“Detyrat m’i bën kompjuteri”, nxënësit përballë inteligjencës artificiale
Varësia nga Chat GPT-ja do të dekurajojë mendimin kritik dhe krijues. Përdoruesit do të priren të pranojnë përgjigjet e gjeneruara si të sakta pa verifikuar informacionin në mënyrë të pavarur. Zhvillimi i teknologjisë duhet të sjellë zhvillimin e shoqërisë, por në këtë rast ajo rrezikon të dëmtojë arsyen.
Me siguri keni dëgjuar muajt e fundit për Chat GPT-në, një program kompjuterik i cili mundëson kryerjen e detyrave për lëndë të ndryshme falë inteligjencës artificiale.
Të gjithëve na pëlqen ta lehtësojmë jetën tonë, të kursejmë kohë dhe të mos përballemi me presionin e angazhimeve që na ngarkohen, por sa e dëmton kjo zhvillimin intelektual?
FJALA është qeliza e komunikimit dhe e ndërtimit të marrëdhënieve shoqërore.
(Një gjë është të thuash “Ti nuk po më ndihmon.” e një gjë të thuash “Ndihma jote do të ishte e çmuar për mua në këtë çast”).
Imagjinoni një nxënës i cili ka për të shkruar një ese dhe e lehtëson veten nga kjo detyrë që kërkon hulumtim, mendim kritik, organizim, shprehi, e ulet të kërkojë “ndihmën” e Chat GPT-së. I gjithë procesi është vetëm një klik larg për të. Eseja shfaqet si me magji përpara syve.
Pyeteni veten se ç’ndodh me atë që e lë trurin në gjendje të fjetur?
Sa shumë kufizohet bota jonë kur kufizohen fjalët tona?
A jemi të aftë të emërtojmë atë që shohim dhe atë që ndiejmë? Kjo shkon përtej realizimit të detyrave.
Nga pikëpamja biologjike e zhvillimit të njeriut, leximi i rregullt, ndërveprimi verbal dhe me anë të shkrimit, mendimi dhe gjykimi i vazhdueshëm mbi materialin e lexuar, aktivizojnë regjione të trurit të cilat janë kritike për zhvillimin e intelektit. Largimi nga këto aktivitete i mban “në gjumë” këto regjione të trurit siç edhe vërtetohet nga studimet neurofunksionale.
Duke nisur nga fjala, e me tej duke e skalitur trurin tonë në format më të larta të shprehjes e të mendimit, ne fitojmë aftësinë e të qenit kritik e krijues. Mendimi kritik është mendimi që ka në thelb gjykimin mbi gjithçka që dëgjojmë apo lexojmë, dyshimin rreth asaj që na serviret si e vërtetë, e drejtë, e gabuar apo e gënjeshtërt. Merrni pak kohë dhe mendoni sa e dëmton zhvillimin intelektual të fëmijëve realizimi i detyrave nga inteligjenca artificiale, parë në jetëgjatësi?
Hidheni vështrimin tutje, pas dhjetë, njëzet, tridhjetë vjetësh. Gjeneratat e së ardhmes që do të udhëheqin botën, janë këta nxënës që ne i kemi sot në bankat e shkollës. Të mësuar me lehtësimin e me përftimin gati të gjithçkaje, të mësuar me anashkalimin e përgjegjësive dhe me shijimin e triumfit pa lodhje, a do të jenë ato të aftë intelektualisht apo do të kthehen në marionetat e një pushteti tjetër, ashtu siç po i nënshtrohen sot pushtetit të inteligjencës artificiale?
Varësia nga Chat GPT-ja do të dekurajojë mendimin kritik dhe krijues. Përdoruesit do të priren të pranojnë përgjigjet e gjeneruara si të sakta pa verifikuar informacionin në mënyrë të pavarur. Zhvillimi i teknologjisë duhet të sjellë zhvillimin e shoqërisë, por në këtë rast ajo rrezikon të dëmtojë thelbin e njeriut, arsyen.
Parë nga një qasje tjetër, po inteligjencën emocionale a e dëmton?
Izolimi pas kompjuterit/telefonit dhe përjetimi virtual i emocioneve ka zmadhuar largësinë e perceptimit shqisor. Shikimi sy më sy, prekja e duarve, përqafimi dhe të tjera veprime që shprehin të dëgjuarit e kujdesshëm, vlerësimin, besimin, dashurinë, mirëkuptimin etj., nuk përbëjnë më shqetësim për brezat e rinj. Ata nuk e kanë në vëmendje rëndësinë e afrimit social si pjesë e zhvillimit të aftësive njohëse të vetes dhe të tjetrit.
Nuk do të na duhet të presim gjatë për të parë ndikimet e pashlyeshme të përdorimit dendur të teknologjisë dhe veçanërisht të inteligjencës artificiale. Na takon neve të bëjmë më të mirën tonë për të ekuilibruar marrëdhëniet me teknologjinë si pjesë tashmë e pandarë e jetës sonë, por duke mbajtur parasysh gjithmonë rrezikun që mbart me vete.
Prindër e mësues, ndërtoni komunikim të shëndetshëm me fëmijët, nxitini të flasin pa droje, të lexojnë libra që i përshtaten interesave të tyre dhe gjeni strategji që t’i afroni me librin artistik. Jepuni rëndësi të veçantë diskutimeve, debateve dhe detyrave që nxisin të menduarin. Drejtoni sa më shumë pyetje që zbulojnë të kuptuarit dhe të menduarit, përfshijini në zgjidhje problemesh dhe ofrojini mbështetje.
Sfida që kemi përpara nuk është e lehtë, teknologjia do të vijojë të ofrojë gjithmonë e më shumë për ne, por le ta përdorim ne atë, jo ajo ne.
Shkroi, Irida Xhura
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Rolet gjinore në familje
Një mësues mund të ndryshojë botën