Poezi, verë franceze dhe tinguj pianoje... një mbrëmje nga Rita Petro
Një mbrëmje ndryshe, nën dritën e qirinjve, nën tingujt e pianos, verës franceze, me poezi të shkëputura nga libri “L’origine” (Vrima) i autores Rita Petro dhe poezi të shkëputura nga libri “E bardha pa të bardhë" i poetes franceze Laure Cambau.
Të pranishëm: miq, dashamirës, njerëz të artit dhe të letrave. Pjesë të ndryshme të luajtura në piano nga Laure Cambau. Autorja e librit “E bardha pa të bardhe" zbuloi kështu para miqve një tjetër pasion të saj, pianon.
Rita Petro, autore e vëllimit poetik “Vrima”, tashmë i përkthyer edhe në frëngjisht nën titullin “L’origine”, organizoi një mbrëmje ndryshe për të gjithë të pranishmit. Ajo recitoi poezi nga libri i saj, iu përgjigj kuriozitetit të të pranishmëve lidhur me detaje të librit, stilit të të shkruarit dhe figuracionit të përdorur në poezitë e saj. “Vrima” është përkthyer në frëngjisht nga studiuesi i artit, publicisti, shkrimtari Luan Rama.
Por syrit kritik të profesor Edmond Tupes nuk mund t’i shpëtonte asgjë. Ai nuk ishte dakord me figurën “tunel pa dalje” i përdorur në një nga poezitë e Rita Petros. Debati i këndshëm mbi konstatimin e Tupes i dhanë më shumë gjallëri mbrëmjes. Me shumë kujdes dhe dashamirësi, ashtu siç di vetëm ajo, Rita Petro ftoi edhe miqtë e gjinisë mashkullore të shkruajnë në një libër, ndjesitë e tyre më të fshehta, pasi deri më sot nuk ka një libër, i cili të përshkruajë deri në detaje ndjenjat e një mashkulli.
Nuk kishte si të mungonte në këtë mbrëmje moderatori Rezar Xhaxhiu, i cili vlerësoi autoren e librit “Vrima” dhe theksoi që për të ishte kënaqësi e veçantë që ndodhej aty, kjo edhe falë njohjes së hershme me Petron.
Surprizë e mbrëmjes ishte recitimi në frëngjisht nga arkeologia Etleva Nallbani.
Teksa Laure Cambau luante në piano, Rita Petro dhe Luan Rama e shoqëruan me një vallëzim.
Kjo mbrëmje u drejtua nga moderatorja Beti Njuma.
E në fund të gjithë të pranishmit u larguan duke shpresuar që mbrëmje të tilla do të organizohen përsëri.
Albas pjesë e trajnimit në Athinë me temë “Metodat e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë”
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve
Nxënësit njihen me procesin e shtypjes së një libri