The Guardian: Bashkëjetesa e Autizmit me ADHD-në (AuDHD), rritje e papritur dhe e shpejtë
AuDHD është një term që përshkruan njerëzit që shfaqin shenja të autizmit dhe ADHD-së (Çrregullimi i vëmendjes dhe Hiperaktivitetit)
Deri në kohët e fundit është menduar se një person nuk mund të jetë i sëmurë në të njëjtën kohë me ADHD dhe Autizëm. Mirëpo, tashmë po del të jetë e kundërta e asaj që është menduar ndër vite.
Sipas disa specialistëve, besohet se bashkëjetesa e të dy çrregullimeve nuk është më “e pamundur”, por është e zakonshme dhe shumë e shpeshtë.
Sipas një hulumtimi të bërë nga studiuesit e Universitetit “Duke”, u zbulua se gjysma e njerëzve të diagnostikuar me autizëm shfaqin njëkohësisht edhe shenja të ADHD-së. Ndërsa më shumë se gjysma e njerëzve që vuajnë nga ADHD-ja kanë të pranishme simptoma të autizmit.
Në bazë të hulumtimeve është parë që në shumë raste të pacientëve që vuajnë nga ADHD-ja, në momentin që janë qetësuar nga ato shenja, rishtazi janë shfaqur edhe simptomat e autizmit. E tërë kjo çon në konstatimin që të dy gjendjet bashkëveprojnë mes vete.
Sipas “Embracing Complexity” (një grup organizatash që hulumtojnë neurodiversitetin), thuhet se të dyja janë kushte neurozhvillimore të përjetshme që ndikojnë në mënyrën se si njerëzit mendojnë, e perceptojnë botën dhe ndërveprojnë me të tjerët.
Të qenët autik dhe me ADHD mund të çojë në probleme mendore, por arsyet e plota se pse vijnë këto çrregullime, nuk dihen ende. E vetmja që dihet është se autizmi shkaktohet nga faktorë të shumtë gjenetikë. Ndërkohë, as për ADHD-në nuk dihet plotësisht, përpos idesë se kjo gjendje përfshin një çekuilibër të neurotransmetuesve, duke përfshirë dopaminën në tru. Kjo gjendje lidhet me motivimin, lëvizjen, planifikimin, kujtesën, fokusin, vigjilencën, kontrollin e impulsit dhe reagimin ndaj kërcënimit, e të tjera.
Të rriturit autikë mund të jenë pa aftësi të kufizuara në të mësuar, e të cilët kanë shumë më tepër gjasa të vdesin nga vetëvrasja.
Në vitin 2022, hulumtuesit nga Universiteti i Kembrixhit dhe Nottingham-it, duke analizuar të dhënat e hetimeve të mjekëve, dolën në përfundimin se një numër i konsiderueshëm i njerëzve që kishin vdekur nga vetëvrasja ishin me gjasë autikë, por të padiagnostikuar. Të rriturit me ADHD, ndërkohë, kanë pesë herë më shumë gjasa të tentojnë vetëvrasje sesa bashkëmoshatarët e tyre neurotipikë.
Referuar një studimi akademik të bërë në më shumë se 50,000 njerëz është parë që njerëzit që vuajnë nga të dyja bashkë (AuDHDers) janë në rrezik edhe më të madh të vetëvrasjes sesa ata që kanë probleme me vetëm njërën nga to.
Në kohën e sotme, bashkëjetesa e shenjave të autizmit dhe ADHD-së (AuDHD) po zbulohet si një realitet i zakonshëm, duke thelluar kuptimin tonë për këto kushte neurozhvillimore. Rreziku i vetëvrasjes dhe shumë probleme të tjera për individët me këtë kombinim të dy çrregullimeve tregon nevojën për përkujdesje më të madhe dhe trajtim më të specializuar ndaj tyre.
Burimi:kliko këtu
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Përdorimi i teknologjisë, ndikimi në edukimin e fëmijëve, në dinamikën e marrëdhënieve me prindërit dhe në cilësinë e lidhjeve familjare
Fëmijët dhe lojërat në natyrë/ Çfarë duhet të bëjmë që ata të pëlqejë natyrën dhe mjedisin jashtë?