A po kthehet vetë mësimdhënia në pandemi?
Ky reportazh i referohet përvojave të mësuesve në SHBA gjatë pandemisë. Kjo sepse në Shqipëri nuk kemi statistika, shifra, sindikata, por ama kemi zëra që flasin përmes heshtjes së tyre.
Në Ilinois e vetjma gjë që nuk ka ndryshuar është fakti që mësimi nis në orën 8. Por kjo është pjesa e vetme e ditës që nuk ka ndryshuar për Caitlyn Clayton. Caitlyn Clayton është mësuese e anglishtes në klasën e tetë. Në fillim të ditës, zonja Clayton qëndron para klasës, duke i kujtuar nxënësit e saj të tërheqin siç duhet maskat mbi hundët e tyre. Më tej i duhet të shkruajë shumë në tabelë, në mënyrë që të shmangë të folurin. Ndalon nxënësit të shkëmbejnë ushqime me njëri tjetrin. Ky është absurditeti më i madh, pasi më parë i inkurajonte fëmijët të ndanin gjërat individuale me shokët e klasës. Kohë të çuditshme po jetojmë! Dezinfekton tryezat e nxënësve më të vegjël të cilët janë më të pakujdesshëm. Pra, mund ta kuptoni vetë sa pak kohë i ngelet për të shpjeguar gjuhën angleze.
Pasdite Znj. Clayton fillon ditën e saj të dytë: mësimdhënia në distancë. Ulur në klasën e saj, ajo kontrollon përmes videos nxënësit që kanë zgjedhur mësimin në distancë. Ajo kalon shumë orë duke regjistruar video udhëzuese që përsërisin mësimet, në mënyrë që nxënësit t’i dëgjojnë shumë herë nëse kanë nevojë.
Kjo është një sfidë shumë e madhe emocionale, fizike, psikologjike për mësuesit. Një rraskapitje dhe një hallakatje e vërtetë. Hallakatja vjen edhe nga fakti se e nesërmja është e paparashikueshme. Nuk i dihet nëse dita ditës mund të dalë ndonje udhëzim për mbylljen totale të shkollave dhe mësuesit duhet të jenë në çdo kohë të përgatitur. Ngarkesa nuk ka qenë asnjëherë kaq e madhe për ta. Një punë e dyfishuar.
Shumë mësues thanë se ata ishin bërë gjithashtu punonjës socialë për nxënësit e tyre, duke i drejtuar ata në bankat e ushqimit, duke vepruar si këshilltarë, duke i inkurajuar nëse ndonjë i afërm apo gjysh i tyre ishte i prekur dhe në gjendje të rëndë nga COVID-19. Shumë prej tyre përballen me ankthin, depresionin, mërzinë dhe izolimin e nxënësve. Sigurisht edhe mësuesit kanë koston e tyre.
"Mësuesit nuk janë në rregull tani," tha Evin Shinn, një trajnier i shkrim-leximit në një shkollë të mesme publike në Seattle, duke vënë në dukje se shumë mësues po i vendosnin nevojat pandemike të nxënësve mbi mirëqenien e tyre. "Ne duhet të ndërtojmë më shumë hapësira për shëndetin mendor".
Ekspertët dhe sindikatat e mësuesve po paralajmërojnë për një krizë të pritshme. Në një sondazh të fundit nga Shoqata Kombëtare e Arsimit, sindikata më e madhe e mësuesve në vend doli në përfundim se 28% e arsimtarëve donin ta linin këtë profesion.
Kjo lodhje përfshin të gjithë brezat. Midis të anketuarve në sondazh, 55% ishin mësues veteranë, me 30 vite eksperiencë. Ata po mendonin ta linin profesionin. Ndërsa pjesa tjetër, ishin mësues me më pak eksperiencë 5 ose 10 vite.
"Nëse vazhdohet kështu, do të humbasim një brez të tërë jo vetëm nxënësish, por edhe mësuesish," tha Shea Martin, një studiuese dhe lehtësuese e arsimit që punon me shkollat publike për çështje të barazisë dhe drejtësisë.
Një eksod i mësuesit pandemik nuk është hipotetik. Në Minesota, numri i mësuesve që aplikojnë për përfitime pensioni u rrit me 35% këtë gusht dhe shtator krahasuar me të njëjtën periudhë në 2019. Në Pensilvani, rritja e aplikimeve për përfitime pensioni midis punonjësve të shkollës, duke përfshirë administratorët dhe shoferët e autobusëve, ishte më e lartë se 60% për të njëjtën periudhë kohore.
Në një sondazh në Indiana këtë vjeshtë, 72% e rretheve shkollore thanë se pandemia kishte përkeqësuar problemet e personelit të shkollës. Shumë mësues janë shprehur të demoralizuar duke u shprehur me fjalët: "të mposhtur", "të mbingarkuar", "të tmerruar", "të injoruar dhe të irrituar".
"Unë punoj deri në mesnatë duke u përpjekur të bllokoj dhe ngarkoj të gjitha lidhjet e mia, mësimet, etj” shkroi një arsimtar. “Emaile, emaile pafund. Prindërit më fajësojnë mua sepse fëmijët e tyre vendosin të qëndronin në shtrat, me telefona, në lojëra në vend që t’i përkushtohen shkollës. ”
Të hënën dhe të martën, znj. Gross, një mësuese e gjuhës angleze në shkollën e mesme në Lincroft, NJ, mëson grupe klasash të nënta dhe të 12-ta, ndërsa në të njëjtën kohë udhëzon nxënësit e tjerë që mësojnë nga shtëpia me video. Të enjteve dhe të premteve, grupi i dytë vjen në shkollë ndërsa grupi i parë mëson nga shtëpia. Ajo gjithashtu mëson një grup të tretë nxënësish që nuk vijnë kurrë në shkollë sepse bëjnë mësime vetëm në distance.
"Ne po përpiqeni të jemi dy njerëz në të njëjtën kohë, duke u përpjekur të ndihmojmë edhe ata që studiojnë përpara kompjuterit nga shtëpia, por edhe ata që i kemi në klasë", tha znj. Gross, duke shtuar se nxënësit që mësojnë nga distancë nuk i dëgjojnë shokët e tyre në klasë dhe e anasjellta.
Gjatë gjithë kohës, ajo përpiqet të mbajë njërin vëzhgim në klasë, duke u siguruar që nxënësit e saj po mbajnë maska dhe distancën fizike dhe syrin tjetër në internet ku shpesh nxënësit kanë nevojë për ndihmën e saj për zgjidhjen e problemeve të kompjuterit dhe lidhjes së internetit.
Po ata mësues të cilët kanë edhe punë laboratorike si ia dalin? Po punët praktike si zhvillohen? A po rrisim një brez të gjysmuar? A po kryhet misioni i mësuesit 100% pavarësisht lodhjes?
Sigurisht, në Shqipëri, për fat të keq nuk kemi statistika, nuk kemi shifra, nuk kemi sindikata, por ama kemi zëra që flasin përmes heshtjes së tyre. Ndaj, a po kthehet vetë mësimdhënia në pandemi?
New York Times
Përshtati Parajsa Shtini
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Hartimi i projektit kurrikular
Merrte para nga studentët, pezullohet nga detyra rektorja e Universitetit të Shkodrës, Suzana Golemi
Nis Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve