Atributet e mësimdhënësit bashkëkohor
Mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit, duke u nisur nga institucionet parashkollore e gjer në ato sipërore, lypset t’i kushtojnë kujdes të veçantë kultivimit dhe zhvillimit të atyre veçorive të cilat duhet t’i ketë një mësimdhënës.
Në efikasitetin e punës edukative-arsimore në shkollë, ushtrojnë ndikim një vistër faktorësh. Për nga natyra ata mund të jenë subjektiv dhe objektiv. Në grupin e faktorëve subjektiv, faktorë më relevant, konsiderohen: mësimdhënësi, nxënësi dhe prindërit.
Çdo mësimdhënës a edukator duhet të jetë i vetëdijëshëm se me veçoritë e veta specifike u krijon nxënësve kushte e rrethana që ta simpatizojnë, apo edhe ta urrejnë atë. Nxënësve, kur nuk i pëlqejnë veçoritë e mësimdhënësit si bie fjala; qëndrimi jo i drejtë ndaj punës dhe ndaj nxënësve, sinqeriteti, serioziteti, parimësia, objektiviteti, ndershmëria e kështu me radhë, ata jo vetëm që do ta urrejnë mësimdhënësin, por do ta urrejnë thuaja më të njëjtat përmasa edhe lëndën mësimore të cilën e ligjëron ai. Rrjedhimisht me të drejtë mund të konstatojmë: kur urrehet mësimdhënësi dhe lënda mësimore, nuk mund assesi të priten rezultate inkurajuese në procesin dhe punën mësimore. Prandaj mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit, duke u nisur nga institucionet parashkollore e gjer në ato sipërore, lypset t’i kushtojnë kujdes të veçantë kultivimit dhe zhvillimit të atyre veçorive të cilat duhet t’i ketë një mësimdhënës i shkollës bashkëkohore.
Në grupin e atributeve përkushtuese të mësimdhënësve ndaj nxënësve konsiderohen; kënaq nxënësi, përdor teknika të ndryshme të mësimdhënies, ka një sens të mirë humori, zotëron lëndën, pranon ku ka gabuar, përdor një ton të këndshëm, është entuziast rreth lëndës, nuk mban nxënës të preferuar, është i sjellshëm me të gjithë gjatë gjithë kohës. Që të gjitha këto e rrumbullakojnë “Mësimdhënësin Ideal” (Haliti. Sh, 2007, Në kërkim të Pedagogjisë Reformuese, fq. 73)
Gjashtë çelësat kryesor që e bëjnë një mësimdhënës të përkushtuar ndaj punës së tij, vlerësohen të jenë;
1. Ata i sfidojnë nxënësit e tyre,
2. Ata përcaktojnë mundësi të të mësuarit aktiv,
3. Ata brengosen që të jenë të dukshëm,
4. Ata ofrojnë lidership,
5. Ata lënë shumë përshtypje,
6. Ata premtojnë sistem të drejtë dhe fer.
Në anën tjetër ekzistojnë disa standarde të cilat duhet ti përmbahet çdo mësimdhënës, pavarësisht ciklit ku ai punon. Praktika botërore ka treguar se standardet e mësuesit janë të dizajnuara, përhapur dhe aplikuar për të krijuar një kornizë bazë, brenda të cilës të gjithë mësuesit duhet të veprojnë, që nga fillimi i formimit të tyre si mësues.
Për të përmirësuar praktikën e mësuesve, gjatë të gjitha fazave të karrierës së tij, është e rëndësishme për të përdorur procesin e duhur të vetë vlerësimit, si dhe reflektimin dhe procesin e zhvillimit profesional. Standardet janë ato që në mënyrë të qartë përcaktojnë fushat kryesore në të cilat një mësues mund të jetë në gjendje për të vlerësuar praktikat e tij dhe për të marrë reagime nga kolegët e tij. Gjatë karrierës së tij, një mësues i rrit pritjet e tij për të thelluar njohuritë, aftësitë dhe të kuptuarit e mënyrës që ai aplikon standardet, duke e parë këtë kërkesë si të përshtatshme në kuadër të pritjeve që ai duhet të përputhet me kontekstin dhe që ai punon.
Standardet gjenerale përkushtuese të mësuesit;
- Përgatitja shkencore: Mësuesi është kompetent në objekt të tij;
- Kompetencat themelore: Mësuesi kultivon në studentët e tij kompetenca themelore;
- Zhvillimi profesional: Mësuesi vazhdimisht reflekton për përvojën e tij, rregullisht përfiton nga përvoja e kolegëve të tij dhe nga literatura profesionale;
- Njohuritë dhe aplikimi i dokumentacionit arsimor: Mësuesi duhet të ketë mjaft njohuri për dokumentet kryesore kurrikulare, si dhe dokumente të tjera që mbështesin zhvillimin e planprogramit;
- Mësuesi si anëtar aktiv i organizmave në institucione: mësuesi është një anëtar aktiv i organizmave në institucione të tilla si këshilli i mësuesve, ekipi i subjektit dhe punës në grupe të ndryshme;
- Bashkëpunimi me komunitetin: mësuesi bashkëpunon me prindërit dhe anëtarët e tjerë të komunitetit për të përmirësuar arritjet e fëmijëve të tyre.
