“Adhuroj mësuesit e mi dhe tentoj t’ju ngjaj”
Aranit Malaj, nëndrejtor i gjimnazit “Dervish Hekali” në Mallakastër ndan me ne çaste nga puna e tij, momentet më të bukura por edhe momentet më të vështira.
Prej 20 vitesh është pjesë e arsimit, herë si mësues i biologjisë e herë si drejtues. Modest dhe duke e konsideruar veten para së gjithash mësues, Aranit Malaj na tregon se në fëmijërinë e tij i ka adhuruar të gjithë mësuesit që kanë kontribuar në formimin e tij. Gjatë punës si mësues ai ka tentuar t’u ngjajë, pasi ata e kanë frymëzuar. Pranon se për të qenë një mësues i denjë ka shpenzuar shumë kohë, madje vitet më të mira të tij, rininë. Por nuk pendohet, është i lumtur kur në rrugë shkëmbehet me ish-nxënësit të cilët nuk e kanë harruar. Është krenar për të gjithë nxënësit e shkollës, për rezultatet e arritura deri më sot, por kërkon më shumë.
Sa vite keni në arsim?
Në arsim kam njëzet vite të plota dhe ky në vazhdim është i njëzetenjëti.
Çfarë do të thotë për ju të jeni një ndë drejtuesit e shkollës “Dervish Hekali”?
Të drejtosh një shkollë me 500 nxënës është privilegj dhe përgjegjësi.
Privilegj, pasi ndjehem i vlerësuar duke qenë një ndër drejtuesit e të vetmit gjimnaz publik të qytetit që është njëkohësisht një ndër 60 shkollat e projektit pilot për digjitalizimin e arsimit.
Privilegj pasi punoj me një staf mësuesish të kualifikuar dhe me integritet, bashkëpunoj me shtëpi botuese serioze dhe staf drejtues të kualifikuar (ku bëni pjesë dhe Ju), jam kryetar i KSHMSH (Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore) dhe me këshillimin tim (dhe jo vetëm) ju japim “drejtimin” jetës së maturantëve tanë...
Përgjegjësi lidhur me argumentin e fundit të të qenit i privilegjuar, përgjegjësi pasi koha kërkon më shumë nga ne për të përgatitur të rinj sa më të aftë për të ardhmen, përgjegjësi pasi duhet të jemi ruajtës të ekuilibrave midis nxënësve - prindërve dhe mësuesve.
Cili është momenti më i veçantë i punës tuaj?
Kësaj pyetje po i përgjigjem si mësues dhe jo si drejtues. Mësuesia është një punë që mua më pëlqen ta bëj. Dua të jem pjesë e formimit të të rinjve dhe të kontribuoj që ata të bëhen gjithnjë e më të mirë, më të suksesshëm. Me kalimin e kohës merr dhe sodisfaksionin, kënaqësinë e punës së bërë.
Kur ndeshem me ish-nxënësit e mi të cilët tani janë profesionistë në fusha të ndryshme, më përshëndesin “profesor si je”, dhe ju shpjegojnë kolegëve që ky ishte mësuesi im... Ky është një moment vlerësimi për mua. Ndihem krenar.
E dua punën që bëj. Adhuroj gjithë armatën e mësuesve që kanë qenë pjesë e formimit tim dhe tentoj t'ju ngjaj atyre. Jo vetëm e dua por edhe kam punuar shumë që të jem mësues i denjë. Për t’u formuar në këtë profesion kam shpenzuar kohë, energji dhe periudhën më të bukur të moshës (rininë).
Cili ka qenë momenti më i vështirë me të cilin jeni përballur gjatë punës tuaj?
Momenti më i vështirë ka qenë vitin e kaluar kur më duhej të këshilloja maturantët në lidhje me aplikimet për studimet në IAL dhe nuk kishim as ne informacion (kryesisht në lidhje me formulën e llogaritjes së pikëve, heqjen e koeficienteve të lëndëve të thelluara ...)
A jeni të kënaqur nga rezultatet që kanë arritur nxënësit e kësaj shkolle?
A jam i kënaqur me rezultatet e arritura nga nxënësit? Relativisht po. Maturantët tanë në pjesën më të madhe të rasteve kanë fituar degët e listuara në 4 preferencat e para. Si shkollë jemi përfaqësuar në olimpiadat kombëtare dhe kemi zënë vendin e tretë (lënda kimi).
Pritshmëritë tona (dhe te mijat kryesisht), janë për më tepër dhe mendoj se do t’ia arrijmë këtij qëllimi.
Si është marrëdhënia juaj me stafin pedagogjik?
Marrëdhëniet me stafin pedagogjik i kam jashtëzakonisht të mira.
Cila është motoja e shkollës suaj?
“Besimi juaj te ne, garanci e suksesit"
Po afron “7 Marsi”, cili është urimi juaj për mësuesit?
Ju uroj gjithë armatës së mësuesve gëzuar “7 Marsin”! Qofshin të palodhur në punën e tyre fisnike të edukimit të brezave. Paqja dhe harmonia mbizotëroftë në jetën e tyre.
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu