Çfarë do të thotë të jesh mësues në kohën e COVID-19?
Pavarësisht situatës ku gjendemi, të jesh mësues në kohën e COVID-19 do të thotë të jesh në një mision për dijen. Kështu janë përgjigjur një zëri ndjekësit tanë të Portalit Shkollor Albas në një prej temave të ditës, pyetur për realitetin aktual të punës së tyre të përditshme.
Heronj të heshtur përballë armikut të padukshëm; njerëz të sakrificës dhe të durimit për të punuar me turne e orë të zgjatura, me shpërblimin e vetëm për të çuar përpara misionin e tyre të dijes...të “dorëzuar” përballë fytyrave engjëllore të fëmijëve, të atyre vogëlushëve të pafajshëm edhe pse ndonjëherë të zhurmshëm...
Ju, mësues shqiptar po dini si të përballoni një tjetër vështirësi në mësimdhënie, vetëm e vetëm që të çoni përpara edukimin e brezave...
Në një temë diskutimi që ne hodhëm në faqen tonë zyrtare të Facebook, ku ju pyetëm se çfarë do të thoshte të jeni mësues në kohën e COVID-19, ishte tepër emocionuese të shihje që në komentet tuaja dominoi optimizmi, mos dorëzimi dhe shpresa se situata do të përmirësohet dhe se ne, mbase shumë shpejt, do t’i kthehemi normalitetit...
Këto janë disa nga mendimet tuaja, të përmbledhura si më poshtë rreth temës “Çfarë do të thotë për ju të jeni mësues në kohën e pandemisë Covid-19?”:
Adelina Olldashi: “Të harrosh se je në luftë me armikun e padukshem. Të hysh në klasë buzëqeshur. Të përqendrohesh maksimalisht në mësimdhënie në mënyrë që ato pak minuta nxënësit të kuptojnë materialin mësimor. Të kontrollosh çdo detyrë. Mundësisht të gjesh pak sekonda kohë të qeshësh të luash e të argëtosh nxënësit. E në fund të dy turneve mësimore të ndjehesh e lumtur që dhe sot ia dole, bëre maksimumin. Po sot fala dashuri dhe mora dashuri nga vogëlushët e mi”.
Sadik Shurdhi: “Një lodhje dhe stres i jashtëzakonshëm për mësuesit. Gjithsesi më mirë kështu sesa me një mësim online. E vetmja gjë që duhet të bëhet është vlerësimi për këta mësues.E meritojnë”.
Zhana Kembora: “Një vrapuese e dy garave të shkurtra që shkon klasë më klasë për të shpjeguar mësimin dhe që ndiqet nga tifozët nxënës të ulur në tribunën kryesore”.
Argesta Stergu: "Frikë nga infektimi me virusin dhe kënaqesi të punosh me ata fëmijë që janë vërtetë të përkushtuar, edhe në situatën që ndodhemi... ”
Arta Prenci: “Kur shoh nxënësit e mi që i shndrit fytyra kur unë hyjë në klasë, harroj që ekziston ky virus. Ata për mua janë gjthçka. Po shoh koleget e mija që punojnë në dy turne, kanë një lodhje të paparë. Punojnë e japin maksimumin e mundshëm tek nxënësit e tyre”.
Eneida Kasemi: “Kam gëzimin e jashtëzakonshëm që jemi në klasë së bashku me nxënësit. Mësimi me dy turne dukej shumë i vështirë, gati i pamenaxhueshëm. Por si çdo sfidë që kërkon vigjilencë dhe forca të reja, i përqendruam edhe një herë aftësitë tona duke u përshtatur. Tani hyri në rutinë edhe kjo mënyrë...çdo të ndodh me valën e pandemisë këtë nuk e dimë, por me mësimin po, këtë se lëshoka asnjë mësues si ushtari më besnik, por i panjohur në front”.
Alketa Dhana: “Të luftosh me mullinjtë e erës! Gjithsesi, kënaqësi të jesh pranë fëmijëve, në të gjitha kuptimet!”.
Balliu Lila: “Krijuam imunitet nga virusi, po vdesim nga maskat, i vëmë në 7 dhe i heqim në 3 dhe ndërkohë duhet të flasim dhe shpjegojmë gjithë kohën. Pjesa njerëzore kjo është...”
Gen Ta Genti-Ana: “Bëjmë detyrën si gjithmonë. Ka lodhje se punojmë me turne, por ama klasat me këtë numër nxënësish janë më të menaxhueshme dhe orët e mësimit gjithashtu. Orët 90 minuta janë të papërballueshme dhe klasat me mbi 35 nxënës”.
Luljeta Gerbi Goga: “Në këtë kohë pandemie mësuesit janë heronj, pasi sakrifikojnë që brezat të marrin dije shumë më shumë nga mësimi online që u zhvillua muaj më parë!”
Adela Kraja: “Ne jemi heronjtë e heshtur përballë ketij armiku të padukshëm të cilën po e sfidojmë me misionin tonë, duke mposhtur frikën, ankthin, përballë fytyrave engjëllore të fëmijëve, të cilët duket sikur luten për ne. Besoj se do ia dalim dhe kësaj sfide”.
