Autoriteti i mësuesit është në rritje apo në rënie?
Në një botë që ndryshon me shpejtësi, është normale që disa role të ndryshojnë rëndësinë e tyre në proceset transformuese të shoqërisë dhe të lihen mënjanë si jo shumë të vlerësuara?
"Nëse mund të bëhet një krahasim mes organizmit shtetëror dhe organizmit njerëzor, duhet thënë se shkolla i përket atyre organeve që kanë funksionin e krijimit dhe shpërndarjes së gjakut. Atyre organeve …që dërgojnë në çdo organ tjetër, ditë pas dite, rrahje pas rrahje rinovimin e jetës".
Pietro Calanzandrei
Në një botë që ndryshon me shpejtësi, është normale që disa role të ndryshojnë rëndësinë e tyre në proceset transformuese të shoqërisë dhe të lihen mënjanë si jo shumë të vlerësuara.
Por a duhet të jetë roli i mësuesit, një prej tyre?
Të gjithë kemi pikëtakimet tona me shkollën dhe jemi të shqetësuar për fëmijët tanë të ekspozuar e të pambrojtur ndaj problematikave, përfshirë këtu edhe ndryshimet me natyrë reformuese që sistemi ndërmerr në rrugën zhvilluese. Kush bashkëjeton me shkollën dhe bie në kontakt me brezat që ndryshojnë, kupton ndryshimet që kanë ndodhur dhe e di që mënyra për të "bërë shkollë" nuk mund të jetë e ngjashme me atë të së kaluarës. Një shkollë që ecën në hap me kohën, duhet domosdoshmërisht të marrë në konsideratë se, krahas përfshirjes në sistemin formues të njohurive tradicionale, sot kërkohet aftësimi i nxënësve në komunikim, njohjen e gjuhëve të huaja, përthithjen e teknologjisë së informacionit dhe shkencave, pa lënë jashtë vëmendjes edukimin qytetar.
Roli kyç i shkollës është formimi individëve të aftë për të jetuar në mënyrë pozitive në shoqëri dhe të plotësuar me njohuri, pandarë nga "të dijë të bëjë". Historia e arsimit tonë tregon se mësuesit e vërtetë janë ata që dinë të krijojnë një marrëdhënie kuptimplote me nxënësin dhe të jenë për të një model referimi. Ata që dinë të udhëheqin zhvillimin e mendimit të fëmijës në rrugën e ndërtimit të dijes. “Le t’i lemë nxënësit mundin e të kërkuarit dhe kënaqësinë e të gjeturit”, do t’i këshillonte mësuesët e rinj rreth 100 vite më parë Aleksandër Xhuvani. Natyrisht nuk na ka munguar tradita, por tranzicionet në shoqërinë tonë, kanë tjetërsuar më se një herë atë, duke çuar në miksime përvojash dhe modelesh botërore. Ato natyrisht kanë shoqëruar zhvillimin, por do të ishte mirë t’i ishin ngjizur traditës ekzistuese për ta zhvilluar natyrshëm atë.
Janë akoma në kujtesën tonë, personalitetet që në një kohë jo shumë të largët, i nderonim duke u dhënë titullin mësues, mjeshtër të mësimdhënies e nxënies, madje duke e zgjeruar fushën e këtij emërtimi jo thjesht në limitet profesioniale, por në rolin model të formimit të brezave; në ditët e sotme, një rol i diskutueshëm që ka iniciuar debate e polemika lidhur me cilësinë e arsimit.
Forcimi i rolit të shkollës kërkon një rivlerësim të rolit të mësuesit. Kjo kërkon përkushtim të gjithanshëm e të vazhdueshëm, që nuk mungon nga mësuesit, por kushdo që angazhohet me problematikat e edukimit çdo ditë e di se risitë reformuese, përtej rolit zhvillues, kanë demotivuar shumë mësues. Ajo që duket e thjeshtë nuk është e tillë, përmend Fullan; futja e një ndryshimi në dukje të vogël mund të na sjellë pasoja pa fre. Nuk mund të parashikosh me saktësi se kur dhe ku do të ndodhin pasoja të tilla. Prandaj na duhen kapacitete të përgjithshme të parashikojmë dhe përballojmë rastet e ndryshimit në mënyrë të vazhdueshme, gjatë kohës që ndodhin (Fullan, 2002). Kapacitetet e mësuesve për t’u marrë me ndryshimin, për të nxjerrë mësime prej tij, do të kenë rëndësi thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërive (Fullan, 2002).
