Aktualitet

1100 mësues dhe 1600 nxënës me Covid-19, Kushi: Shkollat i mbyllëm për shkak të ngrirjes së depozitave, problem edhe rrugët

Sipas ministres së MAS, vendimi për mbylljen e shkollave nuk ka lidhje me situatën e infektimeve prej Covid-19, por ajo ka pranuar se në shkollat shqiptare ka një rritje të ndjeshme të numrit të të prekurve, duke specifikuar se deri të premten, ishin 1100 mësues të konfirmuar me Covid-19 dhe 1600 nxënës.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se vendimi për mbylljen e shkollave nuk është marrë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, por për shkak të parashikimeve për kushte ekstreme të motit në të gjithë vendin.


Megjithatë, ajo pranoi se në shkollat shqiptare ka rritje të ndjeshme të rasteve me Covid-19. “Ky vendim nuk ka lidhje me situatën e Covid-19. Edhe këtë situatë po e monitorojmë, sepse ka një rritje të numrit të të infektuarve. Deri të premten, ishin 1100 mësues të konfirmuar me Covid-19 dhe 1600 nxënës. Për herë të parë më shumë nxënës sesa mësues”, tha ministrja për gazetarët pas një aktiviteti për Ditën Ndërkombëtare të Arsimit. Megjithatë, ajo shtoi se për momentin nuk janë ende kushtet që shkollat të mbyllen për shkak të Covid-19.

Në total, në arsimin parauniversitar janë të regjistruar 394 475 nxënës dhe 33 027 mësues, sipas INSTAT.


Ajo këmbënguli se vendimi për t’i mbyllur shkollat për tri ditë nuk kishte të bënte vetëm me gjendjen e tyre dhe mungesën në disa raste të kushteve. “Kemi qenë të detyruar t’i mbyllim për tri ditë shkollat, për shkak të kushteve të rënduara atmosferike. Kjo lidhet edhe me rrugën që duhet të bëjnë nxënësit deri në shkollë”, tha ajo.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,191 Lexime
2 vjet më parë