Edlira Kapllanaj: “Të rris vigjilencën, kujdesin dhe shpirtin luftarak! Dhe si të tillë duhet vëmendje e madhe nga shteti për motivimin tonë”.
Valbona Ponari Doçi: “Të jesh lavjerrës i kohës dhe startit të përhershëm nga ora 07:30 deri në orën 14:55 duke qenë përgjegjës për mësimin, shëndetin dhe higjienën e nxënësve. Uroj që të mos kemi probleme shëndetësore ne dhe nxënësit”.
Lumnie Tota Shehu: “Kur je përballë atyre fytyrave engjëllore nuk duket asgjë e vështirë! Çdo vështirësi harrohet dhe do t'i kthehemi normalitetit. Sakrificë dhe durim”.
Gjimnazi Muhamer Janina: “Pikërisht këtu, NE, mesuesit, e kalojmë kufirin e profesionit; mësimdhënia kthehet në mision. Nëse NE, mësuesit, nuk jemi në klasë me nxënësit, fëmijët online mbeten pa mësuar. Sakrificë e domosdoshme”.
Aleksandra Arapi Velaj: “Sakrificë, përqendrim...dashuri, buzëqeshje ...por dhe përkushtim...të sfidosh të keqen është kënaqësi më e madhe ...dhe në mundësi...më mirë në klasë, aty nxënës e mësues, jemi vetvetja”.
Eliberta Themeli Ziu: “Nga ora 08.00 deri në 15:00, por jemi në këtë situatë dhe duhet të jemi pjesë e zgjidhjes së saj, jo ta rëndojmë duke u ankuar çdo ditë!”
Sanije Furrxhiu: “Punë me pasion dhe me shumë përgjegjësi”.
Albion Vogli: “Të kesh aftësinë për të ndërtuar, ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet në organizimin e procesit mësimor”.
Merlin Loren: “Punë me pasion dhe dashuri, kur ka pasion harrohet rreziku, por kujdesi qëndron”.
Albaana Hidaa: “Një betejë sfiduese, e lodhshme por mbi të gjitha me shumë dashuri dhe plotë buzëqeshje, duke i transmetuar atyre pozitivitet që do ja dalim. Heronjtë e dijes nuk mposhten”.
Hane Hoxha: “Kënaqësi përballë fytyrave engjëllore të klasës së parë. Nuk ndjen lodhje as frikë nga armiku i padukshëm”.
Ola Edjola: “Sfidë dhe dashuri për profesionin njëkohësisht”.
Mikail Dumullaku: “Përgjegjësi dhe kujdes maksimal”.
Saimir Muca: “Sfidë e cila ka nis startin është gjithmonë në garë për të arrit finishin”.
Geraldo Ibrahimi: “Punë, pasion dhe dashuri”.
Lejda Enkelejda Lejda: “Një garuese e mirë që fillon në start dhe arrin në finish”.
Arjan Mancellari: “Sfidë, dashuri, mision”.
Taulant Xhemollari: “Stoik përballë pandemisë...”
Gena Kernaja: “Asgjë nuk është e pamundur...Sfidë dhe dashuri për profesionin njëkohësisht...”.
Aleksandra Veizi: “Lutemi ta kalojmë sa më lehtë, sepse mësimi online ka shumë vështirësi”.
Manuela Budakova: “Përgjegjësi të shumëfishuar”.
Gentiana Germana Lulgjuraj: “Një sfidë që po e përballojmë”.
Ela Frensis: “Sakrificë...”
Por për disa mësues të tjerë, të jesh mësues në këtë kohë pandemie do të thotë të jetosh në presionin e frikës dhe të stresit; ka patjetër lodhje fizike dhe mendore. Të tjerë janë shprehur se ndihen të pavlerësuar për punën që bëjnë:
Ejona Loce: “Stres, frikë”.
Elson Malaj: “Do të thotë të ngrihen zërat që mësimi të kaloj me kohë të plotë”.
Lauresha Tafa Dylgjeri: “Lodhje fizike dhe mendore”.
Hadri Veli: “Stërmundim shpeshherë stres i pashpjegueshëm dhe mbi të gjitha ankth panik dhe frikë. Zoti qoftë me nxënësit tanë dhe me ne”.
Voltisa Turkeshi: “Një kavie”.
Diana Mitraku: “Mua nxënësit e klasave të gjashta nuk më njohin fytyrën........ si mund të bësh mësim pa të parë nxënesi në po buzëqesh, çfarë është një mësues në këtë rast? Një dorë që shkruan në tabelë? Një robot që vetështyp një buton”.
Mema Ajni: “Përkushtim dhe stërmundim për mësuesit dhe boshllëqet që krijohen te nxënësit me mësimet online”.
Eniketa A. Hajdari: “Të shfrytëzuar në maksimum dhe të pavlerësuar!”.
Saimir Gazdeda: “Sakrificë për një të ardhme të sigurt larg mashtrimit”.
Art Art Art: “Të luftosh me vdekjen çdo ditë e të mos kesh shpresë për asgjë”.
Përgatiti për publikim Nanila Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Datat se kur do të bëhet zëvendësimi i orëve mësimore të humbura në muajin janar
“Njeriu lind i lirë, por kurdo ai është në pranga”
Roli i drejtorit në zhvillimin profesional të mësuesit