Të infektohesh me COVID-19, flet arsimtarja Alma Pire: Mbështetja morale më e rëndësishmja
Personazhi që ne kemi intervistuar ka njëzet vjet që drejton punën në një shkollë jo shumë larg qytezës së Belshit, në fshatin Qafëshkallë. Sot do ju sjellim rrëfimin e arsimtares Alma Pire, e cila tashmë fatmirësisht gëzon shëndet të plotë pas luftës me COVID-19.
Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për mbarë botën prej shfaqes së virusit i cili ka marrë shumë jetë njerëzish. Në Shqipëri, veçanërisht me dhjetëra mësues e humbën betejën me COVID-19. Është e trishtë ikja e tyre për familjarë e kolegë...
Virusi tinëzar, i pabesë ende qarkullon kudo që ne jemi....
Prej muajsh informohemi që të zbatojmë disa rregulla për të mos u infektuar prej tij, por gjithsesi ka nga ata fatkeq që e dinë tashmë se çfarë do të thotë të luftosh me të...dhe se sa e bukur është ndjesia të jesh prapë ne jetë e t’i gëzohesh një mundësie tjetër...
Personazhi që ne kemi intervistuar ka 20 vjet që drejton punën në shkollën "Isuf Dervishi"- Qafëshkallë, jo shumë larg qytezës së Belshit. Ju sjellim rrëfimin e arsimtares Alma Pire, e cila tashmë fatmirësisht gëzon shëndet të plotë pas luftës me COVID-19.
Zj. Alma deri në momentin që ju u infektuat me COVID-19 nuk dinit shumë për këtë virus veç informacioneve që qarkullonin për të dhe kujdesit që duhet të tregonit duke zbatuar disa rregulla. Po më pas çfarë ndodhi? Cilat ishin simptomat e para? Kur dyshuat se kishit kovid? Si e provuat që ishit e infektuar? Çfarë ndjetë dhe si e kaluat atë?
Kemi tashmë muaj të tërë që dëgjojmë, shikojmë e diskutojmë për Covidin, e dinim çfarë sillte dhe cilët rrezikonte, mundoheshim të ishim sa më të kujdesshëm në shkollë, në mjediset publike apo dhe në familje. Kisha muaj që nuk përqafohesha me prindërit, që nuk afrohesha me më të vegjlit e familjes, që rrija larg me kolegët dhe që u shpjegoja dhe i kontrolloja në distancë nxënësit, gjë që për ne mësueset e gjuhës është e vështirë të mos ua kontrollosh nga afër gabimet drejtshkrimore. Mendoja se isha mjaftueshëm e informuar aq sa për ta kuptuar virusin që me shenjat e para apo dhe më e mira fare, për të parandaluar ardhjen e tij. Por ja që nuk dija asgjë sepse kur të prek, është tjetër përjetim fizik e emocional, tjetër dhimbje nga ajo që thuhej, tjetër frikë e ankth. Kisha shumë ditë që isha e lodhur fizikisht, kalova një gjendje të lehtë gripale dhe një ditë vura re se nuk po nuhasja dhe nuk po shijoja asgjë. Duke menduar se isha e rrethuar nga kolegë e nxënës, se mund të infektoja dhe të tjerë nëse nuk merrja masa, lajmërova 127 për tampon dhe mjekun e familjes për shenjat e para. Bërja e tamponit u vonua katër ditë dhe përgjigjja e tij (pozitive) më erdhi pas një jave, ndërkohë që në ditën e katërt të izolimit fillova të bëja disa analiza sepse kisha probleme me frymëmarrjen. Në analiza rezultoi se isha e infektuar dhe se më kishte prekur edhe në mushkëri (edhe pse nuk kisha as temperaturë dhe as kollë, përveç lodhjes fizike dhe dhimbjes së kockave). Normal që nuk e mora me frikë e me stres, por meraku i vetëm ishte se a kisha infektuar të tjerë; kolegët, prindërit, familjarët? Në çdo lëvizje tënden në shtëpi të dukej se mbillje filiza virusi dhe se tentakulat e tij i hidhte kudo në rastin për të kapur të tjerë në grackën e tij. Ishte një ndjesi e papërshkrueshme të jetoje midis virusit dhe fajit, frikës dhe shqetësimit, dyshimit dhe përgjegjësisë. Fatmirësisht, pas meje, asnjë nga kolegët dhe nxënësit nuk u prek, gjithashtu dhe nga familjet e nxënësve nuk pati raste sepse pothuajse dy herë në ditë komunikoja me infermieren e shkollës për t’u informuar. Fat akoma më i mirë që as fëmijët e mi dhe bashkëshorti nuk u prekën.
