Kujdesi

Tryeza e vjeshtës, ushqimet që nuk duhet të mungojnë

Njihuni me produktet e stinës që na ndihmojnë të përballojmë ndryshimet tipike të kësaj periudhe të vitit. Vlerat e këtyre ushqimeve dhurojnë shëndetin e mirë.

Jemi në vjeshtë dhe ky është një moment delikat, pasi organizmi jonë është i ekspozuar më pak në diell dhe në temperatura të cilat janë të ndryshueshme. Ndaj është e rëndësishme që t’i kushtohet vëmendje e veçantë ushqimeve që konsumojmë. Ne ju listojmë disa nga produktet ushqimore të cilat konsiderohen si “ilaç” i vjeshtës: 


Shega

Përveçse e shijshme si frutë, shega është shumë e mirë për sytë. Kokrrat e saj të kuqe përmbajnë shumë minerale (sidomos zink, magnez, fosfor, bakër) dhe garantojnë një përmbajtje të mirë antioksidantësh, fibra dhe vitamina, sidomos vitaminë A,C dhe K. 


 

Kungulli i verdhë

Kungulli i verdhë përmban vitaminë A, Omega 3, antioksidant dhe karroten. Ngjyra, shija e ëmbël dhe aroma e gatimit të tij në kuzhinë do të preferohej edhe nga të vegjlit e familjes. Ndërkohë, Halloween-i nuk është shumë larg, kështu që pjesën e tij të jashtme mund ta ruani për dekorin e rastit.

Lule lakra dhe brokoli 

Edhe pse jo të gjithë i pëlqejnë për shkak të aromës së tyre të pakëndshme, lule lakra dhe brokoli janë burim i çmueshëm i vitaminës C, yndyrave esenciale dhe kalciumit. Për t’i gatuar ato duhet të zgjidhni një gatim të shkurtër dhe delikat, sepse vitamina C shkatërrohet nga nxehtësia. Në vend të zierjes, mund të zgjidhni gatimin me avull. 

Spinaqi 

Dihet tashmë që spinaqi përmban një sasi të konsiderueshme hekuri. Ndërkohë që këtij produkti nuk i mungojnë as vitaminat dhe as kripërat minerale. 

Veza 

Mund të konsiderohet si mbretëresha e tavolinës së vjeshtës. Efekti i saj detoks (pastrues për organizmin) është i njohur tashmë. Veza është e pasur me antioksidantë, të dobishëm për të luftuar plakjen e muskujve dhe të polifenoleve që luajnë rol të rëndësishëm në qarkullimin e gjakut. 

Xhenxhefili 

Nëse jeni pro shijeve pikante është e rastit që xhenxhefilin ta konsumoni siç është, kuptohet duke e pastruar nga lëkura ose përndryshe mund ta përdorni duke e zierë në çaje apo si erëza në supa të ndryshme. Ai është i duhuri për të forcuar sistemin imunitar dhe për të parandaluar gripin, ftohjen dhe dhimbjen e fytit. 

Frutat e thata 

Tre ose katër kokrra nga frutat e thata (arra, bajame, lajthi, stika) mund t’i konsumoni shpesh si mini vakte në një ditë. Mund t’i shtoni edhe në mëngjes tek kosi me fruta apo drithërat me qumësht. Frutat e thata gjithashtu forcojnë imunitetin ndërsa ndihmojnë sistemin kardiovaskular të funksionojë më mirë dhe lëkurën e bëjnë më të bukur. 

Agrumet dhe kivi 

Lëngu i portokallit është një ide shumë e mirë për të nisur ditën. Ai përmban një sasi të madhe të vitaminës C. Kjo e fundit është akoma dhe më shumë e pranishme tek kivi, që është shumë i mirë edhe për sistemin tretës. 

Mollët dhe dardhët

Këto janë fruta tipike të stinës së vjeshtës: të shijshme dhe të duhurat për shëndetin. Nuk përmbajnë shumë kalori dhe si të tilla mund të konsumohen në rast se keni shumë uri apo kur jeni me dietë, por pa e tepruar sigurisht.

 

 

(BurimiTgcom24, Portali Shkollor) 

2,342 Lexime
5 vjet më parë