Ese

“Dhe Medea zgjodhi…”

“Medea” është një nga tragjeditë më të bukura e më të fuqishme të Euripidit. Ajlin Zekthi, nxënëse në klasën e X-4 ka analizuar Medean si personazh. Sipas saj, Medea shfaq personalitete të ndryshme, por që në thelb takohen.

Medea është një personazh tepër kompleks. Në qenien e saj,  Euripidi përmblodhi karakteristika që bien në kontradiktë me njëra-tjetrën. Në faza të ndryshme të jetës së saj, Medea shfaq personalitete të ndryshme, por që në thelb takohen.


Si fillim,  Medea na paraqitet një femër e bukur dhe e mençur. Më pas ajo dashuron dhe ne shohim se si pasioni zë vendin më të madh në shpirtin e saj. Ajo bëhet nënë dhe sërish do me zjarr. Por, kur ajo tradhtohet, çdo ndjenjë dashurie mbizotërohet nga urrejtja e skajshme.


Shumë lexues e madje dhe kritikë të njohur letërsie e gjykojnë Medean si një personazh me dy fytyra e gati hipokrite. Ata besojnë se shpirti i saj ishte i dobët dhe ajo luhatej lehtësisht nga ngjarjet e momentit, duke shfaqur kështu personalitete të ndryshme, nën rrethana të ndryshme. Por kjo s’është e vërtetë. Medea është një personazh me karakter shumë të fortë. Ajo nuk lëkundet përpara vendimeve të saj. Rrethanat nuk munden kurrsesi të ndryshojnë atë që është rrënjosur thellë në zemrën e saj shumëfytyrëshe.


Që në fillim të veprës ajo na shfaqet si një femër pasionante. Ajo dashuroi një burrë me pasion, deshi fëmijët e saj  pa fund  dhe vrau pa limit. Ishte  kjo zemër prej “medeje”, që i bëri ndjenjat, mendimet e, për pasojë, veprimet e Medeas irracionale e aq të skajshme, sa shpesh arrinin në kundërshti.


Medea është një grua egoiste e krenare që nuk vë gjë mbi parimet e saj. Ajo dashuroi Jasonin dhe tradhtoi më të afërmit e saj për të. Ajo vendosi të hakmerrej mbi ish-bashkëshortin e saj tradhtar dhe nuk mendoi për pasojat. Ajo madje sakrifikoi edhe vetë fëmijët e saj dhe humbi kështu kaq shumë nga vetja, vetëm për të realizuar qëllimin e paracaktuar. Medea është një individ egoist, që nuk arrin të falë e nuk fiton dot mbi pasionin e saj. Sa fytyra mund të shohim në të… !


Por , pavarësisht të gjithave, Medea është një femër, një qenie njerëzore. Çdo njeri është mëkatar. Çdo njeri ka dobësi e pasione. Ne nuk duhet të nxitojmë për ta gjykuar, pa marrë parasysh çdo copëz që e shtyu atë të vepronte kështu. Ne duhet të kuptojmë se Medea ishte një grua e zgjuar dhe e aftë, por nën pozita shtypëse, për shkak të ligjeve e normave të kohës. Ajo tradhtohet nga më i shtrenjti i saj, mbrojtësi i saj dhe përballet me pamundësitë e gruas në Antikitet. Përmes revoltës së saj Euripidi kërkon të ngrejë krye mbi padrejtësitë dhe prandaj e shtyn drejt asaj forme të tmerrshme hakmarrjeje.


Medea-t nuk duhet t’i dënojmë pa i njohur. Ne kurrë nuk e dimë luftën, me të cilën çdo kush prej nesh përballet kur i cenon ato. Por, kjo s’do të thotë të legjetimojmë çdo lloj mëkati, në bazën e mungesës së perfeksionit njerëzor. Ne të gjithë kemi vullnetin tonë të lirë, kemi forcat tona, të cilat nuk janë kurrë më pak se ç’kërkohen. Gjithmonë mund të zgjedhim midis ruajtjes së shpirtit e humbjes së tij, me anë të krijimit të një fytyre tjetër.


Gjithmonë mund të zgjedhim midis së mirës e së keqes. Dhe Medea-t vazhdojnë të zgjedhin e të kërkojnë fytyrën e tyre në këtë kaotizëm global…!


(Ajlin Zekthi; klasa: X-4, shkolla e mesme “Ernest Koliqi”, Portali Shkollor)

51,236 Lexime
7 vjet më parë