OPINION

Dhuna ndaj fëmijëve shpreh edhe dobësi në punën e shkollës - Fran Gjoka

Në anketat e hapura dhe ato të mbyllura, të bëra në 550 shkolla të vendit, rezulton se numrin më të madh të nxënësve të dhunuar e përbëjnë ata që viktimizohen psikologjikisht.

Realisht ka përmirësime në sistemin e punës së shkollës dhe aktorëve të tjerë, që kanë për mision kultivimin e vlerave pozitive në grupmoshat shkollore. Ato shfaqen dukshëm edhe në përmirësimin e raporteve njerëzore mes palëve mësues- nxënës, nxënës – prind, nxënës – nxënës, në uljen e shkallës së agresivitetit në raportet e ndërsjella, në një klimë më të butë në marrëdhëniet mes grupeve të interesit për arsimimin dhe edukimin e brezit të ri me normat morale të një shoqërie demokratike dhe të hapur, në një mënyrë sjellje më civile për zgjidhjen e konflikteve në shkollë e jashtë saj, në zbritjen e rasteve të përdorimit të dhunës fizike e  emocionale në institucionet e edukimit etj. Siç duket, këtu ka ndikuar edhe përpjekja e shoqërisë për emancipim e qytetari si dhe masat e marra kohët e fundit nga MAS-i për vlerësimin e situatës dhe ndjekjen hap pas hapi të problemit nga strukturat drejtuese të saj. 


Gjithsesi, në shkolla dhe mjedise familjare, ka ende dhunë, mungesë kompromisi në zgjidhjen e konflikteve dhe të mosmarrëveshjeve, shfaqje të theksuar të intolerancës në komunikim, agresivitet etj. Shoqëria shqiptare vazhdon të mbetet ende në një nivel minimal të jetesës e të sigurisë. E bashkë me prindërit mbetën edhe fëmijët shqiptarë, të cilët ndihen të dhunuar si në familje ashtu edhe në shkolla. Një studim i fundit UNICEF raporton aktualisht nivele të larta të dhunës fizike e verbale, kryesisht tek nxënësit e arsimit 9-vjeçar. Në pamundësi për të parë problemin në një plan të gjerë, pasi të tilla janë hapësirat e një shkrimi, ne po i referohemi problemit vetëm në shkolla e në mjediset ku jetojnë e kalojnë kohën nxënësit dhe adoleshentët.



Kur mësuesi mund të dhunojë nxënësin, në çfarë situatash?


Në anketat e hapura dhe ato të mbyllura, të bëra në disa shkolla të  vendit, rezulton se numrin më të madh të nxënësve të dhunuar e përbëjnë ata që viktimizohen psikologjikisht. Siç duket,  rënia e numrit të ushtrimit të dhunës fizike ndaj kësaj kategorie nxënësish lidhet edhe me intensitetin e punës dhe masat që po merr kohët e fundit MAS –i  për sensibilizimin e opinionit dhe parandalimin e fenomenit, puna e specializuar e psikologëve në shkolla, një përpjekje që duhet vazhduar e thelluar edhe në të ardhmen dhe jo të veprohet me fushata, siç kemi vepruar ne shqiptarët në tërësi dhe drejtuesit e shkollave e mësuesit në veçanti.

Ajo që shfaqet dukshëm në mësim mbetet dhuna psikologjike. Së paku, kështu shprehen nxënësit dhe ky është edhe konkluzioni ynë. Ushtruesit janë mësuesit ndaj nxënësit. Ndërsa jashtë shkollës, në kohën e lirë ose në veprimtari vetorganizuese të nxënësve, ata që ushtrojnë dhunë psikologjike (jo vetëm psikologjike), janë nxënësit kundër nxënësve. Fatkeqësisht ushtruesit e dhunës, mësuesit, grupet e nxënësve dhe individët, siç tregojnë të dhënat, i referohen prejardhjes së “viktimës”, origjinës së tij, shkallës së intelektit, dobësive që mbart në përvetësimin e programit mësimor, që më së shumti lidhen me nivelin e punës së dobët të shkollës nga ata kanë ardhur se sa nga niveli intelektual i tyre, nga paraqitja e jashtme etj. Shikojmë edhe anën tjetër të medaljes: mësuesit që po ndjehen të shqetësuar në shpjegimin e mësimit, ku nxënësit, pavarësisht paralajmërimeve që mësuesi u bën, vazhdon të prishë qetësinë e orës së mësimit. Ndodh që mësuesi humbet durimin dhe në një moment nervozizmi reagon, duke u sjellë dhunshëm ndaj fëmijëve dhe të rinjve. 



