A mendoni se provimi i kualifikimit përcakton “nivelin” e një arsimtari? Nga Evans Drishti
Në artikull parashtrohen disa sugjerime që ky proces i provimit të kualifikimit të mësuesve të mos bëhet i vështirë, duke shkaktuar pasiguri apo paqartësi në përgatitjen e tyre. Artikulli shtron edhe shumë pyetje për zgjidhje...
Që nga pikënisja e këtij viti shkollor 2021 – 2022, pra që nga muaji Shtator nisi një periudhë “stresuese” dhe “përgjegjësuese” për të gjithë kandidatët që konkurruan në provimin e kualifikimit të mësuesve 2022.
Ky lloj provimi në vetvete konsiston në përcaktimin e nivelit të mësuesve sipas përvojave në mësimdhënie duke u ndarë në tri kategori: a. 5 vjeçar b. 10 vjeçar c. 20 vjeçar.
Në fazën e parë arsimtarët përgatitën “dosjet” e tyre, të cilat ndaheshin në a. Dosje personale dhe b. Dosje profesionale duke u vlerësuar që në pikënisje të këtij rrugëtimi me 30 pikë në rastet kur kjo dosje do të plotësojë të gjitha kriteret e kërkuara.
Më pas të gjithë kandidatët arsimtarë i nënshtrohen një “testimi” për 70 pikë nga ku 30% e zë pjesa e dokumentacionit ligjor dhe 40% pjesa profesionale e formimit në fushën përkatëse.
E parë nga pikëpamja profesionale arsimtarët me të drejtë e ndjenë veten të përgatitur, pasi secili punon me përkushtim dhe përgjegjësi në realizimin me sukses të planin të ofruar nga MAS dhe për këtë nuk ndjen ndonjë “shqetësim” në lidhje me vështirësitë e pyetjeve të testimit.
Vështirësia në fakt qëndron në përgatitjen e arsimtarit në planin e dokumentacionit ligjor, pasi:
- Arsimtarët njihen vetëm me strukturën e plan programeve mësimore e lëndore me të cilat ata merren intensivisht për gjatë tërë vitit shkollor dhe nuk janë të azhurnuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me dokumentacionin ligjor.
- Në të shumtën e rasteve dokumentacioni ligjor mbetet nëpër dosjet e stivuara mjaft mirë në raftet e drejtorive të shkollave.
- Mungojnë takimet pedagogjike apo konsultative me stafet pedagogjike, ku arsimtarët e kanë të detyrueshme të kuptojnë dhe analizojnë pikërisht këto “shkresa ligjore”.
Nëse Drejtoria e shkollës do të merrte hapa konkretë për zbardhjen e dokumentacionit ligjor të shkollës
- Për prezantimin e Udhëzuesve për kualifikimet
- Për prezantimin e Kodit të Etikës në Arsimin parauniversitar
- Për Standardet Profesionale të Formimit të përgjithshëm dhe të Formimit lëndor të mësuesit
- Për Rregulloren e Funksionimit te IAP
- Për Kornizën e Vlerësimit të Nxënësit
- Për Kurrikulën Bërthamë AMU dhe AML etj
duke i prezantuar nëpërmjet seminareve trajnuese të ndryshme të realizuara në kohë dhe periudha të ndryshme brenda një viti shkollor, natyrshëm që edhe njohja e këtyre “udhëzimeve” do të bëhej më e lehtë për të gjithë punonjësit e arsimit parauniversitar duke mos u shkaktuar asnjë lloj pasigurie apo paqartësie edhe në përgatitjen e tyre për këtë provim të kualifikimit.
