Opinion

Arlinda Çausholli: Për mësuesit që njoh dhe ata që nuk njoh...

"Besoj fort se fytyra e një fëmije duhet të shihet, shqisat tregojnë shumë. Buzëqeshja nuk duhet te fshihet, ndryshe pse është shkolla, dija, drita e motivimi?", gazetarja Arlinda Çausholli, ka vendosur që në vend të një urimi për vitin shkollor, ta nisi me një thirrje kujdesi ndaj nxënësve.

Mirëmëngjes mësues, prindër e nxënës! 


Uroj që ky trekëndësh i dijes, edukatës e shpresës, të gjejë veten në këtë vit të ri shkollor, që në vend të ziles ka matësin e temperaturës e në vend të orarit, ka një deklaratë të përditshme "fajtore" të mospasjes së një virusi që askush nuk e sheh, por ja që një shkresë me shumë, mbase e tremb mikrobin.


Kam takuar mësues të përgjegjshëm, me 100 pikëpyetje për mënyrën e zhvillimit të mësimit dhe përballimit të mësimit, sidomos në shkolla ku ka shumë fëmijë e kushte nuk ka.


Me gjithë ankthin që shpërndahet nga të katër anët, a do kemi një mësuesi të shëndoshë mendërisht? 

Po fëmijë të qetë? 

Po prindër të kujdesshëm e të duruar?


Le ta provojmë të ndryshojmë mënyrën si japim dijen, të shtojmë higjienën e zhvillojmë metodologji mësimdhënieje pa drama e pa tension. Le të jemi krijues, spontanë dhe do t'ia dalim.


Maskat nuk lehtësojnë komunikimin, e di. Do ishte mirë që fëmijët t'i mbanin vetëm në lëvizje, sepse në bankë nuk mendoj se është e domosdoshme. Mjafton distanca dhe dritaret e hapura.


Besoj fort se fytyra e një fëmije duhet të shihet, shqisat tregojnë shumë. Buzëqeshja nuk duhet te fshihet, ndryshe pse është shkolla, dija, drita e motivimi? Ky rregull duhet riparë me ngut, sepse me vështirësi kuptohet një fëmijë veç nga sytë, mendoni 20 fëmijë përnjëherësh.


Gjithësesi, jeni heronj. Jeni mësues, psikologë, infermierë, zyre informacioni, shpikës dhe punonjës shërbim-pastrimi. Krahët e lehta i paçi sepse barrën e keni të rëndë, por dashuria dhe thjeshtimi lehtësojnë gjithçka. Thjeshtoni mësimin, fokusohuni te mirëqenia e fëmijës dhe e vetes, dija këtë vit merr rrugën e kujdesit më shumë se kurrë.

Dy muaj do jenë të vështirë besoj, jo më shumë.


Suksese e dalshi faqebardhë!



Nga Arlinda Çausholli, gazetare, publiciste dhe eksperte e njohur komunikimi

 Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,207 Lexime
4 vjet më parë