Anketimi në fjalë (i fundit deri më tani) u shtri 550 shkolla të vendit, ku fëmijët janë pyetur me metodën ballë për ballë duke ruajtur autonimatin e secilit prej tyre. Studimi tregon më në detaj se niveli më i lartë i dhunës është në zona urbane. Më konkretisht, 55.6% e fëmijëve e pranojnë se janë dhunuar nga mësuesit e tyre


Sa i përket qyteteve në nivelin më të lartë të dhunës renditet Shkodra dhe Vlora, ku 64 % e nxënësve kanë treguar se janë dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga mësuesit e tyre. Megjithatë përballë kësaj situate raportohen dhe shifra pozitive, ku 640 mijë nxënës janë në dijeni të mënyrave të reja të disiplinimit dhe rreth 500 mijë prindër arrijnë të flasin me fëmijët e tyre  për format e ndryshme të dhunës. Nxënësit e anketuar  pranojnë se fyhen dhe ndjehen keq nga fjala që ju drejtojnë atyre mësuesit ose shokët e shoqet e tyre, që e kanë burimin tek origjina si: katundarë, malok, etj. 


Fëmijët nëpërkëmben emocionalisht nga shokët e mësuesit me fjalë të tilla, që lidhen me moshën psikologjike të tyre, si: gojëkyçur, i/e trashë etj. dhe një pjesë e konsiderueshme e nxënësve dhunohen emocionalisht me fjalët e shprehjet që lidhen me të metat fizike, një fatkeqësi e lindur ose e fituar, që askush nuk do ta dëshironte, si: veshëllapush, i/e shpifur, qurravec, trashaluq etj. 



Po të shihet me kujdes dukuria, dalim në përfundimin se shumë evidente është dhuna psikologjike, disi e fshehtë, që ushtrohet nga shkolla ndaj nxënësve të ardhur nga zona rurale dhe që janë ngulur përgjithmonë për të banuar në zonat ku vepron institucioni. Mendimi ynë, i shprehur edhe nga nxënësit, është se ajo, tek kjo kategori fëmijësh, shfaqet me frekuencë më të lartë në këto dy raste: me formën e përjashtimit dhe vetëpërjashtimit nga jeta e shkollës e këtyre nxënësve. Një veprim i tillë fatkeqësisht nxitet edhe nga mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tyre, ndërsa drejtoritë e shkollave dhe strukturat drejtuese të nxënësve, që duhet të mbrojnë liritë dhe të drejtat e shokëve dhe shoqeve, heshtin. Në situata të tilla përjashtuese dhe vetëpërjashtuese, kjo kategori nxënësish nuk vetëpëlqehet, nuk vetëvlerësohet, nuk shihet e sigurt. Rrjedhimisht stresohet dhe nuk fiton aftësinë e integrimit në mjedisin e ri, çka do të thotë se dhuna emocionale do të vazhdohet të thellohet mbi ta. Në formën e paragjykimit dhe të një qëndrimi disi indiferent dhe pse kjo edhe përbuzës ndaj këtyre nxënësve që kanë edhe probleme ekonomike dhe të formimit kulturor. 


Për këto dy probleme unikale të formimit dhe të bashkëjetesës qytetare, i takon shkollës që të krijojë mjedise e frymë bashkëpunimi e bashkëveprimi me te gjitha grupet sociale, që formojnë kolektivin, në të kundërtën rezultatet e pritshme nuk arrihen, objektivat nuk përmbushen dhe reformimi i shkollës kompromentohet.

Cilët mësues ushtrojnë më shumë dhunë dhe pse?