- Etika dhe sjellja: Mësuesi tregon normat e larta etike dhe të sjelljes ndaj studentëve dhe kolegëve të tjerë. (Vila. A, Teacher;s Standards, Primar Guide on Department of Teacher Professional Identity, SKAP Journal, fq. 151, Slovakia).
Karakteristikat e mësimdhënësit bashkëkohor
- Mësimdhënësi i mirë respekton nxënësit në nivel të lartë- në klasën e tij çdo mendim dhe ide është e respektueshme dhe e vlefshme për mësimdhënësin.
- Mësuesi i mire krijon sens të të qenurit komunitet brenda klasës- çdo nxënës këtu ka parasysh se secili mendim dhe detyrë e tij është e rëndësishme, pavarësisht se si e bën.
- Mësuesi i shkëlqyer është i ngrohtë, i qasur, entuziastik dhe i kujdesshëm- ky person është i gjithanshëm jo vetëm për nxënësit e tij, por edhe më gjerë.
- Mësuesi i mirë, parashtron prioritete të larta dhe pritje të mëdha prej nxënësve të tij- ai e din se që të gjitha pritjet e mëdha që ai pret nga nxënësit e tij, padyshim se reflektojnë në arritjet e nxënësve të tij.
- Mësuesi i mirë është lider i shkathtësive- për dallim nga të tjerët që pretendojnë që të arrijnë planin mësimor, ky synon të arrijë suksesin me nxënës.
- Mësuesi i përkushtuar mund të sjell ndryshim, brenda klasës që ka ngecje në mësime nga nxënësit dhe vështirësi në të nxënë.
- Mësuesi i përkushtuar e kryen detyrën e tij me përplot profesionalizëm.
Që të gjitha këto atribute, standarde dhe kritere të punës efektive të mësimdhënësit, kërkohet që t’i përmbahet çdo mësimdhënës, në rrjedha normale të punës së tij, në mënyrë që jo vetëm t’i përmbahet planprogrameve mësimore, por edhe të arrijë sukseset maksimale në punën e tij. Përkushtimi maksimal i tij duhet të ecë paralel me kohën me zbulimet dhe shpikjet e reja teknike dhe informative në mënyrë që mos të humbet roli i tij, si udhëzues para nxënësve, ndihmues i tyre për hapat e së ardhmes. (Larsen. K, 2016, The Impact of ICT on Tertiary Education, SKAP Journal, Slovakia).Por çka është më me rëndësi të mundohet të jetë orientues i drejtë i profesionit të nxënësve të tij, sepse nga ai marrin të mirat etike që duhet t’i ketë një personalitet i lartë akademik në jetën e tij profesionale, por edhe në atë reale në rast se do të pranonin t’i aplikonin në praktikë që të gjitha sjelljet edukative që do të mund t’i kenë mësuar nga mësimdhënësit e tyre dhe se nesër të vërehen shprehi pozitive në intelektin e nxënësve të tij jo vetëm që do të ishte sukses personal i vetë nxënësve dhe prindërve të tyre, por edhe i vetë mësimdhënësve si dhe ç’është më kryesorja shteti do të përparonte në tërësi, sepse siç thotë Churchill; “Si është popullata është qeverisja”, prej nga nënkuptohet se sa më shumë që të jenë njerëzit e shkolluar aq më shumë do të kenë përparime në shoqërinë e një vendi.
Literatura:
- Zajazi, T, (2002), Metodologji të Mësimdhënies dhe Mësimnxënies
- Kraja, M, Pedagogjia (2006), Tiranë
- Musai, B, (1999), Psikologji Edukimi, Tiranë
- Sylaj, S, (2010), Edukimi Qytetar me Metodologjinë e Mësimdhënies, Prishtinë
- Multiple Intelligences, for the 21-st Century, 1999
- Mandic, P, (1987), Izabrana djela, I, Osijek,
- Rexhepagiq, J, (2002), Tema të Zgjedhura dhe Bashkëkohore Pedagogjike, Prishtinë
- Pedagoski Recnik 1, (1967), Beograd
- Grup autorësh, (2003), Metodologji të Mësimdhënies dhe Mësimnxënies, Vinsent Grafika, Shkup, fq. 49
- http://teachingdutiesandobligationstowardseducationprocess
- http://schoolchallengesiforteachers.de
(Shkruar nga: PhD. Can. Besjana Rexhepi, Kosovë; Portali Shkollor)
Hartimi i projektit kurrikular
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!