Burhan Beqiri: Për një qasje dhe komunikim të dyanshëm të dobishëm mësues-prind
Roli i mësimdhënësit bart përgjegjësinë dhe detyrimin e edukimit dhe arsimimit të gjeneratave. Por edhe prindërit duhet të interesohen dhe përkushtohen vazhdimisht për fëmijët e tyre, dhe duhet të marrin parasysh sugjerimet dhe këshillat që mësimdhënësit ua ofrojnë atyre. Suksesi arrihet bashkërisht.
T’i vlerësojmë prindërit, ata janë aset i pakontestueshëm dhe meritor për çfarëdo suksesi që mund të arrihet!
Prindërit, të cilët njëmend interesohen për fëmijët e tyre dhe të njëjtit e shprehin atë interesim përmes ardhjes në shkollë dhe bashkëbisedimit me mësimdhënës në lidhje me performancën e fëmijëve të tyre, duhet medoemos të vlerësohen. Ata duhet të largohen nga shkolla me informacione dhe mësime të dobishme se si të veprojnë në shtëpi me fëmijët e tyre, e kurrsesi të dalin të zhgënjyer me faktin e ardhjes në shkollë dhe shprehjes së atij interesimi.
Frustrimi që iu ndodh atyre si rezultat i një qasjeje dhe komunikimi jo të duhur, mund të shpjerë deri te heqja dorë nga prindërimi i tyre i cili shkon në interes të mësimit dhe lehtësimit të punës sonë si mësimdhënës!
Fatkeqësisht, sot prindërit nxitojnë të ikin nga shkolla, mbase disa as që duken fare në shkollë, për arsye se të njëjtit “bombardohen” nga kritika, vërejtje e qortime gjatë bisedës me mësimdhënës. Ç’është më keq, ata rrallëherë marrin udhëzime specifike se si t’u qasen fëmijëve të tyre me qëllim të përmirësimit të tyre qoftë në aspektin e sjelljes, e po ashtu edhe në atë të arritjes së rezultateve më të larta.
Roli i mësimdhënësit duhet të jetë i qartë për secilin që mbi supet e tij/saja bart përgjegjësinë dhe detyrimin e edukimit dhe arsimimit të gjeneratave! Në të njëjtën kohë, prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se fëmijët e tyre janë prioritet, janë më të rëndësishmit për ta.
Këtë, ata duhet ta dëshmojnë përmes interesimit dhe përkushtimit të vazhdueshëm, durimit dhe përmbajtjes në raport me sugjerimet dhe këshillat që mësimdhënësit ua ofrojnë atyre si pjesë e prindërimit të mirëfilltë dhe i cili garanton sukses.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tirana mban rekord për numrin më të lartë të analfabetëve në Shqipëri
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri
Buxheti 2025 për arsimin dhe sportin rritet me +18%