Me antibiotikë të fortë, me një regjim dhe ushqyerje të mirë e kalova pa probleme, edhe pse pasojat e tij në trup dhe në kujtesë duket se do të ndjehen pak më gjatë.
Ku mendoni se jeni infektuar? Ku gabuat mbase?
Nuk mund ta them me siguri ku, ne gjatë gjithë ditës jemi në lëvizje dhe në kontakte me persona të ndryshëm. Edhe pse jetoj në një zonë e cila në fillimet e virusit ka qenë zonë e gjelbër dhe sot, në këtë përhapje kaq të madhe nuk është se cilësohet si zonë e rrezikshme, gjithsesi, virusit i mjaftojnë të qindat e sekondës për të hyrë aty ku ai preferon më shumë, në frymëmarrje. Mbase ndonjë ulje maske diku për “të marrë frymë lirshëm”...
A ka gjëra që do t’i bëje ndryshe nëse do të ktheheshe pas, në mënyrë që mos të infektoheshe?
Do të isha më strikte me maskën sepse deri në momentin që e provon vetë apo dhe kur e sheh tek ata që ti njeh, fillon ta besosh që ai vërtet ekziston dhe jo siç e quajnë disa njerëz, një lojë mediatike apo një politikë botërore.
Tani nuk e heq kurrë maskën kur jam jashtë shtëpisë, ndoshta sepse nuk e kemi të sigurt a do të prekemi më, ndoshta sepse mushkëritë e mia tani janë më delikate dhe mund të thithin edhe mikrobin më të vogël që mund të qarkullojë në ajër...
A ishte e vështirë për ju si drejtuese e një institucioni arsimor që të ekuilibronit rëndësinë e shëndetin dhe punën nga ana tjetër? Si e zgjidhët këtë problem? A u ndjetë e mbështetur dhe nga kush?
Fat i mirë që unë drejtoj një shkollë të vogël që punon me një turn dhe me orë të plota. Që ditën që nisa karantinën komunikova me drejtorin e ZVA-së dhe një pjesë të përgjegjësisë sime ia ngarkova një kolegeje. Gjatë gjithë kohës isha në kontakt me stafin e shkollës të cilët më qëndruan pranë në periudhën e izolimit (edhe pse në distancë, i ndjeva më afër se kurrë me mesazhet dhe me telefonatat e tyre) por duke bërë edhe që me izolimin tim të dezinfektonin mjediset në shkollë dhe mësimi të vazhdonte normalisht. Kolegia e gjuhës mori përsipër të zhvillonte edhe orët e mia të gjuhës në mënyrë që nxënësit të mos ishin më online pasdite, për shkak edhe të ndihmës që ata u japin prindërve në këtë periudhë pune. U ndjeva e mbështetur nga kolegët, familjarët dhe miqtë sepse njeriu, në këtë kohë Covidiane, më shumë sesa për kujdes shëndetësor, ka nevojë për mbështetje morale, shpirtërore, vërtet që ky virus sikur të ndryshonte, dashje pa dashje, edhe nga gjendja emocionale.
Në shkollën tuaj, a ka pasur dhe ka mësues apo nxënës të infektuar më COVID-19 dhe çfarë rregullash ndiqni në këto raste?
Para meje ishin dy kolegë të izoluar, duke u mjekuar për rreth tri javë në shtëpi edhe pse në bërjen e tamponit rezultuan negativë. Aktualisht, shkolla nuk ka asnjë mësues apo nxënës të infektuar.
