Intervistë

“Arritja e suksesit nuk ka sekrete, mjafton të punosh fort”

“Një shkollë është cilësore kur ka një staf të kualifikuar dhe profesionist. Infrastruktura dhe gjithçka tjetër janë në funksion të mësimdhënies dhe ndihmëse të punës, por jo më të rëndësishmet”

Drejtoria Arsimore e qytetit të Tiranës ka publikuar renditjen e shkollave në bazë të kartës së performancës. Shkolla “Ernest Koliqi” është renditur e para në listën e shkollave private. Në një intervistë për Portalin Shkollor drejtoresha e shkollës Mirela Berisha na tregon se si është pritur ky rezultat në shkollë, nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Një drejtoreshë e suksesshme e cila gjithmonë ka arritur rezultate të larta në shkollat që ka drejtuar thotë se nuk ka sekrete për arritjen e suksesit, duhet vetëm të punosh fort dhe asnjëherë të mos harrosh se asgjë nuk realizohet vetëm. 


“Një shkollë është cilësore kur ka një staf të kualifikuar dhe profesionist. Infrastruktura dhe gjithçka tjetër janë në funksion të mësimdhënies dhe ndihmëse të punës, por jo më të rëndësishmet”, thotë Mirela Berisha.


Në bazë të kartës së performancës ju jeni renditur ndër shkollat më të mira në Tiranë. Çfarë do të thotë kjo për ju si drejtuese e kësaj shkolle?

Renditja në kartën e performancës konfirmoi atë që ne e prisnim në fakt, duke pasur parasysh rezultatet në vazhdimësi të larta në provimet e Maturës Shtetërore dhe renditjen në vendet e para në këto provime në shkallë kombëtare. Këtë vit karta e performancës përfshinte rezultatet e tre viteve të Maturës Shtetërore. Natyrisht ne kemi pasur rezultate të larta edhe në treguesit e tjerë, gjë që solli renditjen përfundimtare në vend të parë. Ky vlerësim është stimul shumë pozitiv, pasi na inkurajon në bindjen se asnjë përpjekje e jona nuk do të humbasë rrugës, përkundrazi një punë e përbashkët në funksion të një qëllimi të përbashkët, do t’i hapë dyert suksesit.


Sa nxënës ka në shkollën “Ernest Koliqi”?

Në shkollën “Ernest Koliqi” studiojnë 350 nxënës dhe pranimi i tyre në shkollë bëhet nëpërmjet një testi.


Si u prit ky rezultat nga ju, mësuesit, nxënësit dhe prindërit?

Të qenit ndër vendet e para, nuk do të përbënte surprizë për ne, sepse shkolla tashmë ka krijuar fizionominë e saj dhe është pozicionuar ndër më të mirat në këto vite. Natyrisht lajmi u prit mirë, sepse të gjithë dëshirojnë që të marrin frytet e punës së tyre dhe kur ato janë pozitive, gëzimi është i ligjshëm. Shumica e prindërve, përveçse janë gëzuar dhe na kanë përgëzuar për këtë renditje, janë ndjerë krenarë për zgjedhjen që kanë bërë për institucionin ku arsimojnë fëmijët e tyre.


Cili është komenti apo urimi që ju mbeti në mendje?

Ishte komenti i një mikeshës sime, e cila me humor më tha “Prapë ti?” Ajo më njeh prej shumë vitesh dhe me këtë shprehje i është referuar edhe periudhës kur unë, përpara se të merrja përsipër sfidën e drejtimit të shkollës “Ernest Koliqi”, drejtoja gjimnazin “Qemal Stafa” dhe gjatë asaj kohe kjo shkollë është renditur dy herë në vend të parë dhe dy herë në vend të dytë në provimet e “Maturës Shtetërore”. Por, e përsëris, asgjë nuk realizohet vetëm!


Cili është çelësi i suksesit sipas jush?

Për të arritur suksesin nuk është se ka ndonjë sekret. Mjafton të punosh fort. Kjo është ajo që ne kemi si objektiv dhe që përpiqemi ta injektojmë edhe tek nxënësit. Në shkollën tonë profesionalizmi i stafit të përzgjedhur me kujdes, ndërthuret shumë mirë me punën sistematike dhe rigoroze.


Si i motivoni ju mësuesit?

Natyrisht përgëzimet dhe evidentimi i vlerave individuale të gjithsecilit është një nga mënyrat e përhershme që bëhet në shkollë, por të qenit institucion privat të jep mundësinë që ta tejkalosh këtë fazë.

Motivimi i mësuesve është një nga pikat e rëndësishme të punës në shkollë dhe përbën një nga diskutimet e vazhdueshme të themeluesve dhe administratorit të shkollës z. Jean Pier Le Goff,z. Denis Maurny dhe  z. Ermal Hasimja.


Jeni drejtuesja autoritare, apo keni ndërtuar një marrëdhënie miqësore me stafin pedagogjik?

Unë mendoj se vlerësimin për autoritarizëm ose jo nuk mund ta bëjë askush për veten, pasi gjithsesi, secili prej nesh në këtë situatë do të mbetej subjektiv. Ata që mund ta bëjnë këtë vlerësim në mënyrë të saktë, pa ngatërruar autoritarizmin me seriozitetin dhe përgjegjshmërinë, do të ishin bashkëpunëtorët në suksesin tonë të përbashkët.  


Cila është vështirësia më e madhe e një drejtuesi shkolle?

Nuk është një, mund të jenë shumë, por unë do të konsideroja si më të rëndësishmen përzgjedhjen e stafit. Një shkollë është cilësore kur ka një staf të kualifikuar dhe profesionist. Infrastruktura dhe gjithçka tjetër janë në funksion të mësimdhënies dhe ndihmëse të punës, por jo më të rëndësishmet.


Nëse do të ishit ministre e arsimit cili do të ishte vendimii parë që do të merrnit?

Të gjithë që janë jashtë fushës së lojës, mendojnë se mund të luajnë më mirë se ata që janë në fushë. Ajo që unë mendoj se po e dëmton arsimin sot, është shtimi i peshës së mesatares së shkollës së mesme për pranimet në universitete. Kjo do të rrisë fiktivitetin, shtimin e kurseve private dhe do të penalizojë nxënësit e shkollave që konsiderohen “të forta” dhe strikte.


Cili është mesazhi që doni t’u përcillni mësuesve dhe nxënësve të shkollës suaj?

I falënderoj të gjithë se janë pjesë e suksesit të shkollës dhe ju them se puna dhe përkushtimi gjithmonë vlerësohen dhe se do të jetë sfidë e përhershme e jona qëndrueshmëria në nivelet më të larta të arsimit në Shqipëri.


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

21,735 Lexime
7 vjet më parë