Alma Mara: Cilët janë matësit e performancës së një morie çerdhesh, kopshtesh dhe qendrash pas shkolle?
Episode të tmerrshme dhune shpërndarë kohë pas kohe në mjetet e komunikimit masiv përforcojnë atë dyshimin që të gjithë kemi sa herë shohim një mori çerdhe-kopshte- After School-esh: a janë ato të sigurta?
Në një perimetër të vogël lagjeje ti mund të gjesh një numër të konsiderueshëm çerdhe/kopshtesh dhe After School-esh të cilët secili kanë nën kujdes një numër të madh fëmijësh.
Hyrje pallatesh deri në kate të larta, ndërtesa të përshtatura të cilat ngjyer me bojëra e arreduar këndshëm, janë kthyer në biznese të mirëfillta ku fitohet me veprimtarinë mbi dhe për fëmijët.
Është e drejta e gjithsecilit që ka kapacitetin dhe potencialin ekonomik të çelë dhe të procedojë me veprimtari të tilla, por shqetësimi është nëse të tilla veprimtari janë produktive dhe të sigurta për fëmijët.
Episode të tmerrshme dhune shpërndarë kohë pas kohe në mjetet e komunikimit masiv përforcojnë dyshimin që të gjithë kemi sa herë shohim një mori çerdhe-kopshte- After School-esh; a janë të sigurta?
Prindërit të cilët kanë orare të zgjatura pune dhe mungesë suporti nga familjarë për ndihmë me fëmijët, bëjnë një kërkim gati-gati investigativ mbi suksesin e këtyre institucioneve për të gjetur të duhurin për fëmijët e tyre.
Sigurisht, asnjë institucion nuk futet në një sipërmarrje të tillë për të evidentuar problemet që ka brenda organizimit të tij. Por puna me fëmijët dhe mbi të gjitha me stafin e punësuar (zakonisht i keq paguar), nxjerr në sipërfaqe probleme madhore të cilat rëndojnë si kosto mbi sigurinë, shëndetin dhe jetën e fëmijëve.
Matës për prindin për mirëqenien e fëmijës në këto qendra është sistemi i kamerave.
Po në rast se ky sistem përgjimi dhe monitorimi nuk është apo nuk funksionon, cili parametër shërbimi në këto objekte garanton cilësinë që kaq shumë e reklamojnë?
A është çmimi i shërbimit të tyre, matës i performancës që është bërë një garë marramendëse marketingu i paimagjinueshëm për Shqipërinë?
Prindërit që i zgjedhin si strehë për fëmijët e tyre a janë përgjegjës për faktin që janë ata që i besojnë pa pyetur për licencimin, cilësinë dhe kualifikimin e tyre për punën me fëmijë?
Kush i monitoron këto biznese të cilat nën emrin e disa shërbimeve që ofrojnë, marrin shifra të mëdha vjetore dhe nuk justifikojnë besimin dhe çmimin që u jepet?
Përse duhet të dëgjojmë raste të vazhdueshme dhune të cilat denoncohen nga prindërit dhe gjykohen në gjendje të lirë?
Mbyllja e këtyre objekteve a zgjidh çështjen e lirisë së jashtëzakonshme të individëve për të organizuar biznese të këtij lloji?
Siguria e fëmijëve nuk është e cenuar vetëm nga dhuna apo psikopatia e pseudo-edukatoreve. Cilësia e ushqimit, ujit, temperatura e ambientit, lagështira në mjediset e këtyre ambienteve, ndriçimi i dobët, lodrat e posaçme për moshën përkatëse, higjiena e shtrojave ku flenë fëmijët, gjuha dhe komunikimi i edukatoreve (mësuesve) janë tregues që cenojnë sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve.
E për aq kohë sa përballë këtyre kritereve të gjithë ne do të mbyllim një sy, në krahun tjetër do të presim rastin e radhës të një fëmije që dhunohet, dëmtohet dhe humb jetën ndërkohë që është besuar tek çerdhja/kopshti ngjitur shtëpisë.
Nga Alma Mara
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Familja sot dhe roli i saj në shoqëri
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit