Albas dhuron libra dhe mjete mësimore për tre fëmijët e Pllumb Dungajt
Albas i qëndron pranë një tjetër familjeje në nevojë duke duke i dhuruar Serxho, Gerasimo dhe Rediol Dungës librat dhe mjetet mësimore për vitin e ri shkollor. Albas u uron suksese dhe rezultate të larta në mësime.
E lindën dhe e braktisën! Gjithë jetën eci rrugëve për të jetuar duke luftuar që të arrijë diçka në jetë. I mungoi gjithçka, luftoi fort për të realizuar ato pak ëndrra që mund të realizojë një fëmijë jetim. Mungesa e një familjeje e kishte bërë që këtë ta dëshironte akoma më shumë, ishte kthyer në qëllim. Nuk u dorëzua asnjëherë, pavarësisht se shumë dyer ju përplasën në fytyrë e jeta u tregua shumë e ashpër me të!
Ia doli! Sot ai ka një shtëpi dhe katër djem. “Bëj gjithçka vetëm për fëmijët e mi, veçanërisht për arsimin e tyre”, kjo është kryefjala e bisedës që zhvilluam me Pllumb Dungajn. Serxho, Gerasimo, Rediol dhe Reis janë arsyeja e jetës së tij. Bën gjithçka për t’iu siguruar një jetë të mirë. Tre djemtë, Serxho në klasën e nëntë, Gerasimo në klasën e pestë dhe Rediol në klasën e katërt, në shkollën “Androkli Kostallari” në kryeqytet, janë nxënës me rezultate të larta në mësime.
Dita e parë e shkollës ishte e vështirë për ta, pasi ata nuk kishin libra dhe mjete mësimore. Por ishte Sh. B. Albas, familja e përbashkët e dijes, që iu siguroi të tre fëmijëve Dungaj të gjithë librat që ishin përzgjedhur në klasat e tyre dhe çdo material që atyre u nevojitet për të filluar vitin shkollor me dinjitet dhe të barabartë me të gjithë shokët e klasës.
I lodhur nga hallet që i rëndojnë mbi supe, jeta e vështirë, gjendja ekonomike dhe sëmundja e djalit të vogël, Pllumb Dungaj erdhi në ambientet e Albas për të marrë dhuratën e përgatitur me shumë dashuri për fëmijët e tij. Teksa tregonte me sinqeritet për jetën, sfidat, vështirësitë dhe mënyrën se si ai me një rrogë mbante shtëpinë, përpara dukej sikur kishe njeriun më të fortë në botë, atë që fiton çdo sfidë dhe që nuk ndalet para asgjëje.
Kur shikon fëmijët e tij harron gjithçka, edhe lodhjen që i shkakton puna gjatë gjithë natës teksa pastron kryeqytetin. E nëse natën lufton për të fituar para, ditën ecën rrugëve të kryeqytetit vetëm me një qëllim, t’u sigurojë fëmijëve një jetë të mirë, një shkollim të mirë, atë që ai vetë nuk mund ta kishte.
Albas ju uron suksese në shkollë Serxhos, Gerasimos dhe Rediolit. Shërim sa më të shpejt të Reisit. Urojmë që në familjen e Pllumb Dungaj të këtë vetëm lumturi!
(Portali Shkollor)
65 tituj të rinj, ALBAS ju pret në Panairin e Librit!
“Fshesarja e Republikës”, Anisa Markarian rrëfehet për romanin e saj të ri
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi