KAMPANJË

Studentët e Gazetarisë hapin fushatën “Ndrysho për Kosovën”, synojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve për mjedisin

“Ndrysho për Kosovën” është fushata mjedisore e realizuar nga studentët e Degës së Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe rëndësinë e tij.

 “Ndrysho për Kosovën” është fushata mjedisore e realizuar nga studentët e Degës së Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe rëndësinë e tij.


Kjo fushatë është pjesë e lëndës "Teori dhe Praktikë e Marrëdhënieve me Publikun" dhe është realizuar nën mentorimin e profesorit Arben Fetoshi dhe asistentes Teuta Berisha.


Për Portalin Shkollor foli profesori i lëndës, Arben Fetoshi, i cili tregoi më shumë rreth qëllimeve të kësaj nisme. 


“Degradimi shqetësues i mjedisit, që në masë të madhe është pasojë e sjelljes sonë, i ka motivuar studentët ta konceptojnë fushatën përmes thirrjes për ndryshim, duke nxitur reflektimin e publikut në dy aspekte: e para, në kërcënimin që paraqet ndotja, dhe e dyta, në mbrojtjen e natyrës si patriotizëm.”, tha Fetoshi.


Fetoshi tha se përmes këtij projekti u bëhet thirrje qytetarëve për një qasje dhe përkushtim të ri ndaj mjedisit të Kosovës.


Ndërkohë, Teuta Berisha, asistente e lëndës tha se përmes kësaj kampanje synohen të arrihen qëllime të ndryshme, duke filluar nga ndërgjegjësimi i vetes e deri te ndërgjegjësimi për të raportuar sjelljet e pahijshme të të tjerëve në raport me mjedisin.



“Qëllimi i kampanjës NDRYSHO është vetëdijësimi i qytetarëve të Kosovës për mbrojtjen e mjedisit duke i ndryshuar sjelljet në raport me mirëmbajtjen dhe ruajtjen e hapësirës publike. Përtej kësaj, përmes kësaj fushate synojmë të nxisim edhe ndjenjën e përgjegjësisë për të raportuar tjetrin për veprimet e paligjshme, siç është dëmtimi i tokës, i ujit, i ajrit, e në një periudhë afatgjatë kjo do të ketë pasoja fatale për vetë ne si banorë.”, tha Berisha.



Tik-Tok-u, Facebook-u dhe Instagram-i janë tri mediat sociale që janë përdorur për zhvillimin e kësaj fushate, dhe sipas Berishës, kjo përzgjedhje është bërë e qëllimshme për shkak që të tri mediat përdoren nga të gjitha grupmoshat dhe se kjo është mënyra më e mirë për t’u arritur audienca e synuar.


Pas profesorëve, foli edhe studentja Laureta Sopa, e cila njëherazi është pjesë e këtij projekti.


“Puna sistematike dhe përkushtimi në arritjen e objektivave të kampanjës kanë qenë thelbësore që nga nisma e kësaj fushate. Të qenit studiues të mediave dhe marrëdhënieve me publikun, tashmë në nivelin Master, padyshim që kanë kontribuuar në përfshirjen e secilit prej nesh në detyrat, për të cilat shquhemi se kemi njohuri më të mira.”,  theksoi Sopa.



Sopa, tha se hulumtimet, produksioni, narracioni, krijimi i produkteve audio-vizuale, krijimi dhe menaxhimi i rrjeteve sociale e paraqitjet publike janë vetëm disa nga përgjegjësitë, të cilat janë përfunduar dhe vazhdojnë të punohen me sukses nga studentët.



Ndërkohë, përgatitjet për fushatën kanë nisur që në fillim të muajit shkurt, ndërsa qe një javë është bërë lansimi i saj në publik.



Në vazhdim gjeni të bashkëngjitura disa ndër fotot/videot e realizuara për këtë kampanjë.



Kliko këtu

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

471 Lexime
7 muaj më parë