Çfarë (s)lexuam nga reagimi i mësueses te fletorja e nxënësit
Sigurisht që mësuesit nuk janë vetëm zbatues-robotë të kurrikulës, por ndërtojnë edhe një raport emocional me nxënësit dhe referuar çfarë shkruhet në shumë komente online, kjo mësuese duhet të reagonte ndryshe. Dakord, por lind pyetja: Në ç’mënyrë? Çfarë supozohet t’i shkruajë mësuesja në fletore nxënësit?
Më 15 shtator, një ditë pas fillimit të shkollës, disa nxënësve të fillores, iu kërkua, gjithmonë nëse e marrim si të mirëqenë se ka ndodhur vërtet, që t’u përgjigjeshin dy pyetjeve për detyrat e klasës: “Ku i kalove pushimet verore?” dhe “Cilat ishin lojërat më të bukura për ty?”. Te pyetja e parë ka diçka që nuk shkon dhe vlen për t’u diskutuar, megjithatë diskutimi i debatit nëpër rrjete sociale u përqëndrua diku tjetër: Reagimi i mësueses. Siç mund ta shihni, përgjigjet e nxënësit/es janë “Unë pushimet verore i kalova në shtëpi” dhe “Unë nuk kisha asnjë lojë”. Mësuesja nga ana tjetër shkruan: “Përpiqu të shkruash brenda vijave të fletores!”. Të shumtë qenë njerëzit që e cilësuan mësuesen “si të pashpirt”, se ajo duhet “të reagojë”, se i “është përgjigjur shumë ftohtë fëmijës” etj. Për të kuptuar se gjithë debati po vlon në anën e gabuar, po paraqes në vijim një ndarje për secilën temë diskutimi.
KA NJË KURRIKUL – KA DISA KOMPETENCA
Kurrikula mësimore është e ndërtuar në bazë të kompetencave. Pra, çdo lëndë ka kompetencat e saj referuar klasave specifike. Në këtë rast, përmes të shkruarit, objektivi kryesor është që të testohen njohuritë drejtshkrimore dhe gramatikore të nxënësve si edhe të zhvillohen aftësitë e tyre në të shprehur. Shënimi i mësueses është mëse korrekt, për sa kohë i ka vënë në dukje nxënësit që të shkruajë brenda vijave të fletores.
MËSUESI LEXON MES SHKRONJAVE. QARTË, PO PASTAJ?
Sigurisht që mësuesit nuk janë vetëm zbatues-robotë të kurrikulës, por ndërtojnë (ose së paku duhet të ndërtojnë) edhe një raport emocional me nxënësit dhe referuar çfarë shkruhet në shumë komente online, kjo mësuese duhet të reagonte ndryshe. Dakord, por lind pyetja: Në ç’mënyrë? Çfarë supozohet t’i shkruajë mësuesja në fletore nxënësit?
EMPATI, PA DITUR PËR ÇFARË
Duket se ka një tendencë për të dramatizuar me ose pa vetëdije çdo situatë të ngjashme dhe për ta vendosur atë në një sfond, për të cilin duhet të na vijë me patjetër keq. Të qenurit empatikë është një ndjenjë që natyrisht lind kur je në brendësi të ngjarjes, ose së paku di mjaftueshëm detaje për ngjarjen. Po çfarë dimë ne për këtë rast? Shumë pak.
Në asnjë pjesë nuk kuptojmë se nxënësi është i trishtuar për faktin që i kaloi pushimet e verës në shtëpi. Ndoshta ai është shumë i lumtur, po themi, që më fund, duke qenë se i urren udhëtimet dhe ndërkohë prindërit i ngecën në Agra ku po vizitonin Taj Mahal pak para se të mbylleshin kufijtë në Indi, qëndroi me gjyshen në shtëpi. Kjo e gjitha është një supozim, patjetër, megjithatë detyra e mësipërme ka shumë skenarë të mundshëm. Një tjetër skenar është edhe tendenca e fëmijëve për t’i rënë shkurt gjërave sepse është e kuptueshme, ndonjëherë përtojnë të shkruajnë.
PËR ÇFARË DUHET TË FLASIM, POR S’PO FLASIM?!
Në gjithë këtë histori, siç e thashë më sipër, debati po ndodh në anën e gabuar, pra reagimi i mësueses dhe jo te vetë pyetja, e cila ndoshta nuk duhet të jetë më pjesë e kurrikulave mësimore, të paktën jo në këtë formë. “Çfarë bëre gjatë verës?” do të ishte një pyetje shumë herë më e përshtatshme sesa “Ku i kalove pushimet verore?” pasi jo pak familje, për arsye të ndryshme, nuk i kalojnë pushimet verore diku. Pyetja mund të vendosë në pozita inferioriteti fëmijët dhe një dukuri e tillë ndodh edhe për situata të tjera, për sa kohë formulimi i pyetjeve nuk është gjithëpërfshirës. Një tjetër shembull ilustrues janë detyrat ku nxënësve u kërkohet të përshkruajnë mamin dhe ta vizatojnë atë. Detyra nuk duket problematike, deri në momentin që duhet të kryhet nga një nxënës që nuk e ka mamin dhe ndoshta nuk e ka parë kurrë.
Mësimdhënia dhe teknikat e saj duhet të përditësohen vazhdimisht në mënyrë që të shmanget pozita e inferioritetit të cilën e përmenda më sipër, për sa kohë arsimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të mos përjashtojë me pyetje të tilla të ngjashme fëmijët me probleme socio-ekonomike, fëmijët me probleme në familje, fëmijët me një prind apo pa prindër ose ata me aftësi ndryshe.
Shkruar nga Sindi Salaj (anabelmagazine.com)
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Rolet gjinore në familje
Një mësues mund të ndryshojë botën