Analizë

Ardi Stefa: Mendime dhe propozime për hapjen e vitit të ri shkollor 2020-2021!

Në rast se do të shikonim dhe studionim seriozisht platformat e vendeve të BE për hapjen e shkollave do të vërenim se të gjitha vendet e BE, jo vetëm që ekspertët e arsimit i kanë pasur në komitetin teknik dhe në Task Forcën anticovid, por do të konstatonim edhe masa të menjëhershme dhe të prekshme.

Përpara disa ditësh ministria Besa Shahini në një konferencë online me ministren e shëndetësisë Manastirliu deklaruan vendimin për hapjen e shkollës në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Shqipëri, në datën 14 shtator. Në vijim dy ministret deklaruan se janë duke diskutuar për masat e sigurisë që po ndërmerren për hapjen e shkollave. Nga çfarë u deklarua kuptohet se do të hapen të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar dhe se mësimi në kushte shtëpie do të jetë vetëm një alternativë në rast rreziku nga rikthimi i krizës pandemike. Dy ministret deklaruan se vendimi është marrë pas përpunimit të rezultateve të një sondazhi me prindër, nxënës e mësues, ku 87% e të anketuarve kërkonin rikthimin në bankat e shkollës.


Vendimi për hapjen e shkollave është vendim i drejtë e i duhur, pasi ndryshe rrezikojmë që për të dytin vit radhazi arsimi të jetë në nivelet më të ulëta e të krijohet një gropë, e cila vështirë se do të mbushet ndonjëherë dhe pasojat e këtyre dy viteve do të duken në dekadën e ardhshme. 


Është provuar se distancimi fizik dhe higjiena mbeten mjete të padiskutueshme për të parandaluar përhapjen masive të viruseve të rrezikshme sot dhe nesër, por shkolla shqiptare, publike dhe private, ende nuk është e përgatitur sipas standardeve më të mira për këtë ballafaqim. Klasa të mbipopulluara, banka dyshe, afërsi e dërrasës së zezë dhe e tavolinës së mësuesit me nxënësit, dritare që nuk mundësojnë dritën dhe ajrimin e mjaftueshëm, ËC që mungojnë ose janë burim infeksioni, higjienë e varfër dhe dezinfektim i rrallë, hyrje të ngushta që shërbejnë edhe si dalje për nxënësit e personelin, oborre që mungojnë ose janë reduktuar në kthina prej ndërtimeve me e pa leje: të gjitha këto janë kundër distancimit fizik dhe kushteve të sigurisë shëndetësore. Shtoju këtyre edhe kulturën dhe buxhetin e pakët në lidhje me arsimin dhe kuptohet fare qartë se po ecim kuturu dhe pa seriozitet, ose me synimin hapjen dhe mbylljen e shkollës pas disa javëve.

***

Në vendet e BE-së sot po investohet në tri drejtime:

  1. Shtimi i ndërtesave të reja shkollore, me synim që të ulet numri i nxënësve në çdo klasë;
  2. Rritja e numrit të mësuesve, për të përballuar me pak nxënës në klasa;
  3. Përmirësim i sistemit të komunikimit elektronik, i rrjeteve të internetit, i pajisjeve individuale për çdo mësues e nxënës (dërrasa interaktive, kompjuter dhe tablete), kualifikim i mësuesve për t’i zotëruar sa më mirë këto mjete, si ndihmëse të rëndësishme në përvetësimin e dijeve dhe jo si primare në mësimdhënie.

Çdo ndryshim thelbësor në sistemin arsimor kërkon një rishikim të buxhetit nga Qeveria. Në planet e MASR-it patjetër që duhet të parashikohen ndërhyrjet afatshkurtra anticovid, por mbi të gjitha, masat afatgjata për të përballuar me siguri dhe pa ndërprerje shkollore çdo lloj pandemie. 


Së pari, gjithë personeli mësimor dhe shërbyes duhet t’u nënshtrohet analizave anticovid, që të shmanget burimi i mundshëm i shpërndarjes së virusit. Këtyre kategorive u duhet kryer tamponi falas, të paktën një javë më parë, në mënyrë që pas përgjigjes së parë të qëndrojnë në karantinë deri në bërjen e tamponit të dytë. Kjo kategori duhet të jetë ajo që duhet të vaksinohet e para, si për gripin stinor ashtu edhe për COVID- 19.


