Telefonat inteligjentë mund të parashikojnë nëse jeni të mërzitur

Telefonat sot na ofrojnë shumë shërbime, gama e të cilave vjen gjithmonë në rritje. Telefonat nuk përdoren vetëm për të dërguar mesazhe tekst apo për të bërë thirrje telefonike.

Ata ofrojnë edhe shërbime të tjera, si: shfletimi në internet, dërgimi i mesazheve elektronike, shkrimi i dokumenteve, lojërat e ndryshme etj.

Telefonat inteligjentë janë në gjendje  gjithashtu, të kuptojnë nëse përdoruesi është i mërzitur. Zbulimi u bë nga disa shkencëtarë spanjollë, të cilët kanë krijuar një algoritëm që kupton vetëm duke shikuar në pajisjen mobile, nëse një person është i mërzitur, kur ka qenë koha e fundit kur personi ka marrë një telefonatë apo një mesazh tekst, sa shpesh e përdor telefonin etj. Sipas shkencëtarëve, këto të dhëna janë 83% të sakta.

Për të arritur në këtë përfundim, analistët u kërkuan disa njerëzve që të shënonin çdo ditë gjatë dy javë nivelin e mërzitjes, sipas një aplikacioni që ata krijuan. Përgjigjet më pas u krahasuan me të dhënat e marra nga telefonat inteligjentë të të anketuarve, ku u pa se sa aplikacione përdorën dhe sa shpesh e përdornin telefonin.

Me të dhënat e mbledhura, ekspertët krijuan një aplikacion për pajisjet Android që parashikon nëse përdoruesi është i mërzitur apo jo. Nëse aplikacioni vëren se përdoruesi është i mërzitur, ai do ta njoftojë dhe do ta pyesë nëse do të lexojë një artikull nga BuzzFeed.

Një tjetër studim i kryer në muajin korrik tregoi se personat që shpenzojnë shumë kohë me telefonin janë më të mërziturit.

1,867 Lexime
8 vjet më parë