Arsimi, shtylla kryesore e shoqërisë ku duhet investuar
Arsimi po përballet me sfida të shumta. Këto problematika ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor dhe fizik të nxënësve dhe mësuesve. Gjetja e zgjidhjeve të duhura kërkon përkushtimin e të gjitha hallkave dhe institucioneve arsimore.
Arsimi është një ndër shtyllat kryesore të një shoqërie, tek i cili duhet investuar shumë. Arsimi në përgjithësi ka problematika të llojeve të shumta. Ato që do theksoja më së shumti këto ditë janë problemet shëndetësore dhe psikologjike. Në Shqipëri akoma flitet për probleme ekonomike, ndërsa problemet e tjera trajtohen si dytësore dhe heshtim kundrejt tyre. Sot nxënësit kanë një ritëm të përshpejtuar të moshës. Duke qenë se nxënësve u duhet të përvetësojnë të gjitha informacionet dhe dijet që u jepen, sforcohen tepër.
Një problem tjetër i nxënësve është stresi, ankthi dhe depresioni. Nga studimet e bëra rezulton se këto ndikojnë në performancën e shkollës dhe drejtuesve që e menaxhojnë. Pagjumësia dhe qëndrimi zgjuar në orare të vona shkakton lodhje, mungesë energjie, humbje të balancës emocionale, rrezikim të shëndetit fizik dhe mendor të nxënësit.
Në Shqipëri një përqindje e lartë e nxënësve vijnë nga shtresa të ulëta të shoqërisë dhe kjo patjetër që ka ndikuar në vijimësinë e formimit të tyre. Këto probleme vërehen në fushat e trurit përgjegjës për kujtesën, rregullimin e impulsit, aftësinë vizuale hapsinore, gjuhën dhe kontrollin kognitiv. Ky problem qëndron këmbëkryq dita ditës në shkollat tona dhe askush nuk ngre zë për tema të tilla. Nuk janë ndërmarrë asnjëherë nisma për të bërë studime mbi probleme të tilla tek nxënësit shqiptarë. Shpesh nxënës të tillë që nuk zotërojnë kujtesën e punës etiketohen si të pavëmendshëm, por në të vërtetë stresi i nxënësve që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta kufizon kujtesën e punës. Këta nxënës nuk arrijnë të përpunojnë shumë informacione në të njejtën kohë. Ajo çfarë mund të bëjë shteti për këtë problem është që të trajnojë mësuesit në mënyrë që ata të aftësohen për t’i ndihmuar nxënësit në rikuperimin e kujtesës. Shumë rajone të botës raportojnë se kanë programe të bazuara në teknologji që janë të dobishme, pasi ndërtimi i kujtesës së punës kërkon qëndrueshmëri dhe intensitet. Për rritjet e kapaciteteve njohëse, përdoren programe softëeri (zakonisht lojra), për një periudhë të caktuar kohe. Në Shqipëri trajtime të tilla mungojnë.
Në përfundim të këtij shkrimi, duke shpresuar që qëllimi fillestar të jetë realizuar, përçoj dhe një thirrje për ndërhyrje nga autoritet përkatëse, pasi nxënësit shqiptarë kanë shumë problematika që ndikojnë në mbarëvajtjen e edukimit të tyre. Varfëria ndikon thellë në trurin dhe formimin intelektual të secilit. Si mësuese ngre zërin dhe bëj thirrje për bashkëpunim mes prindit, nxënësit dhe mësuesit. Fëmijët duhet të rriten me frymën e edukimit dhe tolerancës.
Nga Mimoza Xhindi, mësuese
Publikim Parajsa Shtini
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Siguria në shkolla dhe vendimi për TikTok: Masa të nevojshme apo të tepruara?
“Simbolika e një dhurate”