Nga të dhënat del që mësuesit që ushtrojnë më shumë dhunë janë ata me eksperiencë të vogël në punë, që kanë mungesë përvojeqë nuk i zotërojnë emocionet, që nuk i njohin format e komunikimit dhe psikologjinë e grupit, sidomos raportin mes moshës kronologjike me atë psikologjike dhe që në një farë mënyre nuk janë të formuar ende si edukatorë. Për këtë kanë përgjegjësi edhe fakultetet përkatëse, që përgatisin punonjës pedagogjik, të cilët nuk e vlerësojnë formimin e mësuesve të ardhshëm si edukatorë. Fatkeqësisht strukturat përkatëse te emërimit të tyre nuk mendojnë shumë për përgatitjen e tyre tek i emërojnë në shkolla pa përvojë dhe me kolektiva aspak të njohura për tregues në përgatitjen e nxënësve, ndaj nxënësit ankohen për mësuesit e rinj. Mësuesit e kësaj kategorie duhet të fillojnë punë në shkollat më me emër në qytet dhe në fshat dhe të jenë nën kujdesin e përhershëm për ndihmë e trajnim të kualifikuar për disa vite nga drejtuesit mësuesit dhe metodistët më të mirë që posedojnë Drejtoritë Rajonale Arsimore Prauniversitare si dhe Zyrat Arsimore në rrethe.


Në grupin e mësuesve që i dhunojnë më shumë nxënësit fizikisht dhe psikologjikisht janë dhe ata që kanë disa vite pune në arsim, por që kulturalisht dhe profesionalisht janë ende larg ritmit të zhvillimit të arsimit, teknikës, shkencës dhe zhvillimit të shoqërisë në tërësi. Boshllëqet në formimin e tyre shkencor e metodik, psikopedagogjik e social të tillë mësues përpiqen t’i mbulojnë me sharje e britma, duke iu hedhur fajin padrejtësisht nxënësve pas çdo kontrolli që u bëhet. Ata ose duhen trajnuar, ose një ditë duhen larguar, pasi breza nxënësish do të dalin pa bagazhin e domosdoshëm të njohurive për përballimin e kërkesave të tregut. 


Është edhe një kategori tjetër mësuesish që ushtrojnë dhunë për hir të një tradite të mbartur nga shkolla e sistemit komunist diktatorial dhe që shprehet hapur nga ata që mendojnë se dhunë ka edhe në parajsë, se sipas filozofisë popullore, druri ka dalë nga xheneti. Mësues të tillë nuk njohin modele alternative të sjelljes për disiplinimin e fëmijëve. Një pjesë e mësuesve janë shumë të ngarkuar fizikisht e psikologjikisht, kanë kaluar me ngarkesë dhe plot halle një jetë të tërë në arsim, tek kanë punuar me devotshmëri dhe kurrë s’janë shpërblyer nga shteti dhe shoqëria, komuniteti dhe institucionet e tjera të edukimit të asaj kohe, të gjitha këto kanë rritur tek ata nivelin e stresit dhe i ka çuar në shkarkimin padrejtësisht të tyre tek nxënësit. 



Në përfundim, duhet theksuar se nxënësit janë më të predispozuar për të denoncuar dhunën që ushtrojnë moshatarët dhe të rriturit ndaj tyre dhe pothuajse mungon dëshira për denoncim ndaj mësuesve dhunë ushtrues. Siç duket, kjo lidhet me frikën ndaj hakmarrjes dhe flet për atë që shoqëria e shkolla nuk janë ende demokratizuar e emancipuar dhe se tërë vëmendja e atyre që merren me arsimin dhe edukimin duhet përqendruar në gjetjen e mekanizmave të reja, që prodhojnë për shoqërinë e edukimin më shumë tolerancë e qytetari, emancipim e kompromis e që përjashtojnë hakmarrjen e frikën, dyfytyrësinë dhe cinizmin. Çdo politikë arsimore duhet të orientohet nga qëllime të tilla.



     NGA FRAN GJOKA, MËSUES DHE GAZETAR I NJOHUR SHQIPTAR 




(Portali Shkollor) 

2,661 Lexime
4 vjet më parë