Zhvillimi psikomotorik, çfarë duhet të ketë përvetësuar fëmija sipas moshave përkatëse? Nga Lorela Garuli
Psikomotorika, pra përfaqësimi mendor që duhet të ketë fëmija për trupin e tij vlerësohet sipas kritereve e standardeve të zhvillimit, që janë sipas stadeve dhe moshave përkatëse. Njihuni me to nëpërmjet këtij artikulli të përgatitur nga psikologia e njohur Lorela Garuli.
Psikomotorika ka të bëjë në mënyrë specifike me skemat trupore dhe orientimin kohor-hapësinor të fëmijës. Skemë trupore, është termi që përdoret për të përshkruar atë lloj përfaqësimi mendor që zotëron fëmija për veten e vet fizike dhe trupin e tij.
Njohja me karakteristikat e zhvillimit psikomotorik të fëmijës është e nevojshme për të kuptuar në mënyrë më tërësore dhe të plotë nivelin e tij të zhvillimit në shumë dimensione; psikomotorika, orientimi kohor-hapësinor, zhvillimi motorik, kryerja e lëvizjeve dhe përdorimi i njërës apo tjetrës anë të trupit do të pasqyrohen dhe në aftësitë për të lexuar dhe shkruar të fëmijës.
Kështu p.sh, vështirësitë në orientimin hapësinor do të shfaqen dhe në aftësitë e fëmijës për të lexuar apo kopjuar shkronja të cilat janë të ngjashme dhe për t’i pozicionuar në rendin e caktuar në fjalë apo fjali. Gjatë zhvillimit të mëvonshëm dhe ecurisë shkollore, këto vështirësi në orientimin kohor e hapësinor manifestohen dhe në fusha më të gjera, si gjeografia, mbajtja mend e rrjedhës së ngjarjeve historike apo e koordinatave fizike.
Psikomotorika, pra përfaqësimi mendor që duhet të ketë fëmija për trupin e tij vlerësohet sipas kritereve e standardeve të zhvillimit, që janë sipas stadeve dhe moshave përkatëse:
-Deri në moshën 5-vjeçare fëmija duhet të ketë përvetësuar elementet më të rëndësishme të skemës trupore, duhet të njohë pjesët kryesore të trupit të tij, të dijë t’i emërtojë dhe t’i lokalizojë ato.
-Në moshën 5-6 vjeçare përveç se të dijë pjesët e trupit dhe se ku ndodhen ato, fëmijët duhet të jenë në gjendje të bëjnë dhe dallimin e majtë-e djathtë.
-Në moshën 6-7 vjeçare fëmijët duhet të jenë në gjendje të kuptojnë dhe zbatojnë udhëzime të lidhura me lëvizjen e pjesëve të ndryshme të trupit, me sytë hapur, e më tej me sytë e mbyllur, duke u orientuar në mënyrë të saktë përkundrejt objekteve dhe njerëzve të tjerë.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?