Një fakt i evidentuar në raportin kombëtar për identifikimin e nevojave për trajnimin e mësuesve dhe drejtuesve në arsimin parauniversitar është se vetëm 25% e mësuesve të vlerësuar zotërojnë njohuri dhe aftësi të nivelit shumë të kënaqshëm (IZHA, 2016). Ne të gjithë kemi një sistem vlerash të përcaktuara për kryerjen e një pune kuptimplote…për trajtimin e mirë të të tjerëve dhe ruajtjen e integritetit në mënyrën se si punojmë (Block, 1987) . Vendosja e dinjitetit profesional duhet të shoqërojë gjithmonë mësuesin (e nevojshme dhe e domosdoshme).
Mësuesi është ai që udhëzon, nxit zhvillimin; një detyrë krejt e ndryshme nga roli i atij që mëson. Mësuesi është ai që së pari përpiqet të përmirësojë veten dhe pastaj të drejtojë zhvillimin e të tjerëve, pra të nxënësit. Jemi modele referimi dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë angazhimin që duhet të na motivojë dhe përpjekjen e vazhdueshme të përmirësimit të vetes për t'i bërë studentët tanë më të mirë. Janë detyrat tona delikate që na japin autoritetin e respektit. Për të qenë mjeshtër në edukim, është e nevojshme të kemi brenda vetes idealen e jetës dhe përmes mësimdhënies dhe shembullit, të nxitim dëshirën për zhvillim tek nxënësi. Jo vetëm dëshirën për dije por mbi të gjitha formimin e ruajtjen e dinjitetit njerëzore. Shkolla, për të kryer në më të mirën detyrën e saj, ka nevojë për mësues të cilët janë etalone të vlerave njerëzore përtej atyre profesionale. Për shkak se asnjë mësues nuk mund të imponojë, por duhet të respektojë lirinë individuale të zhvillimit, ai duhet ta udhëheqë nxënësin. Ky do të ishte mësimi I parë i ndjeshmërisë njerëzore, i tolerancës dhe të menduarit në mënyrë të hapur. Nuk duhet të harrojmë se jemi modele, ky është roli dhe njëkohësisht angazhimi që duhet të jetë frymëzimi në përpjekjet për të përmirësuar veten për të bërë më të mirën për nxënësit tanë.
T’i mësojmë të jetojnë në harmoni me veten dhe me të tjerët, për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, gjithmonë të orientuar nga vlerat. Sa më aktive të jetë ndërhyrja, aq më të mira do të jenë rezultatet. Për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm të sistemit edukues, nuk mjaftojnë mësues të përgatitur mirë nga fakultetetet e mësuesisë, por njëkohshëm mësues që ndjekin tendencat e zhvillimit në shkencat e edukimit. Jam e bindur se mësues të tillë ka shumë sistemi ynë edukues dhe ata janë në gjendje të ndikojnë pozitivisht në formimin e personalitetit të fëmijëve.
Edhe pse gjeneratat kanë ndryshuar pështatur zhvillimit të shoqërisë, mos harrojmë se fëmijët, ndjekin fazat e tyre të zhvillimit. Ata ende të pyesin, habiten, fantazojnë, luajnë: dhe duhet të respektojmë dëshirën e tyre për t’u rritur dhe për të mësuar, për të zbuluar dhe për të krijuar ... ne nuk duhet të harrojmë se zhvillimi i tyre duhet të respektohet jashtë ndikimeve të tranzicionit që ne si shoqëri, po kalojmë në të gjitha planet. Këto sigurisht janë treguesit e edukimit në të gjithë ciklet, por mos harrojmë se modelet, edukohen që në fëmijërinë e hershme. Prandaj është e nevojshme që fëmijët të zhvillohen në një klimë të qetë dhe të motivuar, në bashkëpunim të ngushtë me prindët, të cilët janë të interesuar në këtë proçes duke besuar e vlerësuar jo sistemin, por mësuesin, si enzimën që bën të mundur zhvillimin normal e tërësor të personalitetit të fëmijës. Sa më shumë të jemi në gjendje të kuptojmë rolin dinjitoz të mësuesit,aq më shumë do kontribuojmë në formimin e një shoqërie të emancipuar.
Mësuesët që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkollës shqiptare, duhet të kthehen, e të mos konsiderohen si një kujtim nostalgjik i së kaluarës. Në kushtet e ndryshimeve shoqërore me rregullime të përshtatshme, por me bindjen e pandryshuar që fëmijët kanë nevojë për pika të forta referimi. Rëndësia e rolit të mësuesit është një burim krenarie për ata që ende besojnë në këtë rol.
Etleva Haxhihyseni, Pedagoge në UET
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Portofoli i praktikës profesionale, profili Gjuhë shqipe dhe Letërsi
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)