Librat dhe fëmijët ndryshojnë....

Çfarë diference ka midis një fëmije e një libri?

Në libra ndodhin shumë gjëra të çuditshme. Po ju e dini se fëmijët jetojnë çdo ditë mes gjërave të çuditshme. Dhe së bashku fëmijë e libra bëjnë që çudirat të mos struken nëpër qoshkat e ëndrrave po të zbresin në lëndinat e mendimeve.

Çfarë diference ka midis një fëmije e një libri? 


Ka fëmijë të brishtë e të shëndoshë, të thatë e dembelë, të hollë e të fortë…Edhe librat janë të shëndoshë, të brishtë me faqe të lëmuara që duan kujdes, me fletë të forta si gjethet e plepit....! 

Çdo fëmijë ka karakterin e tij…Edhe librat. I keni parë se sa të çuditshëm që janë?

Librat janë të ndryshëm. Nuk ka dy libra njësoj. Edhe fëmijët janë të ndryshëm. Pse a ka dy fëmijë njësoj? Edhe binjakët që duken njësoj, përsëri dëshirat i kanë të ndryshme...dhe jo vetëm dëshirat. 

Fëmijëve nuk u pëlqen të lajnë veshët….As librave nuk u pëlqen të lahen. 

Epo në fakt, librave u pëlqen të rrinë pranë njëri tjetrit, bëjnë miqësi mes tyre, një pas një.

Edhe fëmijëve u pëlqen të rrinë pranë njëri-tjetrit dhe të jenë shokë e miq.  

Librat kanë emër…Fëmijët zakonisht kanë emër dhe mbiemër.

Fëmijët kanë bosht kurrizor dhe vertebra… librat kanë vetëm një bosht, por ama rrinë mirë edhe ashtu! 

Librat kanë kapituj, fëmijët kanë motra e vëllezër.  

Librat i ndajnë rrëfenjat e tyre me tërë fëmijët. Fëmijët i ndajnë librat e tyre me tërë shokët.  

Fëmijët janë edhe bijtë e dikujt. Edhe librat dikush i ka sjellë në jetë. Ehhh kështu është bota.  

Fëmijëve zakonisht u pëlqejnë librat me ngjyra….Librave u pëlqejnë fëmijët e të gjitha ngjyrave.   

Librat janë njësoj, si për vajzat ashtu edhe për djemtë. Fëmijët luajnë njësoj me vajza e me djem. 

Në libra ndodhin shumë gjëra të çuditshme.  Po ju e dini se fëmijët jetojnë çdo ditë mes gjërave të çuditshme.  Dhe së bashku fëmijë e libra bëjnë që çudirat të mos struken nëpër qoshkat e ëndrrave po të zbresin në lëndinat e mendimeve. 

Librat dhe fëmijët ndryshojnë....eeee, tani, nëse je një fëmijë që po e lexon vazhdoje  vetë...boll me gjëra të gatshme...e nëse je një mësues, vëri nxënësit ta vazhdojnë....

Je një prind?- Atëherë bëj atë që duhet të bëjë një prind...


(Natasha Poroçani, Portali Shkollor)

2,653 Lexime
6 vjet më parë