Ushqimi

"Vizitoni Shqipërinë, gatimet tradicionale janë të mrekullueshme"

“Ashtu si disa vende të tjera të Ballkanit, Shqipëria ka qenë relativisht e pazbuluar nga turistët, megjithatë nuk është thjesht vendi me bukuritë e tij të mëdha natyrore që meriton të eksplorohet”

Ushqimi, recetat tradicionale shqiptare kanë tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj. Së fundmi revista “Travelpulse” i ka kushtuar një shkrim Shqipërisë duke theksuar se ushqimi është një ndër arsyet që ia vlen të vizitohet Shqipëria.

“Ashtu si disa vende të tjera të Ballkanit, Shqipëria ka qenë relativisht e pazbuluar nga turistët, megjithatë nuk është thjesht vendi me bukuritë e tij të mëdha natyrore që meriton të eksplorohet. Duhet të mbani parasysh se ka një kuzhinë të mrekullueshme”, thotë “Travelpulse”, që rendit më pas 5 ushqimet që siç thotë, nuk duhen humbur kurrsesi gjatë vizitës në Shqipëri.

Tepër e shijshme, e ushqyeshme dhe e lehte për xhepin, listën e kryeson fërgesa që duket se të huajve u ka lënë goxha përshtypje. “Do të kënaqeni e do të ngopeni”, thuhet në faqen online përpara se të vazhdohet me këshillat për pjatën tjetër.

“Tava e kosit nuk është më kot një nga më të famshmet në vend. Kur do ta shijoni do ta kuptoni përse është këshilla e radhës për të huajt”, thotë revista duke kujtuar gjithashtu se nuk mund të lënë të paprovuar specat e mbushur, prodhimet e detit që nuk gjenden vetëm në Shqipëri, por që në qytete bregdetare si Saranda i sheh me sy e i zgjedh vetë të freskëta përpara se të gatuhen.

Ëmbëlsia për në fund dhe mbretesha e traditës, sipas “Travelpulse”, është Shëndetlija, të cilës mjalti dhe arrat i japin një shije të ndryshme nga të tjerat.

Nëse ende nuk e keni provuar ushqimin shqiptar, ju këshillojmë që ose të prenotoni një fluturim në këtë vend, ose të kërkoni ndonjë restorant tradicional shqiptar në qytetin tuaj, sepse këtë shije nuk mund ta humbisni e nuk do të mbeteni të zhgënjyer”.

4,151 Lexime
8 vjet më parë