Kjo sepse:
Arsimtari është një vlerë dhe duhet të vlerësohet
Arsimtari është një intelektual dhe duhet të përfitohet nga intelektualiteti i tij;
Arsimtari është një specialist i fushës dhe duhet të specializohet;
Arsimtari është një studiues dhe duhen krijuar kushte të volitshme për zhvillimin e studimeve dhe hulumtimeve të duhura dhe konkrete;
Arsimtari është një burim shkencor dhe duhet ofruar kushte të domosdoshme që ta pasurojë burimin e tij shkencor;
Arsimtari është burim referues, prandaj kërkohet t’i krijohet mundësia e një bashkëpunimi me kolegë brenda dhe përtej institucionit arsimor, në mënyrë që të krijojë urat lidhëse bashkëvepruese;
Arsimtari është projektues dhe për këtë kërkohet t’i vihet në dispozicion kohën dhe mjete të duhura për të zhvilluar projektet e larmishme që shërbejnë në emancipimin e individit dhe brezit të ri;
Arsimtari është një ekspert që njeh mjaft mirë fushën e tij përkatëse me të gjitha misteret që shpalos ajo fushë;
Arsimtari është një metodolog që arrin të zbatojë me përpikëri në vendin dhe kohën e duhur çdo metodë të nevojshme në zhvillimin e një procesi kurrikular dhe ekstrakurrikular;
Arsimtari është një menaxher që merr përsipër të menaxhojë çdo lloj situate brenda dhe përtej një kabineti edukativ;
Arsimtari është një konsulent profesionist që ofron orientime model për çdo natyrë nxënësi apo edhe prindi duke dhënë shpjegimet e duhura dhe të kuptueshme rreth procesit zhvillimor të një fëmije;
Arsimtari është një misionar i betuar mbi vlerat e dinjitetit njerëzor dhe profesional për një përgjegjshmëri të pathyeshme në zbatimin profesional;
Arsimtari është një vizionar, që prodhon dita ditës këndvështrime dhe aspekte të larmishme në realizimin profesional të detyrës së tij;
Arsimtari është një mjeshtër i cili kupton mjaft mirë të thënat dhe të pathënat e ofruara të profesionit që ushtron;
Arsimtari është ideolog që reflekton dhe pasqyron dita ditës ide të qarta, konkrete, të realizueshme, ambicioze, shpërthyese, reaktive, gjallëruese, elekuente, koherente…
Arsimtari s’mbetet thjesht i kufizuar në profesionin e një “mësimdhënieje”, përkundrazi është shumë më tepër se një historian, gjeograf, gjuhëtar, letrar, fizikan, kimist, matematicien, muzikant, biolog, psikolog, astronaut, sportist, piktor, artist…
Arsimtari është një lexues i rregullt dhe vigjilent që s’mjaftohet vetëm me “leximin” e materialit të vet lëndor, por përkundrazi…
Arsimtari është një lexues i shpirtit njerëzor, që di të lexojë mendjen e drejtuesit, të kolegut, të nxënësit, të punonjësit, të prindit, të një qytetari, të një intelektuali apo të një njeriu të thjeshtë…
Arsimtari është dhe mbetet shtylla bazë e shoqërisë sonë i edukuar dhe i arsimuar me profesionalizëm për të ndërtuar me shumë kujdes muret e pathyeshme të kalasë legjendare të shoqërisë ku jetojmë…
Nga një arsimtar i plotësuar me të tilla vlera del arsimtari, inxhinieri, arkitekti, mjeku, polici, piktori, muzikanti, astronauti, shkrimtari, …. Del njeriu bashkëkohor dhe konservator, tek i cili është i lidhur edhe vijimësia e procesit dhe bashkëveprimit shoqëror.
Nisur nga këto shtrohet pyetja:
A është koha të reflektohet edhe për “procese” të tilla “kualifikimesh” ?
- Mënyrat e realizimit të tyre
- Të jetë në formën e një “testimi” apo të një “cikli projektesh kualifikuese”
- Të lihet të presë me minuta të tëra përpara “testit” apo të respektohet dhe të vlerësohet intelektualiteti i tij nëpërmjet bashkëveprimeve lëndore dhe ndërlëndore,
- Të vihet përballë “proceseve testuese të kohës” apo “proceseve hulumtuese bashkëkohore”
- Të nxirret në pah aftësia e “disa” njohurive profesionale apo të zhvillohet aftësia projektuese për krijimin e standardeve të avancuara që natyrshëm vijnë edhe në përputhje me kushtet dhe rrethanat përkatëse? …
Kualifikimi është dhe mbetet një domosdoshmëri si për çdo profesion ashtu edhe për fushën e arsimit qoftë për rritjen e cilësisë, qoftë për rritjen e standardeve, qoftë për ngritjen e nivelit arsimor mbi bazën e proceseve cilësore dhe efikase, qoftë për zhvillimin e vizioneve dhe horizonteve largpamëse, gjithnjë duke krijuar një terren të duhur për nxjerrjen në plan të parë të qasjeve të ndryshme që synojnë emancipimin dhe zhvillimin intelektual të shoqërisë ku jetojmë.
Nga Evans Drishti
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Përkujtimi i gjuhës amtare, vëmendjen ta kthejmë nga përdorimi drejt i gjuhës shqipe