Datat e sezonit të vjeshtës
Sezoni i provimeve të vjeshtës për rreth 7000 maturantët që nuk mundën të kalojnë me sukses Maturën Shtetërore fillon me provimin e detyruar të Gjuhës së Huaj në datën 30 gusht.
Fillimi i muajit shtator shënon një shans të dytë për të gjithë maturantët që nuk mundën të kalojnë me sukses provimet e Maturës Shtetërore 2016.
Në një prononcim për median, Zv/Ministre e Arsimit, Nora Malaj theksoi se sezoni i vjeshtës për rreth 7 mijë maturantët, që nuk kaluan me sukses provimet e maturës shtetërore, do të nisë në 30 gusht me provimin e Gjuhës së Huaj me detyrim dhe do të mbyllet më 10 shtator me provimet me zgjedhje.
Maturantët që do kalojnë me sukses këto provime, do kenë të drejtën të konkurojnë në raundin e dytë të pranimeve në universitet.
“Janë rreth 7 mijë maturantë që rezultuan mbetës në provimet e maturës, pjesa dërrmuese e të cilëve janë nga shkollat profesionale. Për këta maturantë kalimi me sukses i këtyre provimeve do të thotë një shans i dytë për të garuar në universitet në mesin e muajit shtator, kur të nisë rundi i dytë i pranimeve për kuotat e mbetura bosh nga faza e parë”, citohet nga media Zv/ministrja e Arsimit, Malaj.
Përveç maturantëve mbetës në provimet e maturës, janë edhe rreth 1.500 maturantë që kanë ngelur gjatë vitit shkollor 2015-2016 në një apo dy lëndë. Këta të fundit duhet të japin provimet përkatëse në fund të gushtit që më pas të mund t’u nënshtrohen provimeve të maturës, duke e shpënë kështu numrin total në rreth 8.500 nxënës pakalues.
Datat e provimeve
Provimet e sezonit të dytë të Maturës shtetërore 2016 janë caktuar të fillojnë me provimin e detyruar të Gjuhës së Huaj në datën 30 gusht. Më pas do të vijojnë me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më datë 2 shtator. Katër ditë më pas, në 6 shtator, do të jetë provimi i Matematikës, ndërsa provimet e lëndëve me zgjedhje do të zhvillohen më 10 shtator.
Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje do të jenë me përgjigje alternative dhe do të vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 kërkesa do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 37 pikë. Secili provim do të zgjasë dy orë e 30 minuta.
Përsa i përket provimeve me zgjedhje, ato do të përmbajnë 20 pyetje, nga të cilat 10 do të jenë me përgjigje alternative dhe do të vlerësohen me 10 pikë, kurse 20 pyetje do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Koha që do të kenë maturantët në dispozicion për dy provimet me zgjedhje është 3 orë.
Sipas udhëzimit të Ministrisë të Arsimit dhe Sportit, provimet e maturës në sezonin e vjeshtës nisin në orën 10:00, ndërkohë që kandidatët që kanë vetëm një provim me zgjedhje hynë në orën11:30.
Në sezonin e dytë të Maturës shtetërore 2016 janë përcaktuar katër kategori që do të mund të marrin pjesë në provime. Në kategorinë e parë dhe të dytë janë maturantët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime në sezonin e parë të Maturës shtetërore, si dhe maturantët që rezultuan mbetës në vitin shkollor 2015-2016, por që kanë arritur t’i shlyejnë detyrimet para nisjes së provimeve të maturës.
Për kandidatët e kategorive të sipër përmendura është i vlefshëm Formulari A1 për dhënien e provimeve në këtë fazë të dytë.
Të drejtë për të hyrë në provimet e maturës e kanë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2016, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës shtetërore dhe për arsye të ndryshme nuk kanë plotësuar formularin A1Z. Ndërsa, në katëgorinë e katërt përfshihen kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm të ngritur nga MAS.
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri