VITI SHKOLLOR 2020-2021

Besa Shahini: Shkollat nisin më 14 shtator, por mësimi nuk do të zhvillohet si më parë

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur para pak ditësh datën e fillimit të vitit të ri shkollor (parauniversitar). Konkretisht, më 14 shtator pritet që nxënësit t’iu rikthehen mësimeve dhe bankave të shkollave.

Epidemia e Covid-19 duket se do të vijojë ta ndikojë e ndryshojë mësimdhënien në vendin tonë, sikurse ndodhi prej marsit deri në fund të majit të këtij viti, ku nxënësit aplikuan të nxënit online, jo duke shkuar në shkollë.


Sipas ministres së arsimit, Besa Shahini, po punohet për detajimin e një plani, ku do ketë një kombinim të mësimit të zhvilluar në bankat e shkollës dhe atij online:

“Mësimi do të fillojë në shtator, por nuk do jetë i njejti si më parë për shkak të Covid-19. Ne po zhvillojmë politikat e mësimit të përzier, një pjesë e të cilit do zhvillohet në shkollë dhe pjesa tjetër do të vijojë on-line dhe në kanalin e RTSH-së, RTSH SHKOLLË. Do të bëhet një kombinim. Për planet e detajuara do të na duhet edhe pak kohë, sepse do të shohim si do të përhapet më tutje pandemia. Nëse frenohet përhapja do ta ndryshojmë planin, nëse përhapet shumë do të marrim një vendim tjetër. Do t’ju njoftojmë.


Gjatë kësaj kohe po zhvillohen xhirimet dhe RTSH do të jetë gati të zëvendësojë shkollën në kushte shtëpie. Nëse deri tani kemi përdorur “whatsapp”-in si një aplikacion i njohur më shumë nga nxënësit dhe mësuesit, tani do të fillojmë të përdorin një platformë tjetër. Sikurse e kemi vendosur tashmë, mësimi për shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme do të fillojë në datën 14 shtator”.




Burimi: Gazeta Mapo


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

15,250 Lexime
4 vjet më parë