Anila Gashi: Drejtimi dhe vizioni ynë janë fotografia e së ardhmes që ne krijojmë
Formulimi i vizionit ndonjëherë quhet fotografia e së ardhmes së institucionit, por në të vërtetë është më shumë se kaq. Formulimi i vizionit ndonjëherë është burim inspirimi, kornizë për të gjithë planifikimin strategjik.
"Udhëheqësit e mirë krijojnë një vizion, artikulojnë vizionin, zotërojnë me pasion vizionin dhe e çojnë atë pa pushim drejt përfundimit." -Jack Welch
Drejtori është çelësi i shërbimeve për drejtimin e shkollës. Edhe ajo që është në gjendje të bëjë vetë mësuesi i klasës ndryshon nga personaliteti, pikëpamja dhe njohuria e drejtorit për udhëheqjen. Disa mësues thonë: "Unë mund të bëj punë më të efektshme nëse drejtori im duhet të tregojë shembull në marrëdhëniet e tij të përditshme me personelin me prindërit, mësuesit dhe nxënësit”.
Në fillim të çdo viti të ri jemi në gjendje të fillojmë një sërë synimesh të reja për veten personalisht dhe profesionalisht. Është sikur një sezon i ri të jetë mbi “NE” dhe me këtë sezon të ri na janë dhënë mundësi të reja. Drejtori punon me anëtarët e stafit të tij si individë dhe gjithashtu ulet me grupe të ndryshme si një anëtar që do të dëgjojë ҫdo mendim dhe sugjerim.
Drejtori që njeh parimet e punës në grup, i kupton mësuesit e tij dhe krijon një marrëdhënie miqësore personale, i jep mundësi secilit të japë kontributin e tij të veçantë dhe të shprehë opinionet dhe ndjenjat e tij pa pasur frikë se mos i censurojnë ose shpërfillin. Drejtori përpiqet t'ia paraqesë konceptin pozitiv të udhëheqjes individualisht një mësuesi që ka pasur një qëndrim të kundërt ndaj tij.
Drejtori duhet të kuptojë natyrën e udhëheqjes dhe të ketë një vizion se çfarë mund të kryejë, të zhvillojë programin e udhëheqjes në mënyrë bashkëpunuese me stafin e tij dhe të kryejë vullnetin e grupit.
Vizioni përcakton gjendjen e ardhshme të dëshiruar të një institucioni apo sistemi në aspektin e objektives kryesore apo drejtimit strategjik.
Po a është vizioni një shikim afatgjatë, që përshkruan se si institucioni do të donte të ishte mjedisi në të cilën operon?
Së pari, formulimi i vizionit ndonjëherë quhet fotografia e së ardhmes së institucionit, por në të vërtetë është më shumë se kaq. Formulimi i vizionit ndonjëherë është burim inspirimi, kornizë për të gjithë planifikimin strategjik. Për më tepër mund të shtoj se një vizion i saktë ka motivimet themelore në leximin psiko-socio-pedagogjik: kompleksiteti i ri shoqëror, kërkesa e ngutshme për trajnim, sqarimi i nevojave të fëmijëve dhe të rinjve, pyetjet specifike të këtyre nevojave, analizën dinamike e mikro-shoqërisë, dimensionin relacional dhe qasjen fleksibile për menaxhim efektiv dhe organizimin e përpiktë të institucionit shkollor. Kur ne përcaktojmë vizionin, i artikulojmë ëndrrat dhe shpresat për institucionin tonë. Kjo na kujton se çfarë po përpiqemi të ndërtojmë, si po përpiqemi të zhvillohemi. Vizioni është edhe një biletë hyrëse drejt suksesit. Është vizioni ai që tregon destinacione të udhëtimit tonë në të ardhmen. Pa përcaktuar vizionin, si do te planifikonim drejtimin e udhëtimit tonë?
