“Bëjmë detyrat e shtëpisë”
Projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë” do të ofrojë shërbim dhe kujdes për nxënësit pas përfundimit të procesit mësimor, deri në orën 17:00, nga e hëna në të premte dhe prej tij do të përfitojnë fillimisht 3000 nxënës.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për zbatimin e projektit pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, përmes të cilit nxënësit e katër shkollave 9-vjeçare në Tiranë do t’i bëjnë detyrat e shtëpisë në mjediset e shkollës. Projekti do të ofrojë shërbim dhe kujdes për nxënësit pas përfundimit të procesit mësimor, deri në orën 17:00, nga e hëna në të premte dhe prej tij do të përfitojnë fillimisht 3000 nxënës nga mosha 6-15 vjeç, që ndjekin shkollat ku do zbatohet projekti.
“Projekti mundëson që fëmijët e shkollave periferike, në komunitete me popullsi rome, egjiptiane, pra komunitete që janë në vështirësi ekonomike, të vazhdojnë të rrinë në mësim, në grupe speciale, t’u ofrohet edhe dreka në shkollë. Të kenë mundësi që me një mentor të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe të të përgatiten për të nesërmen. Një pjesë e madhe e tyre humbet shumë nga çasti që lë shkollën dhe kthehet në rrugë, ndaj besoj se kjo është mënyra më e mirë se si për 66 shkolla 9-vjeçare publike me rreth 47.406 nxënës, të përzgjedhim ata që janë më nevojtarë dhe ata që kanë nevojat më të mëdha për t’u sistemuar”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas këtij vendimi, fëmijët pas procesit mësimor do konsumojnë ushqimin, më pas do zhvillojnë aktivitete argëtuese dhe më pas do rikthehen në klasë për të bërë detyrat e shtëpisë. Aktivitetet pas shkolle do hartohen nga ekspertë të kurrikulës në bazë të moshës së fëmijës, pra çdo fashë moshe do ketë aktivitetet e dedikuara për të. Për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 4 shkollat pjesë të projektit, ushqimi do financohet 100% nga Bashkia Tiranë. Projekti do të shtrihet fillimisht në 4 shkolla 9-vjeçare me synimin që në varësi të suksesit të tij të mund të shtrihet edhe në shkolla të tjera në kryeqytet.
(Portali Shkollor)
Hartimi i projektit kurrikular
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!