MËSUESIA

Të jesh mësues do të thotë të jesh gjithçka për një nxënës.

Ju prezantojmë me shtatë elementët që do ju ndihmojnë t'i njihni më mirë nxënësit tuaj, sepse tashmë nuk është sekret që mësuesia është një profesion tejet i vështirë.

Le të përballemi me faktin që në ditët e sotme, profesioni i mësuesit është një nga profesionet më të vështirë në të gjithë botën, sepse duhet të jesh i gjithanshëm. Duhet të jesh mësues, edukues, psikolog, prind, shok, drejtues, mik, polic. Nuk pretendohet të shpërndash vetëm dije, por edhe kurajo, motivim, guxim. Nuk duhet të jesh i aftë vetëm në një temë të caktuar, por duhet të jesh i gjithëditur. Nuk duhet të përfshish problemet personale në klasë, por duhet të hiqesh si i lumtur edhe atëherë kur je i trishtuar, duhet të dukesh i buzëqeshur edhe në ditët kur të mbyt trishtimi, duhet të jesh i motivuar edhe në ditët kur as të bëhet të shkosh në punë. Duhet të kuptosh tjetrin, të dish nevojat e tij, shqetësimet e tij. Duhet të bëhesh prind për ata fëmijë që nuk e kanë një të tillë. Duhet të bëhesh vëlla/motër, për një fëmijë që e ndjen mungesën e vëllazërisë në jetën e tij. Duhet të bëhesh psikolog, për të gjitha momentet e vështira që zoti, familja apo shoqëria ka rezervuar për atë fëmijë. 

Ndaj të jesh mësues do të thotë të jesh gjithçka për një nxënës!


Tashmë nuk është sekret që mësuesia është një profesion i vështirë, pasi mësuesit nuk duhet vetëm të zotërojnë disiplinën, në mënyrë perfekte, por gjithashtu duhet të jenë të aftë të kuptojnë nevojat dhe preferencat e nxënësve. Kështu, mësuesit duhet të njohin metoda të ndryshme sesi të bëjnë mësimin produktiv dh interesant, duke u nisur nga pikëvështrime të ndryshme. 


1. Background-i (prejardhja) - Është e nevojshme të njohësh përgatitjen e mëparshme të nxënësit tuaj. Disa prej tyre janë më të formuar se të tjerët. Disa vijnë nga shkolla të mira, disave nuk i janë krijuar mundësitë e duhura, ndaj duhet pasur shumë kujdes me këtë pjesë. Mund të keni fëmijë nga minoretete të ndryshme në klasën tuaj, ndaj duhet t'i jepni vëmendjen e duhur, duke e mirëpritur atë në klasën tuaj. Për t'ia lehtësuar punën vetes, krijoni një grup pyetjesh, të cilat ia shpërndani nxënësve tuaj. Kështu do qartësoheni dhe do të merrni informacionin e nevojshëm që ju duhet rreth edukimit të tyre të mëparshëm, aftësive, dëshirave, etj. 


2. Komunikimi - Socilaizimi është pjesë e edukimit. Komunikimi është një detyrë. Kjo do të thotë që ju duhet ta përdorni gjuhën si mjetin më të fuqishëm. Ky komunikim duhet të ushtrohet në mënyrë të njejtë. Mos favorizoni askënd, jini të hapur me të gjithë nxënësit. Ka shumë nxënës, të cilët kanë vështirësi në ndërtimin e një komunikimi të mirë me bashkëmoshatarët. Ndaj, metoda e interaktivitetit është shumë e rëndësishme në të tilla raste. 


3. Emocionet - Njerëzit janë të ndryshëm. Ata reagojnë në mënyra të ndryshme. Disa preferojnë t'i fshehin emocionet e tyre, disa të tjerë i shfaqin ato. Një mësues i vërtetë i kupton këto lloj emocionesh në çdo rast. Pra të arrijë të depërtojë edhe tek ai nxënës që në dukje të parë është më i ftohti, duke i dhënë mbështetjen që i nevojitet. 


4. Zakonet e këqija - Siç u përmend më lart, të gjithë ne vijmë nga prejardhje të larmishme dhe ata, të cilët janë rritur në kushte jo fort të favorshme, shumë shpesh, kanë zakone të këqija, përshembull, pirja e duhanit. Për të ndihmuar shokët e grupit të eleminojnë një ves negativ, miqtë dhe mësuesit mund të përpiqen t'i bindin ata të lexojnë materiale shtesë. Përshembull,  ju mund të jepni një detyrë ku nxënësit duhet të përshkruajnë efektet negative të pirjes së duhanit. Normalisht, kjo sjell ndërgjegjësimin e  atyre adoleshentëve që e konsumojnë pa i njohur efektet. 


5. Motivimi - Absolutisht çdo person ka ëndrra dhe nxënësit nuk janë një përjashtim. Disa ëndërrojnë të kenë një pozicion pune me pagë të lartë, të tjerë të udhëtojnë nëpër botë. Sido qofshin dëshirat, të largëta apo të afërta, të realizueshme apo të parealizueshme, duhet motivim. Pa të, asgjë nuk do të funksiononte dhe qëllimet afatshkurtra ose afatgjata nuk do të arriheshin. Është e rëndësishme të jesh i përqendruar , i motivuar dhe shumë punëtor. 


6. Marrëdhëniet - Marrëdhëniet e mira me nxënësit janë thelbi i të qenurit një mësues i suksesshëm. Nga njëra anë, nxënësit duhet të kuptojnë se ekziston vetëm një drejtues në klasë - një mësues. Nga ana tjetër, i njëjti mësues duhet të jetë gjithashtu një "mik", i cili është gjithmonë aty për ndihmë. Mësues duhet të jetë gjithashtu i përgjegjshëm edhe për marrëdhëniet që nxënësit krijojnë me njëri-tjetrin, duke u përpjekur të ofrojë ndjenjat e ngrohtësisë dhe miqësisë. 


7. Stili i të mësuarit - kjo mund të duket e tepërt dhe qesharake, por në kënvështrim tim, mësuesi duhet të njohë edhe stilin e të mësuarit të nxënësit të tij, i cili varet shumë nga personaliteti i tij/saj. Kjo do të thotë që për mësuesin, secili nxënës duhet të jetë si një libër i hapur. 




Shkroi: Parajsa Shtini

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

7,276 Lexime
4 vjet më parë