Së dyti, mund të përmendim se një deklaratë e vizionit të shkollës është një shprehje e asaj se ku po shkon një shkollë në të ardhmen. Si një drejtues i shkollës më duhet të kuptojë më së miri se vizioni zbatohet në hapa të vegjël. Nëse i referohemi si një hap i madh, atëherë ka të ngjarë të mbingarkojë dhe konsumojë veten, si dhe mësuesit, stafin dhe nxënësit . Gjëja e parë që duhet të bëj është të shoh vizionin tim tek mësuesit dhe komuniteti dhe t'i bëj ata të investojnë në të. Sapo të njohin vërtetë planin, atëherë ato mund të ndihmojnë të kryej pjesën tjetër të vizionit. Unë dëshiroj që të gjithë palët e interesuara të shikojnë drejt së ardhmes ndërsa përqendrohemi te plani. Si shkollë, ne duam të vendosim qëllime afatgjata që në fund të fundit do të na bëjnë më të mirë, duke ruajtur fokusin në detyrën aktuale në krye.
Së treti, vizioni është një lloj "fushe e fuqisë" e besimeve të përbashkëta që i tërheq njerëzit të punojnë së bashku; t'i shndërrojnë ëndrrat në realitet. Ai është një drejtim apo e thënë më mirë shërben si busull morale që mundëson sjellje të përshtatshme për të arritur cakun e një shkolle moderne ku është si synim i ngritjes së shkathtësive, njohurive, dhe rezultateve të larta. Vizioni i shkollës përfshin një numër aktorësh sikurse janë udhëheqja e shkollës, mësimdhënësit, nxënësit, këshilli drejtues i shkollës, këshilli i nxënësve, këshilli i prindërve dhe bashkësinë e gjerë. Si rrjedhojë e kësaj kërkohet angazhimi i përbashkët i të gjithë aktorëve në mënyre që të përfshihet rëndësia e zhvillimit të vizionit si dhe të pasqyrohen vlerat në të cilat beson shkolla, si p.sh në punën profesionale të udhëheqjes , të mësimdhënësve për mësimdhënie efektive , bashkëpunimin e gjithë stafit që të kontribuojnë për mësimnxënie efikase. Për të qenë me të vërtetë i efekshëm , vizioni i shkollës duhet të shkrihet me kulturën e shkollës . Si drejtues i shkollës kam përgjegjshmërinë që ta komunikojë vizionin rregullisht dhe ta afishojë atë në një vend të dukshëm duke inkurajuar të tjerët që vizionet e tyre personale t’i thurin në pajtueshmëri me vizionin e përbashkët të shkollës. Duke qenë se arsimi është sektori publik i organizuar nga shteti ku përfitues të shërbimeve të tij janë shoqëria në përgjithësi dhe secili qytetar veҫ e veҫ. Prandaj formulimi i vizionit në këtë fushë është i drejtuar nga shoqëria. Vizioni në këtë rast është gjendja që duam të shohim në mjedisin në të cilin operojmë, gjendje e së cilës ne me punën tonë mund t’i kontribuojmë ta arrijmë, por kurrë nuk mund ta arrijmë atë vetëm.
Si përfundim, ne mendojmë për shkollën me pasion për të zhvilluar zgjidhje që janë afër nevojave të përditshme të nxënësve, prindërve dhe mësuesve. Në rastin e shkollës sonë tiparet e njw vizioni përfshijnë, qartësinë dhe mungesën e dykuptimtë, tablo të qartë dhe të kthjellët, përshkrimin e të ardhmes së realizueshme si dhe formulimin që mbahet mend dhe të motivon. Një shkollë që funksionon për ne është një shkollë më e bukur dhe e jetueshme.
Vizioni ynë është fotografia e së ardhmes sonë që ne krijojmë me imagjinatën tonë është dera në fund të tunelit që do ta përshkojmë.
Nga Anila Gashi
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Përkujtimi i gjuhës amtare, vëmendjen ta kthejmë nga përdorimi drejt i gjuhës shqipe