Zgjedhjet

12 Rektorët fitues, Mynyr Koni merr drejtimin e UT

Në garën për rektor të Universitetit të Tiranës ka fituar kandidati Mynyr Koni, te Universiteti Politeknik Andrea Maliqari, te Bujqësori ka fituar Bahri Musabelliu, te Artet Kastriot Çaushi

Zgjidhen drejtuesit e rinj të universiteteve publike. Stafet akademike dhe studentët kanë votuar për kandidatët për rektor, dekan, shef departamenti dhe senatet akademike. Në të 12-ta universitetet publike janë zyrtarizuar, rektorët dhe pjesa më e madhe e dekanëve të rinj që do të drejtojnë këto institucione në katër vitet e ardhshme.

Në garën për rektor të Universitetit të Tiranës ka fituar kandidati Mynyr Koni, te Universiteti Politeknik Andrea Maliqari, te Bujqësori ka fituar Bahri Musabelliu, te Artet Kastriot Çaushi. Ndërkohë që, gara ka qenë më e fortë mes kandidatëve te Universiteti i Mjekësisë dhe te ai i Sporteve, ku rëndësi në shpalljen e rektorëve fitues ka pasur vota e studentëve. Në mesnatë në këto dy universitete përfundoi numërimi i votave të studentëve, ku u shpall te Mjekësia rektor Arben Gjata, ndërsa te Sportet Agron Cuka.

UT & Mjekësia & Sportet

Në Universitetin e Tiranës, ku tensionet gjatë zgjedhjeve kanë qenë më të mëdha, nga numërimi i votave të pedagogëve ka rezultuar se kryeson kandidati për rektor Mynyr Koni, i cili ka marrë 460 vota, ndërsa kandidatja Klodeta Dibra ka marrë 242 vota. Pjesëmarrja në procesin e votimit në Universitetin e Tiranës ka qenë e lartë, 98%. Në garën te Universiteti i Sporteve, kryeson kandidati Agron Cuka me 40 vota të pedagogëve, pra 4 vota më shumë ndaj kandidatit tjetër Artan Shytaj, i cili ka 36 vota, ndërsa 2 vota janë të pavlefshme.

Rektorin e ri të Sporteve do ta përcaktojnë votat e studentëve, edhe pse ato përbëjnë vetëm 10% të peshës totale. Po ashtu, edhe te gara për rektorin e Universitetit të Mjekësisë një rëndësi ka pasur vota e studentëve, të cilët i kanë dhënë fitoren rektorit Arben Gjata. Po ashtu, Gjata ka marrë në total 105 vota të pedagogëve, Petrit Bara 99 vota, ndërsa Mira Rakacolli 66 vota.

Politekniku & Bujqësori

Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës u zgjodh Andrea Maliqari. Ai u shpall fitues që me votat e pedagogëve. Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike fitoi Jorgaq Kaçani. Dekan i Fakultetit Teknologji Informacioni u zgjodh Vladi Koliqi, te Inxhinieria Matematike dhe Inxhinieria Fizike u shpall fitues Ligoraq Nikolla, bashkëshorti i ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, i cili garonte i vetëm në këtë garë. Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit u shpall Gëzim Hasko. Te Gjeologji-Minierat fitoi Vasil Jorgji. Dekan i Gjeoshkencave u shpall Fatos Hoxha. Në Universitetin Bujqësor ka fituar garën për rektor Bahri Musabelliu, me 103 vota pedagogësh më shumë ndaj kandidatit tjetër Adrian Maçi.

Artet & Rrethet

Dekani i Fakultetit të Artit Skenik, Kastriot Çaushi ka fituar me një diferencë të madhe votash ndaj 2 kandidatëve të tjerë në garën për rektor të Universitetit të Arteve, Artan Peqini dhe Fatmir Hysi. Çaushi ka marrë 92 vota. Në Elbasan ka përfunduar numërimi dhe rektor është zgjedhur profesor Skënder Topi, i cili ishte edhe kandidati i vetëm. Mësohet se Topi ka fituar 92% të votave. Edhe në Universitetin e Vlorës ka fituar me 95% të votave Roland Ziso, i cili ishte i vetëm në garë, pasi Bilal Shkurtaj u tërhoq nga gara për rektor.

Po ashtu, ka mbaruar numërimi i votave për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Korçës, ku fitues rezulton Ali Jashari. Ai ka marrë 78 vota, kundrejt kandidatit tjetër për rektor, Lorenc Konomi, i cili mori 68 vota. Në këtë garë, një prej rektorëve do të jetë femër, pasi në Durrës ka fituar kandidatja për rektore Kseanela Sotirofski. Ndërsa në Shkodër, Adem Bekteshi do të jetë rektori i ri i universitetit. Bekteshi fitoi garën përballë Arjeta Troshanit, e cila nuk arriti që të zgjidhej pas numërimit të votave të pedagogëve dhe studentëve. Në Universitetin e Gjirokastrës ka fituar garën për rektor Bektash Mema, ndaj kandidatit Kostaq Hila.

Kandidatët fitues për rektor

Universiteti i Tiranës

  1. Klodeta Dibra, 243 vota
  2. Mynyr Koni, 460 vota

Universiteti i Mjekësisë

  1. Arben Gjata, 105 vota
  2. Mira Rakacolli, 66 vota
  3. Petrit Bara, 99 vota

Universitetit Politeknik

  1. Andrea Maliqari, fitues me votat e pedagogëve
  2. Përparim Hoxha
  3. Andonaq Londo Lamani

Universiteti Bujqësor

  1. Bahri Musabelliu, 103 vota plus
  2. Ardian Maçi

Universiteti i Arteve

  1. Kastriot Çaushi, 92 vota
  2. Artan Peqini, 33 vota
  3. Fatmir Hysi, 13 vota

Universiteti i Sporteve

  1. Agron Cuka, 40 vota, fitues me 53.6% të votave (vota pedagogësh + studentësh)
  2. Artan Shytaj, 46.4% vota

Universiteti i Durrësit

  1. Kseanela Sotirofski, 213 vota
  2. Elmaz Leci, 45 vota
  3. Bardhyl Ceku

Universiteti i Vlorës

  1. Roland Ziso, 186 vota pro, 7 kundër

Universiteti i Elbasanit

  1. Skënder Topi

Universiteti i Shkodrës

  1. Adem Bekteshi, fitoi me votat e pedagogëve
  2. Arjeta Dibra

Universiteti i Gjirokastrës

  1. Bektash Mema, 93 vota
  2. Kostaq Hila, 31 vota

Universiteti i Korçës

  1. Ali Jashari, 78 vota
  2. Lorenc Konomi, 68 vota

(Nga Ermelinda Hoxhaj, GSH)

1,850 Lexime
8 vjet më parë