Të gjithë tashmë jemi ndërgjegjësuar që me shenjën më të parë të izolohemi, sepse jo vetëm mbrojmë veten, por edhe kolegët e të gjithë personat që na rrethojnë. Pasi mësuesi kupton shenjat e para, lajmëron mjekun e familjes i cili i jep një letër që po qëndron në shtëpi apo izolim për këtë arsye, deri në pritje/përgjigje të tamponit apo dhe në përmirësimin/heqjen e shenjave covidiane. Kjo është një procedurë e cila jo vetëm parandalon përhapjen nëpër shkolla, por edhe bën që mësuesi të parandalojë përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore nëse është me Covid.
Mendoni se shkollat janë vatra infektimi?
Deri diku po, por nëse sheh grumbullime nëpër lokale, në rrugë, deri diku edhe të ngjeshur nëpër transporte publike, qendra tregtare, supermarkete, atëherë shkollat, nëse zbatojnë Rregulloren e posaçme të hartuar në fillim të vitit shkollor, mendoj se janë të fundit që mund të krijojnë infektimin. Shkaku që mendoj kështu është ndoshta edhe se punoj në një shkollë të vogël ku është më e lehtë të mbahet distanca dhe të kontrollohen nxënësit për maskat e për lëvizjet.
Padyshim që viti 2020 ka qenë tepër i vështirë edhe në drejtim të arsimit prej pandemisë. Nga mësimi klasik u kalua në atë online, më pas në klasë por me numër të reduktuar nxënësish dhe rregulla që duhen zbatuar, ndërkohë që prej 1 dhjetorit pritet që mësimi të fillojë i alternuar. Si mendoni, cilat janë mangësirat që do t’i krijohen këtij brezi nxënësish për më pas?
Personalisht jam studente e 97’-ës, atëherë kur të gjitha kujtimet tona u dogjën e u vodhën nëpër konvikte, atëherë kur jepnim provime pasi kalonim nga tyta e automatikut të vënë në postbllok, kur edhe pse kohë lufte nuk na toleroi asnjë pedagog e nuk na u fal asnjë provim, kur nuk i kishim kushtet dhe mundësitë t’i jepnin provimet nëpër xhama të laptopëve apo nëpër zoom-a e meet-a. Ky brezi i sotëm nuk ka parë gjë ende, nxënësit e sotëm kuptojnë dhe fiksojnë çfarë u jepet në klasë sepse në shtëpi janë të rrallë ata që hapin librat dhe e shfrytëzojnë kompjuterin e internetin për mësime. Sot, të rrallë janë ata prindër që vlerësojnë si dhe sa duhet punën e mësuesit dhe sakrificën që ai bën për të dhënë dije dhe gjithçka nga vetja. Mangësitë e kësaj kohe nuk do të jenë vetëm te nxënësit, por te gjithkush dhe te gjithçka. Nuk do të kenë mangësira të theksuara sepse mësim është bërë, edhe pse pak i reduktuar, mësuesit kanë punuar edhe pse pak të tensionuar, dija është përçuar, edhe pse në një formë të tjetërsuar. Megjithatë, para shëndetit nuk vlen dija, para jetës nuk vlen shkolla, para virusit nuk vlejnë mangësitë. Nuk jemi as të parët dhe as të fundit që po gjendemi në këtë kohë të pakohë. Mjafton të ruajmë shëndetin dhe gjithçka tjetër e ka një zgjidhje.
A keni ju një mesazh që dëshironi ta ndani me ne në këtë kohë “lufte” me një armik të padukshëm?
Armiku tashmë na ka pushtuar, mbajeni sa më larg të mundeni, dhe nëse ndodh që ndonjë ditë të trokasë në derën tuaj, tregojani sipas mënyrës suaj se ai nuk e ka vendin te ju!
Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Nysret Kryeziu, mësuesi që luftoi regjimin e egër serb duke kontribuar falas për 9 vite në arsimin kosovar
“Zemërimi i Mujit”, filmi i parë vizatimor i realizuar me punime të nxënësve - flet mësuesi Altin Shuaipi
Mesazhi i gjakovares, Ariana Rizvanolli: Të jesh mësues do të thotë të jesh dielli që ngroh zemrat e nxënësve!