"7 Marsi"

Albas dhuron libra për bibliotekën e Shkodrës

E pranishme në aktivitet Zëvendëskryeministrja Znj. Senida Mesi shprehu falënderimet për shtëpinë botuese Albas, si dhe nënvizoi rëndësinë e afrimit të të rinjve me librin nëpërmjet gjallërimit të bibliotekave të shkollës.

Në 7 Mars, në këtë ditë të shënuar për edukatorët e dijes, mësuesit, shtëpia botuese Albas ishte e pranishme në Shkodër mes shumë nxënësve dhe mësuesve. Një nga aktivitetet më të rëndësishme ishte ai, që u zhvillua në Bibliotekën “Marin Barleti”, ku shtëpia botuese Albas dhuroi mbi 400 libra të rinj të botuara në 5 vitet e fundit. Në aktivitet ishte e pranishme zëvendëskryeministrja e shoqëruar nga stafi i saj, drejtori DAR, Shkodër, zoti Kadri Ymeraj, mësues dhe nxënës.   

Fjalën e hapjes e mbajti Drejtori i Bibliotekës, Z. Gjovalin Çuni, i cili vlerësoi bibliotekën e Shkodrës, e cila ka mbajtur afër lexuesit me pasurinë e librave të autorëve të mëdhenj, që denjësisht kanë përfaqësuar letërsinë dhe dijen mbarëshqiptare dhe më gjerë.  Znj. Senida Mesi, Zëvendëskryeministre e Shqipërisë kundrejt të tjerave tha se sa me rëndësi është libri për “trampolinimin” e të rinjve në të ardhmen e tyre dhe sfidat që ka libri përballë teknologjisë. Mes të tjerave ajo shprehu falënderimet për bujarinë e shtëpisë botuese Albas, duke e vlerësuar si një dhurim, i cili do të jetë me shumë vlerë për të rinjtë, dhe më tej shtoi se do të jetë e rëndësishme të ngrihen klube leximi dhe jo vetëm për lexim, por dhe që të rinjtë të bashkëbisedojnë e bashkëveprojnë mes tyre, si dhe premtoi se do të ketë mbështetje për gjallërimin e bibliotekave të shkollave, për të afruar të rinjtë më shumë drejt leximit. 

“Kultura që merret nga leximi nuk krahasohet me informacionet e shpejta që gjenden në internet”, - tha znj. Rita Petro, drejtoresha e shtëpisë botuese Albas. Ajo u shpreh se të dhurosh libra në një ditë të shënuar si 7 Marsi, ndihesh se më shumë ke marrë, se sa ke dhënë. Gjithashtu zonja Petro tha se marrëdhëniet e shtëpisë botuese Albas me mësuesit dhe nxënësit janë shumë të hershme dhe të forcuara ndër vite, pasi i lidh diçka e shenjtë, siç është libri. 

“Libri është krijesa më me vlerë që njeriu ka ndërtuar me duart e tij” – u shpreh përkthyesi dhe studiuesi z. Zija Vukaj.


Një grup gjimnazistësh recituan vargje nga poetë të njohur shqiptarë dhe lexuan pjesë nga thëniet të personaliteteve për gjuhën dhe arsimin shqiptar. 


Të gjithë të pranishmit falënderuan shtëpinë botuese Albas për dhurimin e librave fondit të Bibliotekës “Marin Barleti”, duke e vlerësuar dhe si një mesazh për mbështetjen ndaj librit dhe dijes.


(Portali Shkollor)

3,452 Lexime
6 vjet më parë