Së dyti, mbajtja e maskës duhet të jetë e detyrueshme gjatë gjithë kohës brenda orës së mësimit. Kjo nuk do të thotë që, sipas udhëzimit të 23 gushtit, mësimi do të zhvillohet në natyrë ose me “dritare të hapura(!)”. Zhurma, ndotja, vapa, të ftohtit nuk merren parasysh?...


Së treti, për të ulur ngarkesën mikrobiale në klasa, duhet që të ulim numrin e nxënësve në mësim, duke llogaritur se çdo nxënës ka nevojë për një sipërfaqe rrethuese 1.8 deri me 2.3m2. Sipas udhëzimit të datës 23 gusht “Brenda klasës, nxënësit qëndrojnë në distancë 1.5- 2 metra larg nga njëri- tjetri. Kur kjo nuk është e mundur nxënësit ndahen në klasa të tjera!”. E, pra, në Shqipëri kjo nuk është e mundur. Pra presupozohet mësimi me turne. Dhe këtu nuk merren parasysh disa parametra, njerëzore e pedagogjikë, me të cilat do të merrem pak më poshtë.


Së katërti, deri në vaksinimin e popullatës, orari i mësimeve për gjimnazin duhet të parashikojë dy turne me prani fizike/frekuentim me një maksimum prej tri orësh në ditë. Lëndët e përzgjedhura mund të jenë Gjuha shqipe dhe Letërsia, Matematika, Fizika, Kimia dhe një lëndë me zgjedhje. Lëndët e tjera të zhvillohen në pamundësi të zhvillimit në klasë në web. Kjo do të sjellë si pasojë rritjen e normës mësimore dhe nevojën për mbështetje buxhetore. Qeveria duhet të paguajë çdo mësues për mbinormën sipas parashikimeve në ligj ose, aty ku është e pamundur, të punësojë personel të përkohshëm të paguar me orë mësimore. Kjo mund të jetë një rrugë për të kualifikuar e për të punësuar mësuesit e rinj që kanë dalë nga sallat universitare. Klasat mësimore të kësaj periudhe për gjimnazin nuk duhet të kapërcejnë 15 nxënës.


Së pesti, krijimi i një platforme unike për të gjitha shkollat, nxënësit, studentët dhe mësuesit, në mënyrë, që në rast të zhvillimit të mësimit në distancë, (jo online), të gjithë të kenë akses të barabartë në mësim, e jo disa të bëjnë mësime në Ëhatsaap, disa në Facebook, disa në Zoom, e disa të tjerë si të munden. As regjistrimi i disa mësimeve në RTSH nuk është zgjidhje dhe as investim. U tha që në mësimin “online” në periudhën mars- qershor nuk morën pjesë 10.000 nxënës. Jam i bindur që ishin shumë më tepër!


Së gjashti, por jo më pak e rëndësishmja. Sa ka investuar qeveria, ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë në ndërgjegjësimin e prindërve, fëmijëve e qytetarëve për mbajtjen e higjienës personale e kolektive?... Dhe kjo është çështje edukate, jo imponimi...


Së shtati. Mësimi në distancë duhet të jetë opsioni i fundit. Nxënësit kanë nevojë për mësimin në bankat e shkollës, pasi arsimi nuk është vetëm dije, është edhe pedagogji, është edhe edukim, që nxënësit tanë, të cilët nuk kanë as kulturën e as disiplinën gjermane apo japoneze, nuk e kanë!


***

Në rast se do të shikonim dhe studionim seriozisht platformat e vendeve të BE për hapjen e shkollave do të vërenim se të gjitha vendet e BE, jo vetëm që ekspertët e arsimit i kanë pasur në komitetin teknik dhe në Task Forcën anticovid, por do të konstatonim edhe masa të menjëhershme dhe të prekshme.

Në rast se do të ndaleshim tek Italia.

