Ti dhe 21 vitet që janë mes nesh
"Sa larg thua jemi ne nga ti, përderisa me aq mllef ti ndjen nevojën të më ngatërrosh në qorrsokakë gramatikash e labirinte logjike. Me mua të paktën, të ndajnë vetëm 21 vjet."
Kur përplas derën dhe më thua se ne nuk të kuptojmë dot, unë mbetem peng i ndajfoljes “dot”. Së pari luftoj me gramatikën që e cilëson mënyrë, duke dashur t’i jap prioritet logjikës që ma pozicionon sasi.
Sa larg thua jemi ne nga ti, përderisa me aq mllef ti ndjen nevojën të më ngatërrosh në qorrsokakë gramatikash e labirinte logjike. Me mua të paktën, të ndajnë vetëm 21 vjet.
Si do të ishin 21 vitet tona nëse do të ndesheshin një ditë në rrugë?
….e vogla shkolla ime. Pas bankës sime rrinte gjithmonë Gjergji që më kapte kordelen dhe unë sapo shkoja në shtëpi me vrap e laja, sepse duart e tij më dukej se lëshonin shenjka të çuditëshme. Para meje Anja, anash Driti dhe në mes të rreshtit të dytë, Keli që e adhuroja ngaqë kishte xhinse të mrekullueshme nga Amerika. Ne këmbenim libra mes nesh dhe mua më ka mbetur ende në mëndje fletorja me viza të kuqe, ku shkruaja datën se kur duhet të ktheja një roman apo të më kthenin një dramë.
..kur ti shkoje në gjimnaz, ne u kujdesëm të të zgjidhnim laptopin më të fundit. E nëse anglishtja jote perfekte të ndihmonte të lexoje rrjedhshëm në emailet që nuk reshtnin, në bankat rreth tëndes nuk kishte vetëm Anja dhe Kelë. Ishte djali që kishte lindur në shtetin fqinjë dhe tani përpëlitej mes tri gjuhëve, nga të cilat shqipja kokfortë i përplaste tëmthat. Ishte vajza e fabrikantit turk që më thoje se “të gjuante” (uau, s’do kisha guxuar kurrë me tim atë këtë frazë). Po ishte pastaj profesori i spanjishtes, një katalanas i pamëshirshëm që të bindi se spanjishtja, si ushtria e Frankos po sulmonte anglishten, dashurinë tënde të madhe. Ti ishe në një klasë që ndryshe nga e imja, nuk kishte kufij….
Kur muri i Berlinit rrëzonte kohën, unë duhej të kem qenë akoma më pak vite se ç’je ti tani. Njerëzimi deri në fundin e shekullit të rinisë sime të plotë kishte bërë udhë. Një udhë milionavjeçare, ku shkrimi, si dëshmitari më i besueshëm i kohës kishte stolisur evolucionin human.
Kur ti u ule për herë të parë në kompiuter, (sapo kish mbushur muajin e 12 të jetës), evolucioni human miliona vjeçar sfidohej denjësisht nga evolucioni teknologjik, vetëm disa vjeçar ky i fundit. Kohët po përplaseshin në trurin tim dhe po ecnin natyrshëm në tëndin...Sepse, nëse unë ende sot e kësaj ditë ruaj me fanatizëm stilografin e leksioneve, ti me një tastierë që pothuajse nuk shihet, me sjell mysafirë në çdo kohë rreth tryezës së drekës. Dhe unë e di që ne të tre, në tryezë, nuk jemi asnjëherë tre....
Kam patur edhe unë një kohë shkrimesh. Kam shkruar telegrame tim eti, ku kujdesesha të gërmëzoja rrjedhshëm e qartë shqipen time, sepse e dija që një gërmë e venë keq do ta sillte në mes të natës atje ku flija unë. Kam shkruar letra malli për miq që rruga m’i çonte larg. Kam shkruar poezi dashurije për psherëtimat e pamundura. Kam renditur shqipen si armatë ushtarake, me rregulla e disiplina të pacënueshme.
Edhe ti shkruan. Shkruan mesazhe e emaile. Ti shkruan, po mua më dhemb shqipja jote. Sepse ti e gjakos atë- them unë...-e bëj ekonomike- thua ti...Në fund të fundit, më duket se ne të dy nuk flasim e shkruajmë një gjuhë. Shenja mua më vinte e respektuar deri në përulje. Shenja ty të vjen e përdorshme deri në shpërfilljen e hapsirave. Nëse mua më mateshin hapsirat me kilometra, ty të maten me giga bite.
Ndoshta ti je ai, tjetri...Ai që unë nuk e kuptoj dot, ai që ne nuk e kuptojmë dot. Më duhet të dorëzohem. E bëj. Ngre duart lart para këtij njeriu tjetër që e linda vetë e që koha ma brumosi ndryshe nga unë. Përfundimisht i dorëzohem gramatikës dhe them se ndajfolja “dot” është mënyrë.
I dorëzohem edhe unë ekranit të vogël nën mollëzat e gishtërinjve të mi ku koha mbetet e pandryshueshme në ca mesazhe shenjash: “Mam love you!” (Edhe shqip bukur do të kishte qenë, dreqi e mori)
(Natasha Shuteriqi Porocani; Portali Shkollor)
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?