e fëmijëve të tyre me mësuesit. Pas saj erdhi pjesa më e vështirë, menaxhimi i kohës së fëmijëve, të mbyllur. Ndaj mësimi ishte ilaçi dhe fuqia energjike që i mbajti ata në një jetë aktive brenda mureve. Kjo buroi dhe u realizua nga armata e madhe e mësuesve, nga fuqia dhe inteligjenca e tyre intelektuale. Me një lap-top mësuesi në kushte të vështira teknike, mbase edhe të panjohura ofroi zërin e tij në video, audio apo mësime me regjistrim duke i punuar vetë, kështu ata u bënë shembull i sfidës së situatave pa rrugëdalje, dhe një shembull frymëzimi për të gjithë. Nxënësit punuan, ndërkohë prindërit mësuan se çfarë fuqie është shkolla. Mësuesit nuk e lanë njerëzimin të bjerë nën letargjinë e kovidit, por bënë që kovidi vetëm arsimin të mos e ndali dot.
Për 3 muaj gjithçka ndaloi, ekonomia, turizmi, bujqësia, transporti, arti, shkenca, të gjitha pushuan së vepruari ndërsa fëmijët, nxënësit, studentët, jo! E kjo, falë energjisë së mësuesve që nuk shteron, ketyre heronjve të heshtur.
Edhe sot në ditën e fundit shikoj përgatitjet si në një ditë normale. Me plane të dorëzuara, lista nxënësish të përfunduara e klasa të sistemuara. Mësuesit të heshtur, të palodhur, të shpejtë në zbatimin e udhëzimeve të drejtuesve të shkollave shumë pozitive e komunikuese (përvoja e shkollës sime), po realizojnë në një situatë tepër të vështirë një proces normal si çdo shtator.
Po ata nuk kanë frikë nga COVID-19? Sigurisht që po, por ata kanë një as nën mëngë që ua ka ushqyer profesioni, GUXIMIN!
Ne guxojmë në reformimin e një mentaliteti të vazhdueshëm çdo ditë sepse u japim dije në çdo kohë të gjithë faktorëve të dëshiruar ose jo, sepse kjo për ne është mision.
Ne bëjmë mësim me çdo nxënës duke unifikuar problemet e tyre sociale dhe ekonomike në emër të barazisë dhe humanizmit. Askush më mirë se ne nuk e prek realitetin tonë me frymë e zë, por pavarësisht ne luftojmë që të gjithëve jeta t'u bëhet më e bukur, më e dashur, më e lehtë. Prandaj ne jemi të guximshëm se u ofrojmë nxënësve më shumë dashuri një jetë që për ta mbetet më e bukura.
Mbase jemi me fat!
Suksese o GUXIMTARË!
Nga Dhurata Kasa
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Rolet gjinore në familje
Një mësues mund të ndryshojë botën