Bëmat e Estes dhe Kokosë, libri që rrëmbeu zemrat e fëmijëve
Bëmat e Estes dhe Kokosë, libri që rrëmbeu zemrat e fëmijëve, pati sukses, përmes bëmave dhe situatave komike, të marra nga jeta e përditshme e vogëlushëve protagonistë. I ftojmë lexuesit e vegjël të jenë pjesë e aventurave të tyre!
Bëmat e Estes dhe Kokosë, libri që rrëmbeu zemrat e fëmijëve, pati sukses, përmes aventurave, bëmave dhe situatave komike, të marra nga jeta e përditshme e vogëlushëve protagonistë. Secili nga fëmijët që ia kërkonte me ngulm prindërve t’ua blinte “Bëmat”, e gjeti veten në të njëjtat situata, të cilat autorja Natasha Poroçani i përcolli me finesë dhe humor.
Fëmijët janë rasti më i mirë i lexuesit të sinqertë, kjo vihet re gjithmonë, kur bëhet fjalë për një letërsi të kontrolluar e të orientuar. “Fëmijët kanë lindur për të lexuar”, që do të thotë se leximi i ndihmon fëmijët të rriten dhe kurrë nuk është herët për të dashur librat. Ky është mesazhi që përcillej nga autorja nëpër takimet e shumta me fëmijë. Klube leximi u krijuan për ta sjellë librin pranë lexuesve, duke e lexuar atë mes tyre. Shkolla të ndryshme të kryeqytetit, si: De Rada, Dora D’Istria, 26 Nëntori, por edhe shkolla në qytetin e Elbasanit, si: Ali Agjahu, Sule Harri, Imelda Lambertini, Aleksandër Xhuvani e shumë të tjera, e pritën me entuziazëm prezantimin e librit, ku fëmijët diskutuan dhe përfshinë situata, të cilat ia servir përditshmëria.
Të treguarit të historive të tri vogëlushëve, i aftëson fëmijët të zhvillojnë fjalorin, të imagjinojnë situata, duke vendosur në punë fantazinë dhe forcon aftësinë që nevojiten për lexim. Për më tepër, këto takime ndihmuan lexuesit e vegjël ta shikojnë procesin e të lexuarit edhe si argëtim, edhe si edukim.
Në këtë libër, lexuesit e vegjël, takojnë Esten dhe Kokonë, njëra çamarroke, e tjetra me shije të hollë, bashkë me vëllanë e tyre Ale, një bebush i bukur e me sy të zinj. E gjithë bota e pafajshme e fëmijëve shpaloset tek këto personazhe, ku njëra me natyrën e shkathët, e tjetra pak më e qetë, bëjnë për vete të vegjlit, që kërkonin me ngulm “Bëmat”.
Libri është i pajisur edhe me një aparat pedagogjik, në ndihmë të fëmijëve, gjë e cila ia shtoi akoma më shumë kuriozitetin, për ta lexuar me vëmendje dhe me shumë kujdes.
Dëshira, pasioni për të sjellë libra të bukur për fëmijë i garantuan sukses shkrimtares, me një mijë kopje të shitura brenda dy muajve.
Redaksia e Portalit Shkollor dhe Shtëpisë botuese Albas i urojnë rrugëtim të mbarë dhe suksese të mëtejshme librit “Bëmat e Estes dhe Kokosë”.
(P.Shtini; Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Ese: Mjedisi dhe njeriu