SHËNDETI PSIKO-EMOCIONAL I NXËNËSIT

A mundemi ne mësuesit të adresojmë traumën post pandemisë?

Një qasje gjithpërfshirëse për adresimin e traumës është thelbësore. Ndërhyrja nuk duhet të jetë vetëm në klasë, por në nivel dhe më të gjerë. Kjo kërkon një ndryshim në politikat dhe kulturën e shkollës.

Të jesh mësues, përveçse është një profesion shumë dinjitoz, normalisht të përball me stresin dhe ankthin njëkohësisht. Sigurisht gjatë pandemisë COVID-19, nxënësit dhe mësuesit kanë kaluar gjithashtu edhe situata traumatike. Të ndodhur para kësaj situate është shumë e rëndësishme mënyra sesi mësuesit mund t'u drejtohen nxënësve të prekur nga trauma dhe ta menaxhojnë atë në përditshmërinë e tyre. 


Së pari, te japim nje përkufizim se “Çfarë është trauma”? Ekzistojnë shumë përkufizime të ndryshme të traumës: "Trauma është një përgjigje emocionale ndaj një ngjarje të tmerrshme (dhe potencialisht kërcënuese për jetën) si një aksident, përdhunim, ose fatkeqësi natyrore. Menjëherë pas ngjarjes, tronditja dhe mohimi janë tipike. Reagimet më të gjata përfshijnë emocione të paparashikueshme, marrëdhënie të tensionuara dhe madje simptoma fizike si dhimbje koke, ose nauze. 


Si të lidhemi me një nxënës, që mund të jetë duke përjetuar traumë? 

Mënyra më e mirë për t'u lidhur me një nxënës është të fillojmë punën në bashkëbisedimin më të afërt. Nxënësit e traumatizuar mund të luftojnë me emocionet e tyre në një nivel aq të lartë sa është e vështirë për ta të menaxhojnë ndjenjat e tyre dhe të përqendrohen në studimet e tyre. Ata kanë nevojë për një mbështetje individuale për të qenë në gjendje të përfshihen në mësim në klasë. Në asnjë mënyrë nuk dua te them se mësuesit duhet të marrin rolin e një terapisti, përkundrazi, unë po sugjeroj, që një mësues të jetë një facilitator ndihmës. Një mësues mund të identifikojë çështjet në fjalë, t’i bëjë të njohura tek të tjerët, tek prindërit, kujdestarët, apo drejtuesit në mënyrë që ata të mund të mbështesin nxënësin. Eshtë thelbësore për të adresuar mirëqenien emocionale të nxënësit dhe arsyet, sepse këto simptoma të traumës po shfaqen. Mësuesit duhet të kenë një diskutim te afërt për të mësuar se çfarë po ndodh në shtëpi, në shkollë dhe në komunitet dhe të përdorin parimet e të mësuarit social-emocional në bashkëbisedim. Duke vepruar kështu, nxënësit kanë më shumë të ngjarë të jenë të përgjegjshem në klasë dhe performanca e tyre mund të përmirësohet. 


Për shembull, një mësues mund të vërejë, që një nxenes është nervoz dhe i shpërqëndruar pas një ngjarje traumatike. Një mësues mund të thotë: 

• Unë vërej që keni pasur vështirësi të përqendroheni në klasë që nga ngjarja. 

• Ndoshta mund të gjejmë disa mënyra për të adresuar ndjenjat tuaja, në mënyrë që të mund të përqendroheni përsëri? 

• A mund të përshkruani atë që ndjeni? 

• Sa të pengojnë këto ndjenja të jesh i vëmendshëm në klasë? 


Kur flasim për simptomat e traumës me nxënësit, cilat janë disa nga ato simptoma? 

Eshtë e zakonshme të ngatërroni simptomat e traumës për hiperaktivitet, pasi disa nga simptomat janë të ngjashme. Në klasë, mësuesit mund të shohin sjellje si hipervigjilencë, nxitje, vështirësi në përqëndrim, nervozizëm, lojë përsëritëse tematike rreth një ngjarje traumatike, simptoma somatike, sjellje regresive, ose pasivitetit. 


Përmendëm mësimin emocional-social, pra mund të flasim pak rreth kësaj?

Fatkeqësisht, për shumë fëmijë, mund të jetë sfiduese për të etiketuar, kuptuar dhe rregulluar emocionet. Fëmijët shpesh nuk kanë mundësi t’i mësojnë këto aftësi, kështuqë çdo mësimdhënie në klasë duhet të përqëndrohet në bazat e të mësuarit social-emocional, siç janë njohja, të kuptuarit, etiketimi, të shprehurit dhe rregullimi i emocioneve të tyre. Pra, të ndihmojmë nxënësit të menaxhojnë ndjenjat e tyre në mënyrë, që ata të jenë nxënës më të mirë; ekzistojnë një numër qasjesh të ndryshme ndaj të mësuarit social-emocional, që janë po aq efektive. Kur mësojnë për ndjenjat dhe marrëdhëniet, nxënësit bëhen të aftë të rregullojnë emocionet e tyre dhe të pastrojnë rrugën për të mësuar. 


Si mund t’i drejtohet një mesues një nxënësi që po kalon nje traumë? 

Së pari, është e rëndësishme të gjejmë kohën dhe vendin e duhur për t'i kushtuar nxënësit vëmendjen tonë të plotë. Të bisedojmë me ta, për atë që është me sipërfaqësore. Ju mund të thoni, "Unë shoh që është e vështirë për ju të përqëndroheni në dy ditët e fundit. Mund të më thoni çfarë po ndodh?" dhe lejoni ata të ndajnë me ju atë që mund ta preokupojë, ose shpërqendrojë. Eshtë e rëndësishme të përmendim që një qasje gjithpërfshirëse për adresimin e traumës është thelbësore. Ndërhyrja nuk duhet të jetë vetëm në klasë. Një qasje efektive në trajtimin e traumës kërkon një ndryshim në politikat dhe kulturën e shkollës. Të gjithë shkollat, si dhe komuniteti, janë thelbësore për të adresuar nevojat e fëmijëve tanë. Një mirënjohje të veçantë për të gjithë punonjësit arsimorë, të cilët sakrifikojnë tepër shumë nga vetja, për brezat e rinj!



Shkroi: Julinda Toda, mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë, në shkollën "Nënë Tereza” Durrës

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,332 Lexime
4 vjet më parë