Plagjiatura

Të prezantosh punën e tjetrit si tënden – kur kjo ndodh mes mësuesve!

Shumicën e videove që kisha bërë për nxënësit e mi, personi në fjalë i kishte marrë dhe në faqen e parë kishte vënë emrin e shkollës ku punonte si mësues. Mu errën sytë dhe u ndjeva aq keq për punën time...

Sot mu kujtua koha e vështirë e karantinës. Sa të papërgatitur na gjeti ajo kohë të gjithëve. Një situatë e paimagjinuar më parë. Kaloi para syve tanë si një film dhe kuptuam se duhet të duam më fort njeri-tjetrin, familjen tonë, prindërit tanë, miqtë dhe gjithçka tjetër që ka vlerë. Por natyra njerëzore e harron shpejt të shkuarën. Mendoj se ne nuk duhet të jemi të burgosur të së kaluarës sonë, por disa mësime duhen nxënë në jetë, për të mos i përsëritur gabimet e së shkuarës. 


E vërteta para syve 


Në You Tube duke postuar videot e kanalit tim që sapo e kam hapur, më doli papritur një video e imja, por çuditërisht mbante emrin e një djali nga një vend jo në Tiranë. Hyra në kanalin e tij dhe çfarë të shikoj. Shumicën e videove që kisha bërë për nxënësit e mi, personi në fjalë i kishte marrë dhe në faqen e parë kishte vënë emrin e shkollës ku punonte si mësues. 

Mu errën sytë dhe u ndjeva aq keq për punën time. Për nxënësit e mi në kohën e karantinës bëra 55 video të cilat shumicat i shoqëroja edhe me audio, sigurisht flisja vetë. Ajo që më shqetësoi është se me paturpësinë më të madhe ky njeri i kishte kopjuar si të vetat edhe videot e lëndëve të tjera, jo vetëm të miat.  


I panjohuri dhe koha e mundimshme


Për të bërë një video mua m’u deshën 10-12 orë pune. Çdo ditë në karantinë ja dedikova mësimdhënies. Doja që shkolla dhe nxënësit të kishin një trashëgimi të pasur artistike nëpërmjet videove. Montimi i fotove, teksteve dhe zërit tim, kërkonte një punë kolosale, që unë e bëra vetë pa ndihmën e askujt. 

A mund të më thotë dikush se si një njeri i panjohur vjen dhe të merr punën tënde, që e ke ngritur me aq mund dhe djersë dhe e quan të vetën? 

Kanali i shkollës sonë u krijua me 31 prill 2020, dhe ky person nuk paska pritur fare, por në maj 2020 publikon të vetat. Dhe as priti gjatë, por sa i publikoja unë në kanalin e shkollës videot, djali direkt gati për gjueti. Le pastaj cilësia e montimit që i kishte bërë, ndryshonte kryekëput pjesa e vjedhur me pjesën e bërë nga ky person. 


E drejta e autorit


Edhe sa kohë do vazhdojmë të punojmë me djersë dhe të mos na njihet e drejta e autorit? Përse ndodh kjo? Kush e mbron punën time, e cila reflekton prejardhjen dhe arsimimin tim, eksperiencën time artistike, intelektuale dhe jetësore? Ajo që ka bërë ky pseudomësues, duke marrë punën e tjetrit si pa të keq e ta nxjerrë si të vetën, është e turpshme. Ky veprim është niveli më dobët i profesionalizmit të çdokujt. Nuk mund ta besoj që ka akoma njerëz të tillë, aq më keq mësues. 

Çfarë vlerash do t’i përcjellë ky mësues brezit të ri? Çfarë modeli i jep nxënësit të ndjekë në jetë? 


Dinjiteti nëpërmjet punës sonë


Duhet që aty ku ne vëmë emrin tonë, firmën tonë të ketë dinjitetin dhe profesionalizmin tonë. E vërteta në mos sot-nesër do vi një moment që do të të  dalë përpara fuqishëm. Edhe pse pas 2 vitesh, por doli. 

Kjo situatë, për sa kohë nuk ruhet e drejta e autorit, mbetet në ndërgjegjen e secilit nga ne. Më mirë bëj atë që je kompetent dhe me punën tënde të tregosh dinjitet, sesa bën një montim me arna, sa për mburrje. Këto lloj situatash janë të shumta dhe nuk më vjen mirë aspak, por ky është realiteti ynë dhe të gjithë bashkë duhet të ngremë zërin që fenomene të tilla mos përsëriten. 


Fuqia e së vërtetës


Opinioni i secilit nga ne, i thënë me gjuhën e së vërtetës, pa ofendime, pa eufori, vlen shumë. Me fuqinë e së vërtetës dhe duke ruajtur etikën qytetare dhe profesionizmin, me punën tonë të mbështetur te aftësitë tona dhe te ndërgjegjja jonë, atëherë ne mund të vëmë një gur në themelet e të drejtës së autorit. 

Le të jemi ne mësuesit nismëtarët e parë, duke i dhënë rëndësinë e duhur që në bankat e shkollës më nxënësit tanë, të drejtës së autorit, duke i rrënjosur atyre dashurinë për punën dhe si të jenë qytetarë të denjë. Ky mision ashtu si shumë të tjerë që kemi mbi supe si mësues, na takon neve më shumë se kujtdo. Le ta mbajmë lart pishtarin e dijes që mos na mbulojë errësira e padijes.



Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,409 Lexime
2 vjet më parë