Bashkë me ju në këtë rrugëtim (për fëmijët me aftësi ndryshe)
Nëse këta fëmijë nuk mund të jenë pjesë e klasës, komunikimi jo vetëm me telefonata dhe detyrat përkatëse por ai vizual me mësuesin ndihmës dhe psikologun do e ndihmonte fëmijën që të mos humbte lidhjen afektive me shkollën”- artikull nga Mimoza Zeneli.
Të jesh prind nuk është gjithmonë e lehtë, por prindërimi gjatë një pandemie është një sfidë krejtësisht e re. Prindërve u është dashur të bëjnë një hap përpara dhe të plotësojnë një rol tjetër, atë të mësuesit. Shumë prindër duhet të punojnë ndërsa argëtojnë dhe edukojnë fëmijët e tyre. Megjithatë, detyra është veçanërisht unike për prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta. Duhet të bëjnë mësuesin, prindin, shokun e shkollës dhe gjithçka tjetër dhe si të gjithë, edhe këta prindër nuk ishin të përgatitur për këtë situatë dhe kanë nevojë për ndihmë, madje më shumë se ne të tjerët.
Atyre si fillim u është dashur t’u shpjegojnë fëmijëve të tyre se ku janë shokët e klasës. Dhe padyshim të qenit i sinqertë në lidhje me situatën dhe t’u tregosh fëmijëve përse nuk mund të dalin apo nuk mund të shkojnë në shkollë ndihmon në uljen e ankthit të tyre.
Shokët e klasës kanë vazhduar mësimin online në platforma të ndryshme, janë përpjekur të ndjekin rutinën. Rutina është shumë e rëndësishme për këta fëmijë gjithashtu, por një pjesë e prindërve nuk kanë pranuar që fëmija i tyre të ndjekë mësimet online, pasi këta fëmijë e kanë të vështirë të qëndrojnë të përqendruar për shumë kohë apo të qëndrojnë pa lëvizur para ekranit. Në bërjen e detyrave ata kanë nevojë të kenë pranë fëmijët e tjerë. Të shohin shokët duke punuar i ndihmon ata të përqendrohen.
Duke ditur sa i rëndësishëm është për këta fëmijë bashkëveprimi çfarë mund të bëjmë të gjithë ne, që ata të mos bëjnë hapa pas, madje të përparojnë aq sa është e mundur në kushtet e izolimit nga Covid 19?
Në këto raste kur prindit i duhet te luajë rolin e 5-6 personave njëherësh kthehemi përsëri nga specialistet dhe kërkojmë ndihmën e tyre. Mësuesit, psikologët, terapistët, mësuesit ndihmës duhet t’u gjenden pranë.
Ky grup ka bashkëpunuar gjatë kësaj periudhe për hartimin e programit edukativ individual për fëmijët me aftësi ndryshe. Kanë ulur pritshmëritë dhe kanë lënë për këtë periudhë objektiva të përafërta me periudhën e dytë pasi fëmija në kushtet e mungesës së ambientit social mund të ketë bërë edhe regres.
Po përsa i përket bashkëveprimit social? Si mund të lidhemi me shokët pa u prekur? Nëpërmjet një telefonate, një bisede ne zoom, What’s app, duke parë shokët, duke komunikuar me ata? A i kemi inkurajuar fëmijët të telefonojnë shokët e tyre me aftësi ndryshe që kanë në klasë? A mundet fëmija, një ditë që i lejohet të dalë, të vizitojë klasën që të mos harrojë ambientin e tij social, të marrë ndoshta një lodër nga kopshti që frekuenton, të shohë mësuesen në distancë, të marrë në mënyrë virtuale një foto të klasës.
Nëse prindërit do të asistonin fëmijën gjatë kontakteve në zoom, ashtu siç bën mësuesi ndihmës në klasë me këta fëmijë, do të ishte një ndihmë që fëmija të ndërveprojë sadopak me mësuesin dhe shokët.
Nëse këta fëmijë nuk mund të jenë pjesë e klasës, komunikimi jo vetëm me telefonata dhe detyrat përkatëse por ai vizual me mësuesin ndihmës dhe psikologun do e ndihmonte fëmijën që të mos humbte lidhjen afektive me shkollën.
Të përpiqesh të ndjekësh orarin e shkollës dhe të bësh nga një gjë të vogël çdo ditë është ide e mirë.
Nëse gjejmë aktivitete brenda shtëpisë që mund të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive të tjera tek fëmija, si të ndihmojnë me gjëra të vogla në shtëpi apo të mësojnë lojëra e aktivitete që nuk i kanë bërë më parë, do i mbante ata të angazhuar dhe nuk do i lejonte të mërziteshin.
Por më shumë sesa të fokusohemi në atë çfarë ndodh brenda shtëpisë, ne duhet të shqetësohemi për çfarë ndodh brenda mendjes sonë. Ruajtja e qetësisë, pozitiviteti dhe kthjelltësia jonë mendore ndihmojnë në mirëqenien e fëmijës sonë.
Dhe pas gjithë këtyre përpjekjeve, duhet të mbajmë mend: të mërziten, të kenë ankth dhe të bëhen nervoz apo të mos duan të bëjnë asnjë detyrë në një ditë të caktuar, është normale në këtë normalitet të ri. Kujt nuk i ndodh? Ne thjesht bëjmë më të mirën tonë.
Nga Mimoza Zeneli
Nëndrejtore në shkollën "Sabahudin Gabrani", Tiranë
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Rëndësia e bashkëpunimit mësues-prind për mirëqenien e fëmijës dhe për një proces të suksesshëm mësimor
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant