Reflektim

Ana ime e historisë...

Sa herë diskutojmë mbi çështje lidhur me arsimin, ka gjithmonë të paktën tri anë të historisë. Ana e prindit, ana e mësuesit dhe ana e nxënësit. Këto tri anë duhet të bëhen një nëse duam të shkojmë drejt zgjidhjes së problemeve, si bashkëpunues, si mbështetës të njëri-tjetrit për më të mirën e fëmijës.

Miq,

Sa herë diskutojmë mbi çështje lidhur me arsimin, ka gjithmonë të paktën tri anë të historisë. Ana e prindit, ana e mësuesit dhe ana e nxënësit. Këto tri anë duhet të bëhen një nëse duam të shkojmë drejt zgjidhjes së problemeve, si bashkëpunues, si mbështetës të njëri-tjetrit për më të mirën e fëmijës.

Ajo që vërehet është përballja mes prindërve dhe mësuesve. Diskutimi këtu në të shumtën e rasteve bëhet për vlerësimin e nxënësit, kur ai nuk është maksimal.


Prindërit u qëndrojnë si një koracë mbrojtëse fëmijëve përballë mësuesit, të cilit i kërkohen shpjegime në çdo rast kur nxënësi është i pakënaqur me notën. Mësuesi, nën trysninë e kërkesës së llogarisë, i ndjerë i cenuar, i vënë në diskutim në aspektin profesional, shpjegon e shpjegon me durim, ndonjëherë edhe bën një marrëveshje të fshehtë për notën duke u vënë kështu shkelmin parimeve dhe standardeve profesionale (sipas së cilave vlerësimi duhet të jetë objektiv, transparent dhe i paanshëm) e duke cenuar MERITOKRACINË. Prindi në këtë rast largohet krenar dhe i lumtur, që ia mblodhi mësuesit dhe e arriti qëllimin. 


Qëllimin? Cili është qëllimi i dashur prind? Ta edukosh fëmijën të fitojë pa meritë, pa ndershmëri?Ta edukosh fëmijën që mësuesi i nënshtrohet prindit?Ta lësh fëmijën në padije, por të lumtur?


Po nëse fëmija nuk e fiton garën e sportit, ti prind do t’i kërkoje shpjegime mësuesit? Do t’i thoje të stërvitet më shumë se mund t’ia dalë? Do ta mbështesje fëmijën në rritje? Më beso, nga ana e mësuesit të them që kjo do të ishte zgjidhja e duhur në çdo rast, jo vetëm në garat sportive. Nëse fëmija nuk largohet nga koraca e prindit, ai nuk rritet asnjëherë. Lërini fëmijët të gabojnë, të mësojnë të ringrihen me forcat e tyre dhe ta shijojnë triumfin me meritë.


Shkolla nuk është një skenë teatrale, nuk është një shfaqje me aktorë të maskuar. Shkolla është një skenë jete ku luhet e ardhmja e fëmijës e rregullat duhet të jenë të barabarta dhe të zbatuara njësoj prej të gjithëve. Lëkundja e vlerave dhe e parimeve nuk cenon vetëm nxënësin, por në tërësi sistemin arsimor dhe të ardhmen e vendit. 


Secili nga ne, në anën e vet të historisë, ka një copëz përgjegjësie për atë që zgjedh të bëjë. Po ti, po zgjedh anën e duhur?



Shkroi, Irida Xhura

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

969 Lexime
1 vit më parë