Italia ka investuar 2.9 miliardë euro për rikonstruksionin e ambienteve shkollore, hapësirat e reja mësimore, për blerjen e 2,4 milionë bankave teke nëpër klasa, për blerjen e maskave, dezinfektantëve dhe dorezave për të gjithë nxënësit dhe personelin mësimor e ndihmës!

Është shpallur konkursi për punësimin e rreth 84.000 mësuesve të rinj. Është investuar në digjitalizimin e shkollave dhe krejt arsimit, duke pajisur me tableta nxënësit, mësuesit dhe duke kompensuar internetit për të gjitha shtresat në nevojë.

Ministrja italiane e Arsimit është anëtare e Task Forcës në këtë periudhë dhe është e informuar në çdo çast për situatën. Qeveria është konsultuar vazhdimisht me sindikatat e arsimit për çdo vendim të mundshëm.

Tek ne?

Sa nga këto janë zbatuar?

Sa është buxheti shtesë për arsimin? – Zero!

Sa janë shkollat që i plotësojnë kushtet e hapësirave për nxënësit?- Pak ose aspak!

Sa hapësira të reja janë marrë me qira për të përballuar numrin e reduktuar të nxënësve nëpër klasa?- Asnjë!

Sa shkolla kanë higjienën e domosdoshme, ajrimin, ujin e pijshëm të rrjedhshëm gjatë gjithë ditës?- Nuk e di!

Sa banka teke keni porositur për shkollat?- Nuk më rezulton!

Sa maska, dezinfektantë keni blerë për shkollat?- Zero, pasi kjo është një kosto, që duhet ta përballojnë familjet e falimentuara tashmë ekonomikisht.

Sa keni investuar në digjitalizimin e arsimit, pajisjen me mjete didaktike, tableta, akses në internet, rimbursimin e internetit për mësuesit?- Zero!

Cila është platforma didaktike, në rast të ndonjë ndërprerjeje të përkohshme të shkollës?- Nuk keni!

Sa mësues të rinj keni marrë për këtë vit shkollor?- Deri tani keni folur për 1.300 mësues ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta. Dhe vetëm kaq!


Ku do t’i gjeni mësuesit? Edhe këtu gjendet zgjidhja.

a- Futjen në sistem të atyre mësuesve, të cilët në pamundësi të gjejnë punë në arsim, janë punësuar në sektorë të tjerë.

b- Futjen në sistem, duke tejkaluar procedurat burokratike të portalit “Mësues për Shqipërinë”, të atyre mësuesve të shkollave private, të cilët për shkak të reduktimit të numrit të nxënësve dhe goditjes që këto shkolla morën këtë vit, mund të dalin të papunë, ose me orë.

c- Studentët, të cilët kryejnë praktikën mësimore, mund të punësohen me 50- 70% të rrogës së mësuesit të kualifikuar.

Ja pra, që zgjidhjet ekzistojnë, në rast se ekziston dëshira e mirë dhe vizioni për arsimin e shekullit të ri. Por situatat e jashtëzakonshme kërkojnë jo vetëm masa të jashtëzakonshme, por edhe ndonjë “shkelje të zakonshme”. Mësimi duhet të fillojë e vazhdojë në bankat e shkollës, përndryshe analfabetizmin funksional dhe shkatërrimin e arsimit në këto dy vite do ta vuajmë për një periudhë shumë të gjatë. Prandaj theksoj që situatat e jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme, por të mirëstudiuara. Sepse, në rast se nuk merren parasysh protokollet e mësipërme dhe në rast të ndonjë infektimi apo vatre infeksioni në shkolla, zgjidhja më e lehtë NUK do të jetë mbyllja totale e shkollave. Sepse mbyllja, nuk do të nënkuptojë domosdoshmërish edhe disiplinim të të rinjve e nxënësve dhe as kufizim të përhapjes së virusit. Mos të harrojmë, edhe po mbyllët shkollat, me ekonominë në punë dhe prindërit në vendet e tyre të punës, nxënësit vështirë se do të qëndrojnë në “karantinë”!



Nga Ardi Stefa, Mësues, gazetar dhe ekspert i arsimit


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,909 Lexime
4 vjet më parë