NOSTALGJI

Mësuesja Marte Doda shkruan për mësuesen e saj të klasës së parë: Të jam mirënjohëse gjithmonë!

Ish-nxënësja, sot mësuese, kujton me nostalgji personin që e ka frymëzuar dhe i ka dhënë forcë për të ecur përpara. Marte Doda është shembull i ndikimit nga mësuesja e klasës së parë. Ajo tashmë ecën në gjurmët e mësueses Naxhie Brahaj.

Të flasësh për mësuesen Naxhie Brahaj nuk mjaftojnë orët.


Të shkruash për punën, jetën e saj nuk mjaftojnë fletët, por flet respekti që kanë të gjithë brezat që ka mësuar kjo mësuese zonjë e nderuar.


Si mësuese: Më kujtohen ditët e para të shkollës. Fjalët e ëmbla që na ledhatonte edhe pse neve kishim frikë, përkujdesej për ne si të ishim fëmijët e saj. Buzëqeshja në sytë e saj, fjalët e ngrohta, metodat që përdorte për të na këshilluar kur gabonim, ne të vegjlit e saj....Çdo fjalë e saj, çdo këshillë nga ajo ishte shumë e çmuar për ne vogëlushët e saj. Në takimet me prindërit gjithmonë nxirrte fjalë të ngrohta për ne. Thoshte diçka që e kam fiksuar mirë: “Lërini fëmijët të jetojnë fëmijërinë e tyre të pafajshme dhe larg problemeve tuaja"Vitet kaluan. Ne u rritëm dhe në takimin e fundit të klasës së 8-të ishe u bë drejtoresha e shkollës sonë. Na urove të gjithëve: “U rritshi të lumtur dhe suksese në rrugën e gjatë të dijes”. Disa nga ne u bënë mësues, disa ekonomistë, disa juristë dhe të tjerë punëtorë të nderuar dhe të respektuar. Mënyra e saj komunikimit me ne dikur, nxënësit e saj dhe prindërit tanë, bënë sot që tek ne të shtohet respekti dhe dashuria për këtë mësuese. Për mua ngelet mësuesja ime e dashur, e dhembshur, fjalëpakë e punëshumë, e respektuar dhe e nderuar.

Burim frymëzimi për mua sot në profesionin e bukur të mësuesit.

Të bëhesh mësues është dëshirë, por të jesh mësues është nder dhe përgjegjësi.


Si nënë: E dashur, e qetë, e dhembshur, e respektuar dhe e paarritshme nga ne nxënësit e saj që ëndërronim të bëheshim si ajo. Vitet kaluan dhe ne morëm rrugë të ndryshme. E takoj një çast dhe nuk doja ta besoja që ishte ajo. Dhimbja që mbarte mbi supe mu duk se e kishte plakur para kohe. Por përsëri buzëqeshi dhe tha: "E dashur jeta vazhdon dhe duhet jetuar ashtu si të vjen". Dhe unë sot i kujtoj  fjalët e saj dhe i përdor si burim force për vete. 


Jetofsh gjatë dhe u gëzofsh gjithmonë mësuesja ime e nderuar! Je burim frymëzimi për  brezat  e rinj. 


Mirënjohje për punën tënde!

Nga ish nxënësja jote! 

Marte Doda

(Klasa e parë, vitet 1977-1978, Kryezi Puke)



(Portali Shkollor) 

3,566 Lexime
4 vjet më parë